
Nga: Agron Gërguri
Një film ndryshe për luftën, përkatësisht pasojat e luftës sidomos të atyre që janë prek nga dhuna seksuale e cila në moralin e shoqërisë sonë ende mund të trajtohet si faj dhe kjo ndjenjë krijon dramën e brendshme që është tema e filmit HANA.
Bazuar në skenarin e Fadil Hysajt, regjisori Ujkan Hysaj kishte ndërtuar një poetikë mbi dhembjen, mbijetësen, artin dhe dashurinë, aq sa filmi arrin të mëkoj skajet e qenies njerëzore aty ku ruhet tharmi i heshtjes e cila do vëmendje por nuk shprehet nuk bëzanë sepse ka frikë nga gjykimet e paragjykimet e mjedisit ku viktima shpallet lehtësisht fajtore, ose anatemohet. Në këtë vorbull sillet protagonistja e filmit e dyzuar në emrat Hana me tragjikë përbrenda dhe Sara me dëshira të pajetësuara për dashurinë si shprehje e artit të aktrimit përkatësisht teatrit i cili bëhet detektor i të vërtetës, litar i hedhur jo për varje por për të dalë nga balta e gjallë, trajtesë e funksionalizuar bukur në filmin e Ujkan Hysajt “Hana” i cili u shfaq në kuadër të Festivalit PriFest duke depërtuar thellë në shpirtin e secilit spektatorë në kinosallën Armata në Prishtinë.
Kush është Hana (Sheqerie Buqaj) së cilës që me lindje i ngjiten dy emra (Hana dhe Sara) që bëhen përcaktues të fatit saj të mëvonshëm, dyjësuar jo aq në karakter sa në përmbajtje të jetës. Kur Sara skulprohet zgjohet Hana me rrëfimin e trishtë të cilin e shpalos përmes babait (Refet Abazi) i cili në betejë me demencën kërkon dorëshkrimet e djegura, derisa vajza Sara përpiqet të kapet në jetë, Hana në thellësinë e heshtjes bartë me vete e në vete rrëfimin e trishtë të luftës. Bijë e babë nuk i ndihmojnë dot njëri tjetrit; derisa njëri do të kujtoj ate që ka ndodhur, tjetri do që të harroj.
Të dyja personazhet tashmë jetojnë vetëm qenien e tyre psikologjike, jeta shoqërore, sociale u ka ikur në mjegullën e paqartësive se a duhet rrëfehet ajo që ka ndodhur apo të heshtet.
Dyjësia e qenies së saj përplitet midis jetës dhe fatkqësisë. Si aktore interpreton situata tragjike për gratë tjera të cilat i trajton psikologja (Ilire Vinca) Sara ka një personazh brenda qenies saj psikologjike edhe kur si aktore e luan dike tjetër dhe loja e saj puqet me tragjikën që është pjesë e qenies së e saj dhe si e tillë bëhet recetë për rehabilitimin e grave që kanë kaluar nëpër tmerrin e dhunës seksuale. Njëkohshëm rrëfimi e saj ngre kokë do që të shprehet dhe kjo shkakton tension dramatik që bartet mjeshtërisht tek spektatori. Jeta dhe arti bëhen një!
Ky fakt bëhet fuqi shprehëse e filmit edhe për faktin se proces i rehabilitimit ndodhë përmes teatrit, duke vu në rëndësi shëruese artin përkatësisht teatrin sepse vetëm në teatër njeriu ballafaqohet drejtpërdrejtë me veten të cilën e ka brenda dhe kur e brendshmja do që të del jashtë e të merrë zë teatri është mediumi që e bënë këtë më së miri duke operuar shpirtin jo me skalper kirurgu por me akordim të ndjenjave të cilat i prodhon edhe edukon duke i manifestuar gjallërisht fuqishëm.

Por filmi HANA shkon edhe përtej kësaj. Sara nuk është vetëm aktore cila përmes teatrit zbërthen dhe çliron dhembjen e të tjerave duke pasur njëkohshëm brenda Hanën e cila ka një rrëfim të dhembjes si një kuti e zezë e shpirtit që dikush duhet ta lexoj. Aty gjallon një ngjarjeve trishtë që zien në terr, një histori e ndrydhur e patreguar e cila nga jashtë duket e qetë por për brenda gurgullon përvlueshëm si llav vullkani.
Gjithë këtë gjendje komplekse psikologjike e interpreton me nuanca minituriale, fytyrë, shikim, lëvizje, intonim, shprehje të trupit, aktorja Sheqerie Buqaj (HANA) e cila çdo gjest e kishte përkthyer në shprehje artistike interpretuese të personazhit të Hanës dhe Sarës. Të gjitha karakteristikat sociopsikologjike të personazhit Sheqeria i ndërtohen gjatë zhvillimit të rrëfimit duke kundërvë brenda vetes dy qenie që duan të pëlcasin duke na e sjell dramatikisht betejën e shpirtit përmes syve shprehës, trupit të rrënuar brenda këtij rrënimi ajo ruan një frymë jete të cilën e ndjejmë dhe si spektator ngjitem për fatin e personazhit duke dashur që jeta të triumfojë.
Çdo lëvizje qoftë edhe frymëmarrja e saj bëhet furtunë e cila të shqetëson, të organizon dhe të vë pikëquditëse në dilemat që ne bartim në vete derisa ballafaqohemi alter egon. Strukturën komplekse të personazheve aktorja Sheqerie Buqaj e edukon artistikisht për të nxjerr në ekran një nga rolet më të realizuara të kinematografisë shqiptare pa sforcime patetike por me interpretim përmbajtësor ashtu që dramën e akumuluar e shfaq pasi të ketë gjetur frekuencat e komunikimit me thellësit e shpirtit aty ku heshtja bënë zhurmë e ne e dëgjojmë.

Sigurisht se edhe pjesa tjetër e aktorëve ishte në harmoni me trajtimin e temës sidomos u dalluan Bislim Muçaj, Ilire Vinca dhe Refet Abazi.
Filmi ka fotografi përmbajtësore me skena poetike që zbërthejnë gjendje por në vete janë metafora të fuqishme artistike që të ngazëllejnë, siç ishte skena kur personazhi vjell, pastaj atë të vjellur e nuhat dhe ngrën qeni derisa në ballkon shihet një burrë që shikon…ngjashëm fuqi shprehëse kanë skenat: skulptura dhe modeli, biseda e Sarës me Hanën në pasqyrë apo lëshuarja e automobilit në hendek duke dal vetë prej tij e dilema mbetet a iku Hana definitivisht për t’i lëshuar rrugën Sarës ashtu siç dyshimi esencial tek unë mbeti çfarë ndodhi midis babait dhe bijës kur u zunë nga paramilitarët serb. Cili ishte kushti për të shpëtuar. Dhe pikëeisht këtu qëndron e bukura e filmit, sado të na thotë mbetet diçka e pa thënë që duhet ta themi ne që shohim filmin.
Filmin HANA ia vlen ta shikoni për temën që trajton, mënyrën e trajtimit, përmbajtjen, interpretimin dhe dilemat që zgjon kur ballafaqohemi me të vërtetat që i ndrydhim brenda vetes me apo pa të drejtë.
Filmi HANA është prodhim i QKK , producent Kushtrim Koliqi
ObserverKult

Lexo edhe:






