E prishje pak rendin ia luaje veç një fije
të bëhej gjyq i ashpër i pakompromis
aktivizohej neni: “Hajt, mos të pastë hije!”
që t’shembte përdhé si shembet një lis
Po hija s’ish’ veç hije hija ish’ dhe dritë
që ta shquante fytyrën mes tjerave në botë
pa të cilën vriteshe njëjtë si në pritë
dhe me u ngritë prapë ishte punë e kotë
E shqiptonin burra prej Reke e Malësie
të veshur solemnisht e stoikë si boka
se duhej ta thonin ashtu që t’u kish’ hije
se as ata ndryshe nuk i mbante toka
Po t’merrje në thua po t’i shmangeshe premtimit
“Hajt, mos të pastë hije!” – ishte neni yt
që niste me’j’herë nga çast i gjykimit
e der’ natën e vorrit t’rrinte lak në fyt
Ndaj si në shtëpi si jashtë shtëpie
pak me t’rrëshqitë kamba ligjin tash e dije
nga goja e nga sytë shikime pa shije
zbrazeshin mbi ty: “Hajt, mos të pastë hije!”
Kërkohej me të pas hije n’úje e në dreka
lypsej me i rritë gradat me moshë nga një shkallë
drejt e në këmbë duhej me u ba deka
hije duhej pasë dhe plumbi në ballë
Dhe na ndiqte hija nga djepi në varr
gjithçka duhej peshuar me dorë në zemër
as guri në qafë s’ish’ aspak ma i randë
se ky ligj i ashpër me të thirrë në emër
“Hajt mos të pastë hije!” – dhe të dridhej toka
të shqiptohej me za të shqiptohej ndër veti
të drithëronte trupi të gjëmonte koka:
S’mahet kështu shpija s’mahet kështu shteti!
Duhej mësuar këto e përsëritur pa pushim
duhej ngulitur në mendje sikur me pinca
se bije në provim veç për një gabim
njëjtë te Martin Gjoka si te Agim Vinca.
Velipojë, 2025
ObserverKult
Lexo edhe:





