reklamë

Arbër Ahmetaj: Të jesh shkrimtar përballë njeriut dhe shoqërisë

Intervistë me shkrimtarin, Arbër Ahmetaj

Intervistën e realizoi: Teuta Dhima

-Si e ka formësuar peizazhi i Tropojës imagjinatën tuaj letrare? A ka ndonjë motiv që e mbani ende nga ajo periudhë?

Arbër Ahmetaj: Peizazhi? Tropoja është një luginë 300-400 metra mbi nivelin e detit. Lumenj të mrekullueshëm rrjedhin prej alpeve përreth e zbresin drejt Drinit. Klima është e mirë dhe ajri i pastër. Masivi i gjelbër i gështenjave bëhet i artë në qershor. Në vjeshtë kalon përmes të gjitha ngjyrave. Njerëzit janë të shëndetshëm dhe hokatarë. Izolimi e përçmimi që iu është bërë ka ndikuar ndoshta në ashpërsimin e tyre. S’besoj se letërsia buron apo ndikohet prej këtyre elementëve. Të paktën jo ajo që shkruaj unë. Siç duket më ka marrë malli…   

Kam kaluar një të tretën e jetës sime në Bajram Curr. Qyteti sapo qe themeluar. Prindërit e mi bëjnë pjesë te pionierët e tij. Im atë në fillim bënte enë llamarine për qytetarët e parë. Më vonë ua mori dorën hekurave dhe shkëlqeu si mekanik. Po dilnim nga mesjeta dhe fillimi i viteve ‘70, me ndërtimin e hidrocentralit të Fierzës, e shpejtoi këtë proces. U elektrifikuam, iu përveshëm maleve e kodrave, minierave, bunkerëve, krijimit të punishteve, arrestimeve, vrasjeve në kufi e arratisjeve. Ushtria bënte punime të rënda e gjendej kudo. Njerëzit e qytetit u diferencuan shpejt, u krijua klasa e prijësve politikë, e armiqve të tyre, gjimnazi me mësuesit e tij shkëlqente si proletariat intelektual i qytetit. Punëtorët pinin alkool e u ‘gëzoheshin’ barakave të lagështa, dhe e mbushën vendin me fëmijë.

Po sigurisht, është periudhe interesante të shohësh këtë rritje. Aq më tepër që përveç syve që na jepte partia e shkolla për ta parë këtë realitet, ruajta e m’u mpreh edhe shikimi tjetër, ai që ishte i aftë të shihte pas maskës së lumturisë, dhimbjen dhe dramën e tjetrit. Kosova ishte shumë afër e drama e saj përjetohej shumë thellë për shkak të ndarjes hermetike me kufi, qen, llogore e gryka topash. Kam shkruar në romanet e mia për atë periudhë të zymtë. Para pak kohësh, në një roman që nuk është botuar akoma, e sjell atë qytet me krejt dritëhijet e veta. Botuesi dhe miku im Dritan Kiçi, më bëri një vërejtje themelore duke më pyetur: “Po dashuri, a ka pasur në atë qytet?”. Romani shumëplanësh vuante pikërisht nga mungesa e dashurisë. U habita me veten, me këtë harresë të pafalshme. Ajo që kisha përjashtuar pa asnjë motiv nga romani, hyri me plotni gjatë procesit të rishkrimit. Po, ka pasur dashuri! Nga mosha pesëmbëdhjetëvjeçare deri në të njëzetat jam përvëluar, ngritur në qiell e përplasur në fund të greminave të dhembjes prej dashurisë. U hapa derën e romanit e besoj se lexuesit do ta vlerësojnë gjatë leximit! Dashuria, absurdi, përpjekjet për zhvillim, mungesa e lirisë me dramat që nënkupton, ka qenë e mbeten tema të romaneve të mia.   

-A e keni ndjerë që në fillim një ndarje mes shkencës (farmacisë) dhe letërsisë, apo ato kanë bashkëjetuar natyrshëm që herët?

