reklamë

Eskavatori ndërhyn te Kalaja e Rozafës, Auron Tare jep alarmin: Po masakrohet peizazhi historik në emër të turizmit

Pamjet e ndërhyrjes me mjete të rënda në zonën e Kalasë së Rozafës kanë sjellë reagimin e fortë të Auron Tares. Studiuesi akuzon shtetin se po dëmton me dorën e vet një zonë monumentale dhe drejton gishtin nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit: “Pas Syrit të Kaltër, Langaricës dhe Pogradecit, tani i është futur peizazhit historik të Shkodrës”.

Një eskavator që thyen shkëmbinjtë në zonën e Kalasë së Rozafës në Shkodër ka ngritur alarmin për ndërhyrjen në peizazhin historik të një prej monumenteve më të rëndësishme të vendit.

Pamjet janë bërë publike përmes një videoje, ndërsa studiuesi Auron Tare ka reaguar ashpër, duke denoncuar atë që e cilëson dëmtim të peizazhit historik “në emër të turizmit”.

Tare thekson se bëhet fjalë për një monument kulture, zonë të mbrojtur dhe një prej simboleve të identitetit kulturor shqiptar, ndërsa shpreh indinjatën që ndërhyrja kryhet me mjete të rënda dhe lidhet me një projekt të Fondit Shqiptar të Zhvillimit.

Kalaja e Rozafës Shkodër, monument kulture, zonë e mbrojtur, peizazh historik dhe një nga simbolet e kulturës identitare të Shqipërisë.

Ndërkohë një eskavator shtetëror thyen shkëmbinjtë dhe dëmton peizazhin historik në emër të turizmit. Nuk më bëhet të shkruaj më kur pashë këtë video të hedhur me krenari dhe publicitet. Diçka e thellë është thyer në psiqikën e këtij shteti, i cili me dorën e vet ndërhyn në zonat monumentale.

Pastaj kur shikoj tabelën që lajmëron se kjo bëhet nga Fondi i Zhvillimit më zë tmerri. Pas shpartallimit të Syrit të Kaltër, Kanionit të Langaricës, Qendrës Historike të Pogradecit tani i është futur peizazhit historik të Shkodrës”, shkruan Tare.

Reagimi shoqërohet me videon e ndërhyrjes, ku shihet puna e mjetit të rëndë në terrenin shkëmbor të zonës së Kalasë.

Kalaja e Shkodrës, e njohur si Kalaja e Rozafës, është një prej monumenteve më të rëndësishme historike të Shqipërisë dhe një nga pikat kryesore turistike të veriut të vendit. Vetëm gjatë muajit korrik të këtij viti, sipas të dhënave të bëra publike nga institucionet, ajo u vizitua nga 23.678 persona.

Kalaja ngrihet në një pozicion strategjik mbi Shkodër dhe kontrollon një territor të gjerë përreth. Hapësira e saj e brendshme ndahet në tre oborre, të rrethuara me mure dhe të lidhura me porta, të cilat ngrihen gradualisht drejt pjesës më të lartë të kodrës.

Brenda kompleksit ndodhen gjurmë dhe ndërtime të periudhave të ndryshme historike, mes tyre një kullë cilindrike, depo, godina trekatëshe e periudhës venedikase e njohur si Kapiteneria, depozitat e ujit, burgu dhe Xhamia e Fatihut./pamfleti

ObserverKult


Lexo edhe:

Muzeu i Nju-Jorkut ekspozon fragmentin më të vjetër të “Odisesë” së Homerit