reklamë

Qeveritë në këtë vend kurrë nuk e kanë marrë seriozisht arsimin !

blerim latifi duhani kaçak
Blerim Latifi

Qeveritë në këtë vend, përfshirë edhe këtë të tashmen, kurrë nuk e kanë marrë seriozisht arsimin në Kosovë. Janë mjaftuar me administrimin e gjendjes ekzistuese dhe me premtime për të ardhmen.

Nga Blerim Latifi

Prindërit, po ashtu, rēndom nuk e kryejnë punën e tyre: t’i bindin fëmijët se arsimimi cilësor është i domosdoshëm për jetën e tyre kur të rriten.

Vetë fëmijët, të joshur nga “magjia” e botës digjitale, e shohin shkollën si një detyrim të mërzitshëm.

Kësaj mërzie i shtohet një fakt tjetër: përmbajtjet e teksteve mësimore, sidomos atyre për klasat e ulëta, janë metodologjikisht katastrofale.

Ato, kryesisht, hartohen pa përfillur rregullin psikologjik që thotë se përmbajtja e tekstit duhet të jetë në përputhje me zhvillimin kognitiv të fëmijës.

Shikoni tekstet e klasave të para, të dyta e të treta: aty gjen mësime aq të komplikuara e abstrakte, sa edhe një nxënës i shkollës së mesme ka vështirësi t’i kuptojë.

Duke qenë përtej mundësive të tyre objektive për t’i kuptuar, nxënësit detyrohen t’i mësojnë përmendësh, sa për t’i hequr qafe.

Kështu, memorizimi kthehet në metodë kryesore, ndërsa ajo që përbën thelbin e edukimit modern, zhvillimi i aftësive për të menduar, eliminohet fare.

Nga kjo vjen rezultati final: teksti nuk kuptohet sepse nuk mendohet. Vetëm qeniet që mendojnë mund të kuptojnë.

Krejt kësaj historie të degradimit të edukimit i shtohet plehu i rrjeteve sociale, algoritmet e të cilave promovojnë modelin e analfabetit të suksesshëm.

Fëmijët ndjekin modele dhe, kur atyre u ekspozohen analfabetë të kthyer në yje të showbiz-it e të rrjeteve sociale, sigurisht që mesazhi që marrin është i qartë: edhe pa dije, pa arsimim dhe pa aftësi për të menduar, mund të bëhesh i famshëm, i pasur dhe i admiruar.

Me pak fjalë: një shoqëri që shpërblen analfabetët nuk ka mundësi tjetër, përveçse të kthehet një ditë në shoqëri analfabetësh. E një shoqëri analfabetësh do të thotë një shoqëri pa kapacitete për të mbrojtur liritë e saj, demokracinë dhe zhvillimin drejt standarteve të botës bashkëkohore.

ObserverKult