Arbër Ahmetaj: Farmacia ka hyrë “dhunshëm” në jetën time. Nuk më lejonin politikisht të studioja mjeshtri aktori apo letërsi. Pas ndërhyrjeve të Dritëro Agollit, pranuan të më jepnin të drejtë studimi, por desh më degdisën në një shkollë të çfarëdoshme: gjithsesi, fati luajti në anën time. Shkenca u bë e bukur për mua kur u detyrova ta ulja qafën e të merrja provimet.

-Çfarë ju dha Universiteti i Tiranës dhe përvoja në Universitetin e Gjenevës në raport me identitetin tuaj intelektual?

Arbër Ahmetaj: Në universitetin e Gjenevës shkova i stërvitur! Përveç shkollimit në Tiranë për farmaci, kalova përmes Universitetit të Leeds në Angli dhe atij të Maltës, ku studiova diplomaci. Rikthimi te farmacia ishte një prej shanseve të rralla që i jepet njeriut dy herë në jetë. Ndryshimi ishte i paimagjinueshëm: punët praktike në laboratorët ndër më të sofistikuarit mbi dhe, një staf akademik me renome ndërkombëtare. Studentët, si të gjithë studentet e planetit. Kryeulur, punëtorë, me ankth provimesh e me bomba hormonale shpërthyese në gji. Në moshë më i rritur se ata, ndjehesha më i paarmatosur në këtë fushë e sigurisht më i qetë! U ridiplomova në moshën 40-vjeçare. Universiteti i Tiranës më dha përvojë, m’i mësoi rrugët e gabuara, që nuk i përsërita më në Gjenevë!  

Bashkëpunimi me shtypin para viteve ’90: a e shihni sot si një shkollë shkrimi apo si një kompromis me kohën?

Arbër Ahmetaj: Prej 1986-s deri në vitin 2006 kam shkruar pa fund artikuj polemikë, pamflete politike e analiza diplomatike, shënime kritike e reportazhe, krahas cikleve me poezi e tregimeve të shkurtra. Edhe në periudhën njëvjeçare të punës në RTSH, në vitin 1992-1993, kam gabuar e mësuar shumë. Shkollë shkrimi apo përfshirje në jetën sociale e politike, kompromis apo aktivizëm, për mua mbetet një përvojë shumë e çmuar. Sa ka ndikuar në stilin tim letrar? Mbetet shumë e vështirë ta them! Por njohja e shoqërisë dhe problemeve të saj besoj se është thesar i madh për një autor. Janë të pafund shkrimtarët që kanë pasur si profesion gazetarinë, lista me emrat e tyre do ishte e mërzitshme për lexuesit.

Specializimet në Angli, Uashington, Gjenevë dhe Maltë: çfarë ndryshoi në mënyrën si e shihni Shqipërinë nga jashtë?

Arbër Ahmetaj: Kur zbrisja natën me avion në Rinas, në mes të viteve ‘90, ndjeja dhimbje në zemër! Shqipëria “fanari ndriçues” i Evropës ishte në errësirë të plotë. Nga skëterra e ish-fanarit socialist, largoheshin valë-valë mijëra e mijëra njerëz. Vëreja menjëherë se si debati politik nuk synonte gjetjen e zgjidhjeve, por mundjen e kundërshtarit, gjë që çoi aq natyrshëm e trishtueshëm, tragjikisht në rrëmbimin e armëve…! 


Si e përjetuat kalimin nga gjuha e drejtpërdrejtë e gazetarisë te kodi më i matur i diplomacisë?

Arbër Ahmetaj: Diplomacia kërkon njohje të thella në fushën e ligjeve, ekonomisë, kulturës, sigurisë dhe aleancave, interesave dypalëshe e më fund gjetja e gjuhës së përbashkët për realizimin e tyre. Gazetaria është udhë e mirë për t’u thelluar në këto njohje. Kodi i matur, siç e quani ju, mësohet nëpër shkolla, nga përvoja personale dhe ajo e kolegëve, qofshin edhe kundërshtarët. Pra, gjuha buron nga dija.

