
Ekspozita “Gjon Mili. Retrospektivë” vijon të jetë e hapur për publikun në Muzeun Kombëtar të Fotografisë “Marubi”.
Ekspozita sjell në vëmendje krijimtarinë e fotografit shqiptaro-amerikan që revolucionarizoi fotografinë e lëvizjes si edhe dha një kontribut te madh në ndërthurjen e artit me shkencën.
Përmes eksperimenteve me dritën, lëvizjen dhe fotografinë, Gjon Mili sfidoi mënyrën tradicionale të perceptimit të imazhit, duke arritur të fiksojë në fotografi çaste që zgjasin vetëm fraksione sekonde.
Një vend të veçantë në krijimtarinë e tij zënë fotografitë sportive, ku lëvizjet e atletëve, kërcimet spektakolare dhe energjia e trupit në lëvizje shndërrohen në kompozime artistike. Këto imazhe dëshmojnë aftësinë e fotografisë për të kapur detaje të padukshme për syrin e lirë dhe për ta kthyer lëvizjen në një formë shprehjeje vizuale.
Përmes kësaj retrospektive, publiku ka mundësinë të njohë më nga afër universin krijues të Gjon Milit dhe mënyrën se si ai e shndërroi fotografinë në një hapësirë eksperimentimi mes teknologjisë dhe artit.
Ekspozita është e hapur çdo ditë, nga ora 09:00 deri në 19:00, në Muzeun Kombëtar të Fotografisë “Marubi”./atsh
ObserverKult




Lexo edhe:
Rexhep Qosja, portreti i tij përmes ditarit “Dëshmitar në kohë historike I-IX (1966-2008)”






