
Prishtina ishte kthyer mbrëmë në qendër të kinemasë me hapjen e edicionit të 18-të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit PriFest, i cili nga 8 deri më 13 shtator do të sjellë filma nga Kosova, Ballkani dhe vende të ndryshme të botës.
Drejtori i PriFest-it, Fatos Berisha, në një deklaratë për RTK, e ka cilësuar këtë edicion të veçantë jo vetëm për shkak të 18-vjetorit, por edhe për programin e pasur dhe përfshirjen e Kosovës në projekte ndërkombëtare.
Një nga veçoritë kryesore të këtij viti është fakti se të gjashtë filmat e metrazhit të gjatë në kategorinë kryesore kanë bashkëprodhim me Kosovën. Pesë prej tyre do të jenë në garë, ndërsa një do të shfaqet si projeksion special jashtë gare. Sipas Berishës, një përfshirje e tillë e Kosovës në të gjithë filmat e kësaj kategorie nuk ka ndodhur më parë në historinë 18-vjeçare të festivalit.
Festivali hapet me filmin “Dua” të regjisores Blerta Basholli, ndërsa do të përmbyllet me filmin “Shame and Money” të Visar Morinës. Në program janë edhe “Hana” e Ujkan Hysajt, “Gulizar”, “Otter” dhe “The River”, bashkëprodhim me Kosovën, ku interpreton edhe aktorja Ilire Vinca.
PriFest sjell këtë vit edhe disa premiera ndërkombëtare. Në kategorinë e filmave të metrazhit të mesëm, tre filma nga Shqipëria do të kenë premierën botërore në Prishtinë, duke e zgjedhur kryeqytetin e Kosovës si pikënisje për rrugëtimin e tyre në festivale të tjera ndërkombëtare.
Për publikun, shfaqjet e filmave të shkurtër dhe të metrazhit të mesëm nisin nga ora 17:00 dhe janë me hyrje falas, ndërsa filmat e metrazhit të gjatë shfaqen nga ora 19:30, me çmim të biletës prej pesë eurosh.
Përgjatë gjashtë ditëve, përveç programit filmik, do të zhvillohen konferenca për shtyp, panele diskutimi, aktivitete të industrisë dhe programe të tjera shoqëruese. Hapësira para Kino Armata do të jetë gjithashtu një nga pikat kryesore të festivalit dhe e aktiviteteve të mbrëmjes./rtk
ObserverKult
Lexo edhe:
Kalaja e Prizrenit rihapet për vizitorët, disa pjesë mbeten të mbyllura