-Çfarë ju mësoi puna në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Shqipërisë për natyrën njerëzore dhe marrëdhëniet e pushtetit?

Arbër Ahmetaj: Mësova se sado i sofistikuar që të jesh si diplomat, vendimet i merrte tjetër kush, politika. Muaj e vite punë të kujdesshme barazoheshin me zero ose u jepej një drejtim krejt i paparashikuar. Kupton se je instrument, i precizonit të lartë ndoshta, e pse jo, por veç kaq. Puna pas perdes, në hije e diplomatëve, firmoset ose griset në skenën plot dritë të takimeve të shefave. Drejtuesit tanë politikë, e jo veç ata, janë mosmirënjohës, çdo sukses e përvetësojnë, për çdo dështim, e kanë lehtë të gjejnë një fajtor, një viktimë.     

Si sekretar i parë në Bukuresht, a pati momente që ju bënë të ndiheni më shumë shkrimtar sesa diplomat?

Arbër Ahmetaj: Ka qenë periudhë e shkurtër dhe e komplikuar. Shqipëria mezi po dilte prej luftës civile. Një forcë e madhe evropiane e vendosjes së paqes kishte zbarkuar në atdhe. Ministri ynë i jashtëm takonte homologët e tij nëpër luftanije në detin Jon. Asnjë vizitë e rëndësishme zyrtare s’mund të organizohej në Tiranë. Pas, le të themi, zgjedhjeve, situata u qetësua pak. Në Bukuresht njoha një shkrimtar të shkëlqyer: Ardian Kyçykun, por i tërhequr në misterin e punës së tij, s’patëm shumë mundësi shkëmbimi. Pastaj studiuesin Luan Topçiu, i cili, që në atë kohë, shkëlqente me talentin dhe përpjekjet e tij në dobi të imazhit të Shqipërisë. Njohja me albanologun Marius Dobrescu u shndërrua në miqësi e ia kam shprehur me dhjetëra herë mirënjohjen time të thellë për atë që ka bërë që kultura shqiptare të arrijë atë shkëlqim që ka në Rumani, përmes përkthimeve të tij.

A ka ndonjë episod që mund të ishte drejtpërdrejt material për një roman?

Arbër Ahmetaj: Po, sigurisht. Jetonim e punonim në një vilë të së dashurës së princit të Rumanisë. Në themelet e saj kishte një kalim të nëndheshëm, që siç duket, në ato kohë, i jepte princit fshehtësinë e nevojshme për të konsumuar dashurinë e tij. U bënë disa riparime në ambasadë dhe erdhi një ekip vendas ndërtimi. Mes tyre një grua e re, që u prezantua si arkitekte. Sekretari i ambasadës sonë që merrej me sigurinë, shifrën etj, më informoi se ajo ishte e shërbimit sekret rumun. Më erdhi keq për të, se ishte shumë e bukur për të punuar në ndërtim e në sigurim! Aty punonte si brigadiere, pasi punimet ishin sipërfaqësore, e kishte degdisur halli dhe detyra “e re” në atë post. Të mos harrojmë: edhe Rumania sapo kishte dalë nga tmerri i “Securitates”. Këto mund të përbëjnë subjekte tregimesh, por, gjithsesi, s’do kishte histori me Xhejms Bond. Rumania është një vend mik. 

-Vendimi për t’u kthyer te farmacia, ishte tërheqje nga diplomacia apo rikthim te vetja? Si bashkëjetojnë sot profesioni i farmacistit dhe ai i shkrimtarit në përditshmërinë tuaj?

