
Filmi dokumentar “SARA”, me regji të Burim Halitit, është përzgjedhur në programin zyrtar të edicionit të 44-t të Festivalit Ndërkombëtar “SPORT MOVIES & TV 2026”, që po mbahet në Milano të Italisë, nga 30 tetori deri më 2 nëntor. Dokumentari kosovar është në mesin e 120 veprave të përzgjedhura nga gjithsej 912 aplikime ndërkombëtare.
Filmi “SARA”, me regji të Burim Halitit, producente Ganimete Savën dhe prodhim të kompanisë “Art Without Limit”, ka shënuar një tjetër prezantim të kinematografisë kosovare në arenën ndërkombëtare.
Dokumentari është përfshirë në seleksionimin zyrtar të festivalit “SPORT MOVIES & TV 2026”, një ngjarje që bashkon krijimtarinë audiovizuale me sportin dhe promovimin e vlerave të tij kulturore e shoqërore.
Shfaqja e filmit ishte planifikuar për 30 tetor, në orën 12:30, në kinemanë “Cinema Centrale – Sala 2”, në Milano.
Sipas organizatorëve, konkurrenca për edicionin e sivjetmë ka qenë e konsiderueshme. Nga 912 aplikime të pranuara, vetëm 120 vepra janë përzgjedhur për programin zyrtar të festivalit.
Festivali organizohet nga Federata Ndërkombëtare e Kinemasë dhe Televizionit Sportiv (FICTS) dhe shënon finalen e rrjetit ndërkombëtar “World FICTS Challenge”, i cili përfshin 27 festivale të organizuara në pesë kontinente.
Në procesin e paraqitjes së dokumentarit për shqyrtim ka kontribuuar edhe Komiteti Olimpik i Kosovës, ndërsa vendimi për përfshirjen e tij në seleksionimin zyrtar është marrë nga organizatorët e festivalit.
“SPORT MOVIES & TV” është një ngjarje e njohur nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar dhe synon të promovojë filma e prodhime televizive që trajtojnë sportin, historitë njerëzore dhe ndikimin e tij në shoqëri.
Aktivitetet dhe shfaqjet e festivalit zhvillohen në disa hapësira kulturore të Milanos, ndërsa edicioni i 44-t do të përmbyllet më 2 nëntor me ceremoninë e ndarjes së çmimeve në Auditorium Testori, në kompleksin “Palazzo Lombardia”.
Përzgjedhja e dokumentarit “SARA” në mesin e 120 veprave pjesëmarrëse përfaqëson një mundësi të rëndësishme për promovimin e kinematografisë kosovare dhe prezantimin e krijuesve vendorë para publikut dhe profesionistëve ndërkombëtarë të industrisë audiovizuale.
ObserverKult
Lexo edhe:
Në 28-vjetorin e ndarjes nga jeta, Akademia e Shkencave përkujton arkeologun e shquar, Hasan Ceka






