
Nga Blerim Valla
Përurimi i librit “Genius Loci i Prishtinës” në Gjakovë u organizua si një ngjarje e veçantë kulturore dhe akademike, duke mbledhur arkitektë, intelektualë, studentë dhe dashamirës të librit e trashëgimisë kulturore.
Në këtë promovim në Gjakovë organizuar nga Shoqata e Intelektualëve “Jakova”, ngjarja shërbeu si një platformë për të diskutuar jo vetëm për Prishtinën, por edhe për fenomenet socio-urbane që prekin qytetet e tjera historike të Kosovës, përfshirë edhe Gjakovën.
Pjesëmarrësit e shumtë dhe paneli që referuan vlerësuan kontributin e prof. Xhelal Llonçarit në dokumentimin e asaj që përbën “shpirtin e qytetit”, duke nxitur një debat mbi rëndësinë e ruajtjes së identitetit arkitektonik përballë ndërtimeve moderne dhe tranzicionit të shpejt.
Duke qenë se shumë studentë nga Gjakova kanë studiuar dhe studiojnë arkitekturën në Universitetin e Prishtinës, promovimi pati një interesim të madh nga gjeneratat e reja që e shohin këtë libër si një tekst të rëndësishëm studimor. Sidomos për Gjakovën e pasur me arkitekturë lokale të vjetër por edhe të re si veçanti e historisë dhe kulturës lokale, të cilat përkojnë pikërisht me trajtimin e koncepteve të identitetit urban dhe shpirtit të vendit (Genius Loci) në librin e prof. Xh. Llonçarit.
Përurimi i librit “Genius Loci i Prishtinës” në Gjakovë mblodhi një panel të rëndësishëm intelektualësh dhe profesorësh. Diskutimet dhe vlerësimet e folësve kryesorë u fokusuan në shumë këndvështrime:
Kështu prof.dr.Ruzhdi Sefa kryetar i Sh I “Jakova” në cilësinë e organizatorit theksoi se nuk ështe vetëm një promovim libri, por një bashkëbisedim për qytetin, arkitekturën dhe kaosin urban që po mbretëron në Kosovë.
Prof. Sefa kujtoi se ky promovim po mbahet edhe si një lloj homazhi – përkujtimi në 26- vjetorin e vrasjes së arkitektit të njohur prishtinas, Rexhep Lucit.
Profesor Sefa e vlerësoi librin kryesisht nga këndvështrimi akademik, historik dhe pedagogjik. Ai theksoi se ky punim vjen si një dokumentar i çmuar që pasuron literaturën e pakët profesionale në gjuhën shqipe për urbanizmin.
Arkitektja Arta Jonuzi-Cana, asistente e prof. Xh. Llonçarit, nga pozicioni i arkitektes dhe trajtimit praktik të hapësirës, u fokusua te aspekti socio-urban dhe tranzicioni i vështirë nëpër të cilin kanë kaluar qytetet e Kosovës pas luftës. Ajo vuri në dukje se libri analizon me guxim profesional degradimin e hapësirave publike dhe sfidat e arqitekturës bashkëkohore, duke shërbyer si një thirrje për zgjimin e vetëdijes institucionale ndaj trashëgimisë sonë urbane.
Ndërsa Astrit Salihu (Recensenti i librit) ka vlerësuar për zbërthimin filozofik dhe konceptual të nocionit “Genius Loci” (shpirti i vendit). Ai shpjegoi se si autori ka arritur të ndërlidhë dimensionin hapësinor me atë shpirtëror të Prishtinës. Salihu potencoi se libri nuk është thjesht një analizë teknike ndërtimesh, por një studim mbi identitetin dhe mënyrën se si njerëzit e përjetojnë dhe e jetësojnë hapësirën ku banojnë.
Ndërsa në fund autori i librit, arkitekti Xhelal Llonçari në përmbyllje të promovimit, shprehu mirënjohjen e tij për mikpritjen në Gjakovë dhe ndau mesazhin kryesor që e shtyu të shkruante këtë libër:
Ai u shpreh se libri lindi si një detyrim moral dhe profesional për të dokumentuar transformimet e vrullshme nëpër të cilat kaloi kryeqyteti.
Xh. Llonçari tërhoqi vëmendjen se modernizimi dhe dëshira për zhvillim nuk duhet të bëhen kurrsesi në kurriz të historisë dhe të “shpirtit” unik që ka secili qytet.
Ai porositi arkitektët e rinj dhe studentët që të jenë mbrojtësit e hapësirës publike dhe të projektojnë me ndjeshmëri ndaj kontekstit kulturor, duke ruajtur ekuilibrin mes të vjetrës dhe të resë.
Në promovimin e librit të prof. Xhelal Llonçarit nga organizatori Shoqata e Intelektualëve “Jakova”, nga recensentë të librit, nga shumë të arkitektë të pranishëm dhe përfaqësues të shoqatave të arkitektëve, mesazhi kryesor që u përcoll nga referuesit në këtë promovim u fokusua në disa pika. Referuesit e kanë çmuar veprën si një udhërrëfyes të domosdoshëm për studentët e arkitekturës dhe urbanizmit, duke mbushur një zbrazëti të madhe në literaturën mbi historinë urbane të Kosovës.
Thirrja për ruajtjen e “Shpirtit të Vendit” (Genius Loci) nga të gjithë folësit u theksuan se qytetet si Prishtina dhe Gjakova po e humbin identitetin e tyre unik për shkak të ndërtimit të egër apo të pakontrolluar. Ata bënë thirrje që zhvillimi modern të mos e zhbëjë trashëgiminë kolektive.
Si dhe u vlerësua puna e profesorit Xh. Llonçari për të lënë një dëshmi të shkruar mbi transformimet socio-urbane të tranzicionit, duke shërbyer si alarm profesional për institucionet e planifikimit urban.
Përndryshe Xhelal Llonçari është arkitekt, profesor universitar dhe publicist i njohur nga Prishtina. Është autor i librit “Genius Loci i Prishtinës” i cili trajton identitetin, vlerat dhe trashëgiminë arkitekturore të kryeqytetit. Libri trajton konceptin e “Genius Loci” (shpirti i vendit) të Prishtinës dhe zbërthen shtresat historike, ndryshimet urbanistike pas shkatërrimeve të luftës dhe tranzicionit social që ndodhi në Kosovën e pasluftës. Prof. Xh. Llonçari sjell një opinion me vlerë të jashtëzakonshme për arqitekturën si profesion dhe mision në udhëkryqin social.
Libri “Genius Loci i Prishtinës” i autorit dhe arkitektit Xhelal Llonçari është një studim dhe reflektim i thellë mbi arqitekturën, urbanizmin dhe shpirtin identitar të kryeqytetit të Kosovës.
“Genius Loci” është një koncept që rrjedh nga latinishtja dhe nënkupton “shpirtin e vendit”. Autori e përdor këtë premisë për të zbërthyer identitetin e Prishtinës përmes shtresave të saj historike dhe hapësinore – urbanistike.
Analizon sfidat aktuale me të cilat përballet Prishtina sot (dhe jo vetëm por të gjitha qytetet e Kosovës) duke ofruar një këndvështrim profesional mbi menaxhimin e hapësirave publike dhe arkitekturës bashkëkohore.
Sipas autorit ky libër synon të pasurojë bibliotekat vendore duke shërbyer si një udhërrëfyes për studentët dhe profesionistët e rinj që duan të kuptojnë lidhjen midis historisë, kulturës dhe ndërtimit të një qyteti.
ObserverKult




Lexo edhe:






