reklamë

Arjola Kondakçiu: Përshtypje mes librave dhe nxënësve në Theth

Nga Arjola Kondakçiu

Nismën vullnetare për “Zgjerimin e bibliotekave nëpër shkolla”, tashmë të 13 në radhë, vendosa që këtë muaj të bukur tetori dedikuar librit dhe letërsisë, ta realizoj në një tjetër skaj të largët të Shqipërisë, e pikërisht te shkolla 9-të vjeçare në Theth, “Shkolla Theth”, nga ku një pjesë e librave do të shkonin edhe për shkollën e bashkuar “Mehmet Shpendi” në Breglum, njësia administrative Shalë-Shkodër.

E nxitur nga përvoja e mikes sime Nordana Hasa, e cila që prej 3 vitesh punon si mësuese aty, por për shkak të largësisë nga vendbanimi në Shkodër i duhet të kthehet vetëm për fundjavë pranë familjes dhe pjesën më të madhe të kohës t’ia kushtojë dashurisë për punën atje, u motivova që të jap edhe unë një pjesë shpirti, nga të shkruarit si autore por edhe nga dhurimet e librave nëpërmjet projektit të përzemërt që kisha nisur prej 4 vitesh, dhe u nisa që nga Durrësi me copëza mendimesh për përshtatjen e bisedave me nxënësit, por edhe me kuriozitetin sesi do të reagonin nga afër ndaj kësaj vizite të veçantë.

Ishte për t’u vlerësuar mikpritja modeste por e ngrohtë e mikeshës sime, poetes dhe mësueses Nordana Hasa, e cila më hapi derën e shtëpisë për atë natë, pasi na duhej që të nesërmen të niseshim nga Shkodra që në orën 5.30 minuta të mëngjesit të hershëm, për të shkuar te shkolla në Theth.
Rrugën e bëmë me dy prej fëmijëve të saj dhe mësuesin e edukimit fizik Armando Rama, me të cilët ndamë biseda ndërtuese përsa i përket fushës arsimore, ku vërtet që ishte një sakrificë vetmohuese ai profesion në ato zona aq të thella dhe me një kosto të lartë në kohë e pjesë ekonomike, por edhe motivues teksa imagjinonin nxënësit që mezi prisnin mësuesit e tyre, apo ekuilibrimin që i bënin gjithë ngarkesës mes shijimit të bukurive natyrore përgjatë rrugës.

Kështu si pakuptuar e sfiduam disi edhe të ftohtin dhe 2 orët e udhëtimit kaluan këndshëm derisa arritëm në Theth, aty ku qielli përqafonte tokën mes shigjetime rrezesh të lehta dhe të mrekullonte me bukurinë e tejskajshme në çdo stinë, pikërisht aty ku përveç turistëve që vinin dhe iknin, gjallërinë ia shtonin dhe fëmijët, që edhe pse të paktë në numër e donin dijen dhe e përshtatnin gumëzhitjen në oborrin e shkollës ashtu si të gjithë nxënësit, pa bërë dallime në qytet, fshat apo zona më të thella.

Dhe këtë unë e ndieva menjëherë sapo shkova atje. Madje më ka mbetur në mendje që të parët nxënës që takova në hyrje ishin dy fëmijë motër e vëlla, të cilëve u përçohej zgjuarsia që në sytë që u shndrisnin në prezencën korrekte me orarin, por edhe për faktin që mezi po shkëputeshin me ledhatime nga qeni i tyre, që si besnik që ishte, do vazhdonte ti priste te oborri i shkollës derisa ata të mbaronin mësimin.
Kështu, bashkë me mësuese Nordanën dhe më pas duke na u bashkua në aktivitet edhe drejtori z. Agustin Nika Vuksani, i cili menaxhonte 11 shkolla në zonën e Dukagjinit, arritëm që të realizonim një bisedë spontane me nxënësit, mes prezantime librash, interpretime poezish dhe lexime nga vetë ata, pyetjet e çiltra fëminore që kurrë nuk mungonin, apo edhe dëshirat që kishin rreth zgjedhjes së një profesioni të mëvonshëm, nga ku i vumë theksin që shkolla, edhe pse në ato rrethana disi kufizuese për ata, përsëri mbetej baza për një drejtim në të ardhmen.

Por duke mos u shpërqendruar nga qëllimi i nismës për të cilin kisha shkuar te shkolla në Theth, atë të dhurimit të librave ku dorëzova
30 libra gjithsej; përzemërsisht 20 libra nga biblioteka ime e fëmijërisë (personazhe të të cilëve i diskutova edhe me preferencat e nxënësve), dhe 10 libra të tjerë nga shkrimtarët që përkrahën me shumë dëshirë këtë iniciativë humane, të cilët padiskutim dua ti falënderoj dyfish edhe në emër të nxënësve, sepse bëhen kuptueshmëri e fëmijëve nëpërmjet formës letrare.
Ata janë: Lulzim Hajdari, Bekim Kelmendi, Mirela Duka Xoxi dhe Dinë Halilaj, të cilëve u uroj suksese edhe në botimin e librave të tjerë për fëmijë!

Gjithashtu dëshiroj që përtej këtij filli përshkrues, prekja e librave nga afër, shfletimi dhe njohja me autorë që kanë depërtuar në botën e fëmijëve të shërbejë si një nxitje për ata nxënës në këto dy shkolla, sepse nga përvoja ime e di që talentet gjenden edhe në zonat më të largëta, aty ku u frymon dëshira për të lexuar, shkruar e krijuar, dhe takime të tilla lënë gjurmë e ndezin shkëndijëza.

Nga ana tjetër, duke marrë një kënaqësi nga përgatitja e mirë e nxënësve falë punës me durim, përkushtim e dashuri nga mësuese Nordana në këtë rast, por edhe të tjerë në shkollat përkatëse në atë zonë, e vlerësova shumë edhe një “Certifikatë Mirënjohjeje” të miratuar nga drejtori z. Agustin, që m’u dorëzua me buzëqeshje dhe përqafime nga Kristina e vogël (e vetmja nxënëse femër), në të cilën shkruhej: “Në shenjë mirënjohjeje për angazhimin e çmuar dhe kontributin vullnetar në projektin për zgjerimin e bibliotekave nëpër shkolla duke promovuar leximin, dijen dhe kulturën te brezat e rinj”.

Tashmë që po përfundoj këtë shkrim dhe e kam përbri tavolinës atë Certifikatë, ndihem në paqe brenda vetes për sakrificën e bërë dhe shijen e mirë e të zgjatur njerëzore dhe letrare që mora nga të gjithë ato grupmosha që e duan mikun e tyre, librin.

ObserverKult


Lexo edhe: