
Të dhëna të reja për të kaluarën antike të zonës së Tepelenës po dalin në dritë nga gërmimet arkeologjike në Qesarat, ku puna e specialistëve ka nxjerrë në pah gjurmë të një kompleksi me ambiente rezidenciale dhe dy mozaikë që mendohet se datojnë në shekullin II.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ndau në rrjetet sociale pamje nga gërimet arkeologjike që po zhvillohen në Qesarat.
“Vijojnë gërmimet arkeologjike në Qesarat të Tepelenës, në kuadër të projektit “Arkeologji e peizazhit në zonën Memaliaj–Tepelenë dhe rrethinat 2026”, ku po dalin në pah ambiente rezidenciale dhe dy mozaikë pjesërisht të dëmtuar, që mendohet se i përkasin shekullit III.
Po punohet për dokumentimin, pastrimin dhe konservimin e këtyre zbulimeve, të cilat hedhin dritë mbi mënyrën e jetesës dhe historinë e kësaj zone në antikitet”, tha Rama.
Këto zbulime përbëjnë një dëshmi të rëndësishme për zhvillimin e vendbanimit dhe jetën e komuniteteve që kanë banuar në këtë zonë në periudhën antike.
Aktualisht, puna e specialistëve është përqendruar në dokumentimin e strukturave dhe materialeve të zbuluara, si dhe në pastrimin dhe konservimin e mozaikëve, me qëllim ruajtjen e tyre dhe studimin e mëtejshëm.
Procesi do të ndihmojë në përcaktimin më të qartë të funksionit të ambienteve të zbuluara dhe në kuptimin e kontekstit arkeologjik në të cilin ato janë ndërtuar.
Gërmimet në Qesarat janë pjesë e përpjekjeve për të dokumentuar dhe nxjerrë në pah trashëgiminë arkeologjike të zonës Memaliaj–Tepelenë, një territor me potencial të rëndësishëm historik dhe kulturor.
Çdo zbulim i ri i ardhur nga puna në terren plotëson mozaikun e njohurive mbi të kaluarën e kësaj treve dhe krijon mundësi për kërkime të mëtejshme shkencore dhe promovimin e saj si destinacion me vlera të trashëgimisë kulturore./atsh
ObserverKult
Lexo edhe:





