reklamë

Poetë nga e gjithë bota mblidhen në Tetovë për edicionin jubilar të 30-të të “Ditëve të Naimit”

Tetovë, 15–18 tetor 2026 – Festivali Ndërkombëtar i Poezisë “Ditët e Naimit” do të mbledhë në Tetovë poetë dhe krijues nga vende të ndryshme të botës, në kuadër të edicionit jubilar të 30-të, i cili këtë vit shënon edhe 180-vjetorin e lindjes së poetit të madh të Rilindjes Kombëtare, Naim Frashëri.

Në mesin e pjesëmarrësve të këtij edicioni janë emra të njohur të poezisë dhe letërsisë ndërkombëtare, si Ion Deaconescu nga Rumania, Eli Rosa Zamora nga Venezuela/SHBA, Giuseppe Napolitano nga Italia, Pierre Ech-Ardour nga Franca, Angela Valenti Durazzo nga Monako, Vanesa Fens nga Meksika dhe Brunhilde Román Ibáñez nga Spanja.

Festivalit do t’i bashkohen gjithashtu poetë nga Turqia, Bullgaria, Kroacia, Shqipëria, Kosova, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut, duke e shndërruar Tetovën në një pikëtakim të krijuesve nga kultura dhe tradita të ndryshme letrare.

Ndër pjesëmarrësit janë Sevgi Suçin dhe Mehmet Hakkı Suçin nga Turqia, Teodora Sukareva dhe Dan Gheorghe nga Bullgaria dhe Rumania, Anxhelka Korçulaniq nga Kroacia, Flutura Açka dhe Arjan Kallço nga Shqipëria, Donika Dabishevci dhe Ndue Ukaj nga Kosova, si dhe Haxhi Shabani nga Mali i Zi.

Nga Maqedonia e Veriut do të marrin pjesë Puntorie Muça Ziba, Dragana Evtimova, Ana Pejçinova dhe Remzi Salihu, të cilët do t’i bashkohen këtij takimi poetik ndërkombëtar.

Laureat i Çmimit të Madh Letrar “Naim Frashëri” për edicionin jubilar është poeti dhe akademiku rumun Ion Deaconescu, i cili do të nderohet në kuadër të veprimtarive të festivalit.

Programi katërditor, nga 15 deri më 18 tetor, përfshin orë letrare, promovime librash, veprimtari shkencore dhe aktivitete kulturore në hapësira të ndryshme të Tetovës. Ndër pikat kryesore janë ora letrare “Globi poetik”, tribuna shkencore kushtuar tri dekadave të festivalit në poezinë botërore, ora letrare “Poetë dhe vargje” në Teqenë Arabati Baba, si dhe “Meridianet e Poezisë”, ku do të ndahen çmime të tjera letrare.

Pjesë e edicionit jubilar është edhe Antologjia e Festivalit, e përgatitur dhe redaktuar nga Shaip Emërllahu, e cila sjell një tjetër dëshmi të bashkëpunimit dhe shkëmbimit letrar ndërkombëtar.

Me tri dekada veprimtari, “Ditët e Naimit” vazhdon të krijojë ura komunikimi mes poetëve dhe kulturave të ndryshme, duke promovuar poezinë shqiptare dhe botërore dhe duke afirmuar Tetovën si një qendër të rëndësishme të takimeve letrare ndërkombëtare.

ObserverKult