
Është ndarë nga jeta Rezana Çeliku, një emër i njohur i artit, filmit dhe televizionit shqiptar, e cila u bë pjesë e vëmendjes së publikut gjatë dekadave ’70 dhe ’80.
Çeliku u afrua me kinematografinë dhe spektaklin krejt rastësisht. Pamja e saj, spontaniteti dhe mënyra e artikulimit bënë që regjisorët ta përzgjidhnin për role të ndryshme. Para kësaj, ajo kishte prezantuar disa festivale rinore në Televizionin Shqiptar.
Gjatë asaj periudhe, ajo u shfaq në disa prodhime të njohura kinematografike. Ndër personazhet që interpretoi ishte partizania në filmin “Ata ishin katër”, me regji të Kujtim Çashkut, si edhe mësuesja në “Shokë të një skuadre”.
Rolin e fundit në film e pati në vitin 1989, në “Një djalë dhe një vajzë”, ku luajti një centraliste. Marrëdhënia e personazhit të saj me një djalë më të ri u pa si një trajtim i guximshëm për kohën dhe shkaktoi diskutime.
Më pas, Rezana Çeliku u largua nga aktrimi dhe nga puna si mësuese në fshatrat e Tiranës. Ajo përfundoi studimet në Ekonomi dhe Juridik, ndërsa karrierën e vijoi në administratën publike. Për shumë vite punoi pranë Drejtorisë për Marrëdhëniet me Publikun në Bashkinë e Tiranës.
Në një intervistë të dhënë në vitin 2011 për rubrikën “Unë Gruaja” të gazetës “Panorama”, ajo kishte rrëfyer edhe aspekte nga jeta e saj private.
ObserverKult






