reklamë

E kujtojmë Çerçiz Topullin, atdhetarin dhe veprimtarin e Rilindjes Kombëtare

Më 20 shtator 1880, lindi në Gjirokastër atdhetari dhe veprimtari i Rilindjes Kombëtare, Çerçiz Topulli.

Mjedisi familjar ku u rrit, sidomos modeli i vëllait të tij më të madh, Bajo Topulli, ndikuan në formimin e tij si atdhetar.

Në vitin 1907, Çerçizi mori drejtimin e çetës së armatosur, që vepronte në Shqipërinë e Jugut, duke u bërë një nga figurat e spikatura të kësaj lëvizjeje luftëtarësh. Ai u përfshi në organizimin e rezistencës me armë kundër pushtuesit dhe në përhapjen e ideve të lëvizjes kombëtare midis shqiptarëve.

Në këtë periudhë, një ngjarje e rëndësishme ishte beteja e Mashkullorës më 18 mars 1908, e cila e bëri emrin e tij të njohur në mbarë vendin.

Fitorja e Revolucionit Xhonturk të vitit 1908 e gjeti Çerçiz Topullin të angazhuar në formimin e klubeve kombëtare shqiptare dhe në përpjekjet për çeljen e shkollave shqipe në viset e ndryshme të vendit.

Me Shpalljen e Pavarësisë, më 28 nëntor 1912, ai u vu në shërbim të Qeverisë së Përkohshme të Vlorës dhe u angazhua në mbrojtjen e tërësisë territoriale të vendit.

Rruga e jetës së tij u ndërpre në korrik 1915, kur u vra pabesisht nga forcat malazeze në Fushën e Shtoit, në Shkodër. Në vitin 1937, eshtrat e Çerçiz Topullit u sollën në Gjirokastër, ku u rivarrosën me nderime./atsh

ObserverKult


Lexo edhe:

Nënë Tereza në 30 fotografi, çelet ekspozita me momente të rralla nga jeta e saj