Arbër Ahmetaj: Në Zvicër përfundova pas vendimit të vështirë për t’u larguar nga Shqipëria. Nuk më dukej vetja shumë i dobishëm si ushtar në luftën civile të vitit 1997. “Fituesit e zgjedhjeve” të atij viti erdhën me armë në pushtet. Në vendin e ri ku u vendosa, s’kishte poste për gazetarë e aq më pak për ish-diplomatë nga Ballkani. U zhvesha nga çdo e kaluar e “lavdishme”, përvesha mëngët për të punuar ose studiuar. Për rikthimin në farmaci thashë që ishte një fat hyjnor, një shans i dytë. Shkrimtari e farmacisti, në pamje të parë, bëjnë jetë paralele, si shinat e një hekurudhe. Në brendësi të ndërgjegjes i bëjnë favore njëri-tjetrit. Në shërbimin ndaj pacientëve, buzëqeshja, humori, ndjesia e empatisë njerëzore, që vijnë prej shkrimtarit, e ndihmojnë racionalitetin e farmacistit. Gjatë shkrimit, në saktësinë e frazës, gjatësinë dhe pastërtinë e saj, ndërhyn në heshtje, pa nxjerrë gjoksin, farmacisti. Kështu besoj unë të paktën.   

Duke kaluar nëpër kaq shumë role (farmacist, gazetar, diplomat), cili “zë” dominon në veprat tuaja?

Arbër Ahmetaj: Asnjëri ose të gjithë së bashku. Mbizotëron rrëfimi, trillimi artistik me emocion e ndjeshmëri, nevoja ime e brendshme për të rrëfyer, ëndrra dhe metafora e lirisë; të paktën këtë kam synuar.

Cila është tema që ju ndjek pavarësisht zhanrit?

Arbër Ahmetaj: Liria individuale! Vij nga Shqipëria, ku për shumicën e popullsisë, kjo vlerë është mall i dorës së dytë ose të tretë, nga Shqipëria po ashtu, ku çmimi i lirisë është paguar me jetë, me gjak, me sakrifica të paimagjinueshme. Jetoj tashmë në Zvicër, ku asgjë s’është më e shenjtë se liria individuale.

A mendoni se lëvizja mes vendeve dhe profesioneve ju ka pasuruar apo ju ka fragmentuar si autor dhe çfarë mbetet e pandryshuar te ju, pavarësisht gjithë këtyre etapave?

Arbër Ahmetaj: Vetë pyetja e përmban një pjesë të përgjigjes: lëvizja! Është pasuruese, e pazëvendësueshme. Sido që të më ketë bërë, më ka ndryshuar. E ky është kushti i parë për t’ju shmangur pezullisë; të ecësh, të ndryshosh. Proza më ka ndjekur, besoj, të paktën lexuesit e mi e kanë vënë re.                                                                     

Le të ndalemi pak në librin tuaj të fundit “Gruaja e ambasadorit”, përmbledhja e fundit me novela. A është kjo histori për Shqipërinë, apo për çmimin që paguan individi kur bëhet mjet i historisë?

Arbër Ahmetaj: Pyetja është me vend. Shkrimtari nuk bën historianin. Vendosja e ngjarjeve në një kohë të caktuar historike, në një hapësirë gjeografike të njohur është thjesht një koincidencë ose zgjedhje e autorit për t’ia lehtësuar punën vetes e nganjëherë edhe lexuesit. Por edhe kjo është e rrezikshme, së pari, se mund ta cenojë universalitetin e fabulës e me ndonjë detaj edhe ta humbë besueshmërinë, ose të bëhet qesharak. Bie fjala, të flasësh me telefon celular në një histori të viteve ‘50 të shekulli të kaluar ose të shkruash “Skënderbeu ndezi një cigare”, kur dihet që duhani ka mbërritur në Evropë në fund të viteve 1490. Në takim me studentët në Durrës mora vesh se ndonjëri prej tyre nuk e dinte se çfarë ishte “kolektivizimi i blegtorisë”. S’ka asnjë të keqe. Ata dinë shumë gjëra të tjera. Nga ana tjetër, shkrimtari s’ka se pse ta përshtatë tekstin e tij me nivelet e ulta të dijes, gjithmonë duke mbajtur parasysh se është e padobishme ta shndërrosh tekstin letrar në enciklopedi universale. S’e di pse po përgjigjem kaq gjatë, kur mund të thosha se novelat e mia, në përgjithësi letërsia ime, merren me fatin e njeriut, qoftë në ndonjë shtjellë të madhe historike, po aq në vetminë e tyre të pashpirtshme, larg syve të botës.   

