
Nga Mërgim Bekteshi
Në tri ditët e organizimit të Shoqatës së Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club”, me rastin e edicionit të 34-të të Kalimerës Poetike “Basri Çapriqi” në Ulqin, qyteti dukej se kishte marrë një trajtë të veçantë kulturore. Veprimtaritë u organizuan në nderim të shkrimtarëve dhe intelektualëve të shquar, ndër ta Akademik Rexhep Qosja, profesoresha Anila Mula dhe shkrimtari Gëzim Aliu.
Por Ulqini, duke mos e parë vetëm përmes këtyre tri ditëve festive, dëshmon se kultura në këtë qytet të lashtë nuk është një ngjarje e rastit. Ky vend gjallëron vazhdimisht me organizime kulturore dhe artistike. Sheshazi dukej edhe fryma e organizimit të shqiptarëve gjithandej ku ata jetojnë në Mal të Zi, duke pasur parasysh se rrugët e kësaj treve janë afruar gjithnjë e më shumë me Shkodrën, Tiranën e Prishtinën.
Shumë shqiptarë të kësaj ane, të mbetur brenda kufijve të Republikës së Malit të Zi, kanë dhënë një kontribut të madh në çështjen shqiptare. Ndër ta do të veçoja Esad Mekulin, Rexhep Qosjen dhe Basri Çapriqin, tanimë të tre të ndjerë.
Historiku i këtyre personaliteteve ka një zanafillë dhe një vazhdimësi që kanë lënë gjurmë të pashlyeshme kulturore e kombëtare. Më kujtohet Esad Mekuli, poet i shquar i kohës, dhe poezitë e tij që ende më rrinë para syve, poezi që shpërfaqnin realitetin e hidhur shqiptar të asaj kohe. Ishte një kohë e mjerë, kur shqiptari endej rrugëve të qendrave të mëdha jugosllave për të fituar një copë bukë, në mungesë të mundësive të barabarta arsimore. Shkollat shqipe ishin të pakta, ndërsa universiteti shqiptar në Prishtinë ende ishte larg për të parë dritën e gjelbër.
Duke u kthyer te mikpritja dhe bujaria ulqinake, e udhëhequr nga “Art Club”, klub që mban emrin e poetit dhe profesorit universitar të Universitetit të Prishtinës, Basri Çapriqit, m’u kujtua, përmes nostalgjisë e dhimbjes njëherësh, edhe një pjesë tjetër e historisë sonë. M’u kujtua besnikëria e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe rezistenca e pashoqe për të mos e dorëzuar Ulqinin dhe trevat e tjera shqiptare që, pas pazareve të Fuqive të Mëdha në Kongresin e Berlinit, rrezikonin të shkëputeshin nga trojet shqiptare.
Në Kala
Posa shkela me këmbë në Kalanë e Ulqinit, m’u kujtuan rrëfimet për korsarët dhe historitë e tjera që lidhen me këtë qytet. Më erdhi ndër mend edhe një këngë popullore folklorike, “Të ejten mbrama n’dy sahati”, me vargun:
T’ejten mbrama n’dy sahati, Haxhi Pasha e hoq nizamin…
Kjo këngë lidhet me kujtesën popullore për rezistencën shqiptare ulqinake e shkodrane në kohën e përpjekjeve për mbrojtjen e Ulqinit.
Në këtë histori Porta e Lartë osmane, përballë presionit evropian dhe rus, mori vendime që çuan edhe në përplasjen me vetë rezistencën shqiptare. Shqiptarët e asaj kohe gjendeshin në një pozitë të vështirë: përballë vendimeve të fuqive të mëdha, interesave të Perandorisë Osmane dhe përpjekjeve të shteteve fqinje për zgjerim territorial.
Derisa ngjiteshim shkallëve së bashku me Ismetin Kallabën, kryetarin e “Art Club”-it, që mban gjallë frymën shqiptare të kulturës, dhe me shkrimtarin Gëzim Aliun, përballë nesh shfaqej kultura arkitektonike e themeleve të lashtësisë, nga shtresat e hershme ilire deri në ditët e sotme të restaurimeve.
Kjo themelësi e kështjellës, e rrahur ndër shekuj nga ujërat e Adriatikut, më kujtonte rrëfimet që kisha dëgjuar që fëmijë. Ndërsa ngjitesha shkallëve, sikur dëgjoja vërgëllimën e shpatave përgjatë historisë, shpatave që ishin ngritur për ta mbrojtur këtë bukuri të bregdetit.
Diçka të tillë e ndjeje edhe në ajër: një dashuri të veçantë për tokën, të lidhur me origjinën dhe kujtesën e njerëzve. Por, në të njëjtën kohë, të kujtohej se Fuqitë e Mëdha shpesh kishin bërë të tyren mbi fatin e popujve të vegjël.
Këtu më vjen ndër mend edhe Thomas Hobbes-i, kur thotë: “Kufijtë e së drejtës i vendos forca”. Dhe forca e kësaj qëndrese shqiptare u vu përballë fuqive nga të gjitha anët: atyre evropiane, ruse, sllave dhe, në fund, edhe vetë strukturave osmane, ndaj të cilave shqiptarët kishin kërkesa e interesa të tyre.
Gurë mbi gurë, histori mbi histori
Në gjurmët e Kalasë së Ulqinit dhe godinave përreth saj gjendet një varg monumentesh interesante. Çdo pushues që vjen këtu nuk duhet të shijojë vetëm ujin dhe diellin e kësaj hapësire, por edhe bukuritë artistike e arkitektonike të themeluara shekuj më parë.
Ato qëndrojnë si dëshmi të fuqishme të një historie ku kultura të ndryshme janë përplasur, ndërthurur dhe mbivendosur.
Aty ndeshesh me muret ciklopike; pastaj me murin mbi mur, me shtresat e njëra-tjetrës, me fortifikimet që të kujtojnë karakterin ushtarak të qytetit. Më poshtë shtrihej pjesa civile, aty ku zhvillohej jeta e përditshme.
Është edhe Kulla e Balshajve, e lidhur me një familje tejet interesante të historisë mesjetare shqiptare dhe ballkanike, e cila ka lënë gjurmë edhe në letërsinë e Ismail Kadaresë.
Tutje është Sheshi i Robërve. Ismeti na tregon për historinë e robërve dhe skllevërve që lidhet me këtë hapësirë dhe me rrethanat ushtarake e tregtare të kohës. Këto histori janë pjesë e shtresave të ndërlikuara të së kaluarës së Ulqinit dhe duhen parë brenda kontekstit historik të Mesdheut të asaj kohe.
Brenda Kalasë vërehen edhe gjurmët veneciane, por edhe ato osmane. Shtëpitë e vjetra ende qëndrojnë, disa prej tyre të banuara, ndërsa një pjesë janë restauruar ose janë kthyer në hapësira për vizitorë.
Shabbetai Zevi dhe kujtesa e një figure të pazakontë
Në këtë hapësirë të historive të shumta shfaqet edhe Shabbetai Zevi, figurë e shekullit XVII e lidhur me Ulqinin dhe periudhën osmane. Skulptura e tij ende qëndron në këmbë, me një shtresë të hollë myshku që e kishte mbërthyer. Ky personalitet i jashtëzakonshëm i kohës, i cili e shpalli veten Mesia dhe që përfundoi jetën në Ulqin, sot është kthyer edhe në një pjesë të peizazhit memorial të qytetit.
Duket sikur një njeri që dikur pretendonte një mision universal ka mbetur, shekuj më vonë, si një skulpturë në një cep të këtij qyteti ku janë kryqëzuar kaq shumë histori.
Servantesi dhe legjenda e Ulqinit
Pastaj është Don Miguel de Servantesi, me skulpturën e tij moderne. Edhe për të thuhet se kishte qëndruar apo ishte endur nëpër këto anë dhe se këtu mund të ketë lindur ndonjë ide që më vonë do të merrte jetë në veprën e tij të madhe, Don Kishoti i Mançës.
Por edhe kjo duhet marrë me një masë kujdesi, sepse lidhja e drejtpërdrejtë e Servantesit me Ulqinin është më shumë pjesë e traditës dhe rrëfimit lokal sesa një fakt historik i dokumentuar pa mëdyshje.
Megjithatë, ndoshta pikërisht kjo e bën Ulqinin edhe më të veçantë: ky vend duket sikur ka qenë gjithmonë skenë e ndodhive, udhëtarëve, tregtarëve, luftëtarëve dhe çudirave.
Kishë, xhami dhe shtresa të pushteteve
Muzeu, kisha dhe xhamia janë dëshmi të tjera të historisë së ndërlikuar të qytetit. Gjatë shekujve, ndërtesat dhe hapësirat e shenjta kanë ndryshuar funksion dhe përdorim sipas pushteteve që kanë kaluar nëpër qytet. Një periudhë ndërtonte mbi tjetrën, një pushtet përshtaste hapësirat ekzistuese sipas nevojave të veta.
Kështu, në një hapësirë relativisht të vogël mund të lexosh gjurmë të periudhave të ndryshme: të krishtera, veneciane, osmane dhe të kohëve më të vona.
Duke zbritur shkallëve, disa restorante kishin vendosur ulëse për vizitorët. Kishte edhe bujtina ku mund të pushoje gjatë natës dhe, për një çast, të ndjeje veten sikur po jetoje njëherësh në disa periudha të kohës: në atë të lashtësisë ilire, në kohën veneciane dhe në atë osmane. Mbetet pastaj dëshira e secilit vizitor të zgjedhë sipas shijes së vet.
Ulqini që nuk harrohet
Kah perëndimi i diellit, dallgët rrihnin shkëmbinjtë e Kalasë. Vizitorë të ndryshëm ende shiheshin duke hyrë e dalë nga një vend që përmban një pjesë të jashtëzakonshme të historisë së Ballkanit.
Kalaja u ka bërë ballë kohës, luftërave, ndryshimeve të pushteteve dhe edhe tërmeteve që kanë lëkundur gurët e saj. Por disa prej atyre gurëve të lashtë, gurët që mbajnë në vete kujtesën e qytetit, ende qëndrojnë.
Dhe ndoshta kjo është ajo që të prek më shumë në Ulqin: jo vetëm deti, jo vetëm dielli, as vetëm bukuria e qytetit të vjetër, por ndjenja se çdo gur këtu ka një histori për të treguar.
Nga lashtësia Ilire deri te Balshajt, nga Venediku te osmanët, nga korsarët te poetët, nga Shabbetai Zevi te legjenda e Servantesit, nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit te kultura e sotme shqiptare, Ulqini mbetet një qytet ku historia nuk është vetëm në libra.
Historia këtu ecën bashkë me ty.
Ulqin, shtator 2026
ObserverKult








Lexo edhe:






