reklamë

“Shfaqja që shkon keq” shkakton të qeshura

Duke e shikuar shfaqjen “Shfaqja që shkon keq” , premierë e Teatrit “Avdush Hasani” Podujevë


Nga: Agron Gërguri

Tipologjia e tekstit “Shfaqja që shkon keq”, e autorëve: Henry Lewis, Jonathan Sayer dhe Henry Shields jep një mundësi që të duket ajo që ndodhë prapa kulisave të teatrit një lloj teatri në teatër me komplikime, keqkuptime, ngatërresa, mungesë kompetence, hyrje- dalje në rol, (keq)përdorimi i rekuizitave, pëshpëritje dhe përsëritje të tekstit të gjitha këto bëhen shtylla të rrëfimit, me theksim të veprimeve fizike duke dëftuar kështu procesin e të bërit shfaqje ku amatorizmi pretendon të manifestohet si profesonalizëm. Këtë materie teatrore e kishte trajtuar regjisori i shfaqjes Bashkim Ramadani i cili, shquhet me një pastërti të organizimit dhe estetikë të mizanskenës, e kishte zgjedhur që shfaqjen ta shtroj dhe zhvilloj si parodizim të situatave dramatike ngërthyer me groteskë, imitim dhe përsëritje që funksiononin si  nënkuptime që bëheshin kuptime përplotë skena e akcente që shkaktonin ilaritet.

Në formulimin e shfaqjes rol të rëndësishëm, në mos primar, kishte skenografia e Artan Hasanit  për faktin se ishte pjesë organike e lojës. Pjesët e dekorit dhe skenografisë, që shpërbëheshin e bëheshin, në njëfarë mënyre luanin bashkë me aktorët duke ndihmuar plasimin e idesë së shfaqjes dhe formulimin e personazheve si karaktere të dyzuara midis personazhit dhe aktrimit.  Gjithçka lëvizte shpërbëhej e bëhej me një saktësi dhe estetikë ashtu që fotografia e shfaqjes dukej e pastër pavarësisht se shfaqja kishte idenë që duke folur për derën të na e paraqes dritaren.

Aktorët e angazhuar në shfaqje  ishin harmonik në lojë, kishin tipizuar karakteret sado që dukej një uniformitet në interpretim. Jo vetëm për sharmin por edhe për tipizimin e personazheve që kishin realizuar spikatën sidomos Ryvë Kajtazi,  Sindi Çitaku dhe Drin Berisha por edhe djersa skenike e Besart Zenelit, Muhamet Zekës, Gani Morinës e Arbit Zymerit që u dhanë personazheve dëshmonte për angazhim të përkushtuar në ndërtimin e roleve. Thuaja të gjithë patën përfshirje maksimal në formulimin e situatave skenike duke shkaktuar qeshje relaksuese tek spektatorët të cilët i shpërblyen me duartrokitje të gjata.
Edhe përbërsit tjerë të shfaqjes sidomos kostumet e Njomëza Lucit ishin realizuar bukur dhe ndihmonin deshifrimin e karaktereve të personazheve po aq sa edhe dizajnimi i dritave nga mjeshtri Skender Latifi.
Në shfaqje u vërejt edhe angazhimi i mjeshtrit të ndriçimit Jeton Berisha dhe puntorit të skenës Arton Mustafa.
Shfaqja do të reprizohet dhe meriton të shikohet!

ObserverKult

————-

Lexo edhe:

Agron Gërguri: Takim me Shekspirin