A janë personazhet viktima të rrethanave, apo bashkëfajtorë në tragjeditë e tyre?

Arbër Ahmetaj: Personazhet e këtyre novelave jetojnë e, disa prej tyre vdesin, si vijim i natyrshëm i sjelljeve të tyre. Besoj se nuk do kisha bërë letërsi të mirë po të “ndërhyja” për të shpëtuar ndonjërin. Jam shumë i gëzuar me tragjedinë e tyre. Janë personazhe me dinjitet e ky tipar i rrallë është i papërputhshëm me fundin e lumtur. Në betejën për dinjitet dhe liri, shpesh fundi është i parashikueshëm. Në këtë pikëpamje, ata janë “fajtorë të pafalshëm” të tragjedisë së tyre. Letërsia me viktima, për mua s’është letërsi.

A ka një vijë të vetëdijshme ku ju vendosni të mos gjykoni moralisht, apo kjo është një shmangie?

Arbër Ahmetaj: Do doja që autori të ishte krejtësisht i padukshëm. Ndonjëherë edhe nuk ia arrijmë; të marrësh anën e personazheve ose të gjykosh ndonjërin prej tyre nga pozitat e autorit është thellësisht e pandershme, pasi ata s’kanë mundësi të mbrohen! Ndoshta s’ju duhet aq shumë kjo mbrojtje, pasi, dënimin, autorëve të tillë ua japin lexuesit, që përgjithësisht nuk e tolerojnë një autor-prokuror!

Gruaja në novelat tuaja shpesh funksionon si një nxitëse e tragjedisë. A rrezikon kjo ta kthejë atë në simbol dhe ta largojë nga individi?

Arbër Ahmetaj: “Nxitëse e tragjedisë” siç thoni ju, duhet të jetë dikush. Letërsia që ka subjekt njeriun, në ndryshim nga ajo që shkruan për kafshët, makinat apo jashtëtokësorët, në fakt ka veç dy personazhe të mëdha: një grua dhe një burrë. (Njeriu) Roli i “nxitjes” kalon nga njëri tek tjetri. Për të shmangur stereotipet gjinore, edhe burri edhe gruaja, sidomos në gjendje të tragjizmit, u largohen gjinive dhe u afrohen thelbit, domethënë natyrës më të thellë njerëzore, pra individit.    

Erotika në tekstet tuaja letrare është më shumë pushtet sesa intimitet. Është kjo një zgjedhje estetike, apo një reflektim për realitetin që shihni?

Arbër Ahmetaj: Marrëdhënia e ambasadorit me gruan e tij është erotika e dy njerëzve të dashuruar, që kanë respekt pafund për njëri-tjetrin, për projektet dhe synimet e tyre si çift. Fati i saj përcaktohet nga një raport krejtësisht i jashtëm, nga një lakmi dhe marrëdhënie seksuale, që s’ka asgjë të përbashkët me erotikën. Nuk po e shtjelloj më gjatë. Marrëdhënia e dashurisë së Rozës me Luixhin është tërheqje e dy të rinjve, aq e natyrshme dhe e bukur, sa shndërrohet në dashurinë e jetës së tyre. Në prozën time, jo në këtë libër, ka marrëdhënie ku erotika, tërheqja seksuale dhe gruaja shihet nga personazhet si objekt, si lodër, si pasje, si futje në dorë! E kjo vjen pikërisht prej, siç theksoni ju në pjesën e dytë të pyetjes, nga realiteti që shoh! Si njeri dhe si autor jam tmerrësisht i ekspozuar e i ndjeshëm nga realiteti. Gruas, në shoqërinë tonë, pavarësisht nga progresi, i duhet edhe shumë rrugë që të çlirohet krejtësisht.    

Raporti me historinë. Sa i ndërgjegjshëm jeni për dimensionin politik të veprës suaj?

Arbër Ahmetaj: Jo edhe aq shumë. Ose krejtësisht, pasi gjithçka është e mund të trajtohet politikisht. Shkrimtari kujdeset të mos marrë anë, por nëse shkruan kundër dhunës së ushtruar kundër njeriut nga ndonjë pushtet politik, nuk do të thotë se po bën një pamflet. Por në jetën tonë të tensioneve mes ekstremeve, çdo përpjekje për t’i dal zot njeriut konsiderohet si politike, si anësi. Vijmë nga një përvojë letrare ku veprat shkruheshin me porosi komitetesh. Për të hedhur baltë mbi tekstet e lira prej këtyre direktivave, armata e mediokërve të djeshëm e të sotshëm, e shkrimtarëve “ndihmës të partisë në edukimin e masave punonjëse”, përpiqet të etiketojë letërsinë moderne shqipe si letërsi antikomuniste. Ka një batalion të tërë plehrash të ish-sigurimit që luanin rolin e shkrimtarit e që vazhdojnë të na lexojnë me laps në dorë, për të përhapur pastaj shpifje e etiketime, me synim denigrimin e letërsisë që shkruhet plotësisht e lirë e pa ndonjë qëllim politik.

A mendoni se historia, e kaluara, është justifikim për sjelljen e personazheve, apo një barrë që duhet ta tejkalojnë?

Arbër Ahmetaj: Mendoj se letërsia e mirë lind pikërisht prej përplasjes që krijohet mes fatit të personazhit dhe zgjedhjes që ai bën. Pyetja juaj më jep shpresë se ia kam arritur t’i vendos personazhet e mia pikërisht në këtë hapësirë tensioni.

Le të futemi pak në laboratorin tuaj krijues. A i ndërtoni personazhet duke ditur fundin e tyre tragjik, apo tragjikja lind gjatë procesit?

Arbër Ahmetaj: Për fat, jo të gjithë personazhet e mia kanë fund tragjik. Rrjedhimisht nuk kam ndonjë sirtar me fate tragjike apo të lumtura. Më ndodh ndonjëherë që personazhi më tërheq drejt fatit të tij, cilido qoftë ai, por përgjithësisht, sidomos kohëve të fundit, e di prej në fillim se çfarë do të ndodhë me ta. Ka ndonjë personazh rebel që s’më bindet. Më pëlqejnë e i lë të qetë në zgjedhje e tyre. 

-Në krijimtarinë suaj vihet re një kontroll i fortë stilistik. Çfarë sakrifikoni për këtë disiplinë: lirshmërinë, apo emocionin?

Arbër Ahmetaj: As njërën, as tjetrën. Por pa sakrificë nuk arrihet lehtë në këtë cilësi. Ajo që “sakrifikoj” është koha. I jap kohë tekstit. Koha e shkrimit mund të jetë e shkurtër, e reflektimit dhe rishkrimit të tij është e gjatë, e lodhshme, kohë e kërkimit stilistik, heqjes së frazës që çalon, zëvendësimit të foljeve, përmirësimit të ritmit, ruajtjes së ekuilibrit mes figuracionit dhe lirshmërisë së rrëfimit. Pastaj vjen redaktimi. Shkruaj shpejt dhe me tension, reflektoj gjatë e rishkruaj ngadalë. Kam në sirtar romane e tregime të shkruara në shekullin e kaluar. Po presin kohën e maturimit të plotë.

Nëse do të hiqnit “fatin” nga këto novela, a do të mbetej ende një histori, apo e gjitha do të shembej?

Arbër Ahmetaj: Pyetja është interesante dhe besoj se ka të bëjë me arkitekturën e veprës! Një trillim letrar duhet medeomos të ketë arkitekturë, duhet të funksionojë si kompleks. Ka strukturën bazë të rrëfimit, fatin e personazheve e, aty-këtu, “shtesa” herë me leje e herë pa leje, që i japin hijeshi dhe formë. Këto të fundit janë si opsionet e një makine. Nuk e pengojnë as e nxisin ecjen e saj. Po kush do të dëshironte një makinë veç me motor, goma, frena e timon? Si thonë francezët: me shumë “nëse”, mund ta fusim kullën Ejfel në një thes! Por vepra është kjo që është!

E shihni poezinë dhe prozën si dy territore të ndara krijuese, apo si vazhdimësi të së njëjtës botë artistike?

Arbër Ahmetaj: Rezultati i dy këtyre formave të shkrimit mbetet i njëjtë: një vepër artistike. Interferojnë e bashkëpunojnë në tekst. Proza e ka mërzi metaforën nëpër rreshta. Ndërkohë që një vepër në prozë mund të jetë në vetvete një metaforë. Rrjedhimisht është e vështirë t’i ndash me thikë. Në fund të fundit, unë jam një prozator që ka fituar shumë çmime në poezi(!)

Çfarë përgjegjësie mendoni se ka sot një revistë letrare ndaj autorëve të rinj?

Arbër Ahmetaj: Faleminderit për këtë pyetje! Përgjegjësia është e njëjtë si ndaj autorëve të rinj, ashtu edhe ndaj atyre më pak të rinj. Revista Letrare, të cilën e drejtoj si kryeredaktor prej disa vitesh, ka pasur në qendër të vëmendjes botimin, sidomos, të autorëve të rinj, duke u dhënë atyre të vetmen garanci: botimin, nëse cilësia e teksteve meritonte të publikohej. Asnjë kompromis me gjuhën, aq më pak me plagjiaturat apo me “emrin e njohur”. Po u botove në faqet e Revistës Letrare, je rrugës së duhur drejt një letërsie serioze, premtuese. Ne nuk botojmë me para, me hatër, apo me ndërhyrje.

Ky është shërbimi më i madh që u bëjmë autorëve të rinj të gjuhës shqipe. Nuk pretendojmë që jemi gjykuesit më të pagabueshëm të letërsisë, por shpresojmë që autorët të mos shkurajohen nga refuzimi i teksteve të tyre, të vazhdojnë kërkimin dhe vetëpërsosjen.

Për vetëpërkëdhelje ka botime on line e në FB, ku mund të publikohen zemra, foto, buqeta lulesh e medalje të fituara.

Gjej rastin të falënderoj kolegët e redaksisë, që e kanë ndjekur këtë parim me përpikëri. 

Në fund të kësaj bisede mbetet e qartë se për ju letërsia është një mënyrë për të vënë njeriun përballë vetes dhe shoqërisë ku jeton. Përmes personazheve, dilemave dhe përplasjes me kohën, keni sjellë vazhdimisht në qendër individin: dobësitë, përgjegjësitë, lirinë dhe betejën e tij për të ruajtur identitetin. Një nga arsyet kjo, pse krijimtaria juaj vazhdon të komunikojë me lexuesin: sepse flet për njeriun, duke e sjellë jo si një figurë abstrakte, por si qenie që përpiqet të mos humbasë veten mes zhurmës dhe kaosit të botës.

ObserverKult


Lexo edhe:

(Video) Takim me autorin, Arbër Ahmetaj/ Festivali Poetik i Prishtinës IV