reklamë

RILEXIMI I ABSURDIT: GJEOMETRIA E ABSURDIT KAFKIAN PËRTEJ ALGJEBRËS SË ESMERALDËS

Esmeralda Shpata

Nga Reshida Çoba

Prozën e Esmeraldës Shpata e kam lexuar prej kohësh dhe disa herë kam menduar se një ditë do të shkruaja gjerësisht për të. Ai çast shtyhej gjithmonë, derisa tregimi “Qetësi” erdhi në një nga ato momente kur lexuesi nuk gjendet më vetëm përballë tekstit, por brenda tij.

Fjalia e parë e tregimit “Qetësi” — “isha fshehur në cepin më të qetë të qenies sime” – mbeti si një perimetër rreth mendimeve të mia.

Ajo që të bën përshtypje që në takimin e parë me këtë prozë është raporti i veçantë që autorja ndërton me absurdin, duke asgjësuar çdo zhurmë rreth vetes. Këtu absurdi nuk është më vetëm një forcë shtypëse e jashtme, por një bashkëpunëtor i fshehtë i vetëdijes.

Tregimi shënon pikërisht çastin kur kjo marrëdhënie merr trajtë studimore. Të shkruash për “asgjësimin e zhurmës” pa u bërë zhurmë vetë është një sipërmarrje sa e vështirë, aq edhe delikate.
Tregimet e Esmeraldës nuk mbështeten te pyetja “çfarë ndodh?”; ato vihen në lëvizje nga një lëkundje minimale e reales, nga një gjendje psikike prej së cilës autorja hap një hapësirë më të gjerë se vetë fabula.

Lexoj: “kanarinat këndojnë me mendje”, “amvisa ecën në ajër pa zhurmë”, “insektet kanë fikur motorët, ecin në këmbë”, “postieri është porositur t’i bjerë ziles pa zhurmë”.

Hyrja në këtë tregim më krijoi ndjesinë se po hyja në një dhomë ku dikush kishte pezulluar kohën. Sa më shumë lexoja nga proza e saj, aq më i pranishëm bëhej tensioni im kritik.

Mendoja se e njihja mirë gjuhën e prozatores — kompleksitetin sintaksor, figurën, ritmin, mënyrën e strukturimit, thyerjet e realitetit të saj. Në mendjen time ishte strehuar prej kohësh edhe një afërsi kafkiane — jo si masë krahasimi, por si kujtesa e parë e atij çasti kompleks kur realiteti çahet dhe e pamundura hyn brenda tij.

KAFKA: NGA RREGULLI I JASHTËM TE KAOSI I BRENDSHËM

Autorja herë i afrohej mendimit kafkian e herë largohej prej tij me një elegancë të padeshifrueshme. Kur largohej, e gjeja ulur me lapsin kafkian të verdhë, duke shkruar pa parë në letër; kur afrohej, me një përqendrim të pazakontë krijonte drejtime të tjera graviteti, ku qendra e peshës zhvendosej nga rregulli i jashtëm te kaosi i brendshëm i personazheve.

Këtu, natyrshëm, shkrova edhe shënimet e mia të para kritike.
Dallimi midis mendimit kafkian dhe Esmeraldës ishte vetë autorja.
Te kjo autore, “absurdi kishte ndërruar adresë”.
Ajo po i krijonte absurdit “temperaturën e njeriut bashkëkohor”.
Do të thosha se në prozën e Esmeraldës lexuesi ndalet përballë një forme të absurdit ekzistencial modern.

Por absurdi i saj shkel edhe në vise të tjera ontologjike.
Sa herë mendojmë mbi absurdin ekzistencial, Kafka mbetet pashmangshëm një pikë referimi dhe orientimi. Megjithatë, një nga metaforat e tij më të njohura nuk është një përkufizim i absurdit, por i fuqisë së letërsisë. Në letrën e tij drejtuar Oskar Pollakut, Kafka shkruante se libri duhet të jetë “sëpata për detin e ngrirë brenda nesh”.

Edhe këtu figura mbetet domethënëse: letërsia duhet të çajë atë që është ngrirë në ndërgjegje.

PROZA POETIKE DHE SURREALIZMI INTIM

Teksa lexoj prozën e Esmeraldës, shpesh e gjej veten edhe në hapësirën e prozës poetike. Shkrimi i saj merr trajtën e një poezie të maskuar, ku secila fjalë fiton peshë metafizike brenda absurdit dhe surrealizmit intim.

Është prozë poetike pa pasur nevojë për stoli të jashtme; poeticiteti i saj lind nga përqendrimi – nga ai çast kur një objekt i vogël, një shqisë apo një lëvizje minimale mbart më shumë kuptim se vetvetja.

Surrealizmi intim te kjo autore nuk shfaqet si arratisje nga realiteti, por si mënyrë për të depërtuar në atë shtresë të qenies ku realizmi i drejtpërdrejtë nuk hyn dot.
Në këtë dritë leximi zbulojnë vlerën e tyre të plotë edhe tregimet

“Me shqisë”, “Peizazh” dhe “Nuk e di”.

“ME SHQISË” DHE “PEIZAZH”

Te tregimi “Me shqisë”, vetë shqisa nuk shërben më vetëm për të kapur botën; ajo shndërrohet në një dritare të vetëdijes që e ridimensionon realitetin.
Të njëjtën frymëmarrje mban edhe tregimi “Peizazh”. Peizazhi te Esmeralda nuk na servir dekor apo pamje të jashtme, por projeksion të vetëdijes. Pasi i zhvesh trajtat materiale, autorja e shndërron natyrën në një hapësirë psikologjike.

“NUK E DI”: EROTIZMI I VETËDIJES

Te “Nuk e di”, erotizmi nuk lind nga prekja, por nga mundësia e saj. Burri i pritur – “Ndukësi” – shfaqet si një figurë që zgjon te gruaja dëshirën për të deshifruar kodin mashkullor të vetëdijes, ndërsa ajo vetë kërkon të lexohet prej tij në të njëjtën mënyrë.

Midis tyre krijohet një realitet shqisor që ekziston kryesisht në mendim: një afërsi e ndërtuar prej “prekjeve të paprekura”. Kur autorja shkruan se krijohet “mundësia jonë për të puthur fjalët çdo natë”, intimiteti zhvendoset nga trupi te gjuha.

Këtu dëshira bëhet vetëdije, jo akt; afërsia bëhet “prekje e paprekur”; fjala bëhet vendi ku realizohet erotizmi.
Kështu, dëshira nuk realizohet plotësisht, por pikërisht në këtë pezullim fiton intensitetin e saj. “Ndukësi” nuk është vetëm burri i dëshiruar; ai bëhet figura që vë në lëvizje një lojë të fshehtë njohjeje mes mashkullores dhe femërores.

Erotizmi mbetet i heshtur, i imagjinuar, por jo më pak real. Dhe pikërisht për këtë nuk humbet peshën ekzistenciale të tregimit.

METAFORA SI LËNDË E VETËDIJES

Në prozën e Esmeraldës, shkrirja metaforike brenda subjektit është e natyrshme dhe e vetëdijshme. Ajo nuk e shpjegon abstrakten; e materializon atë, duke e bërë pothuajse të prekshme.
Kësisoj lind vetvetiu pyetja që më është kthyer disa herë gjatë leximit:

Po lexoj botën, apo ndërgjegjen e personazhit?
Ndryshe nga modeli kafkian, personazhi i Esmeraldës nuk pranon të mbetet thjesht viktimë e absurdit. Kur bota e jashtme nuk ia ofron hapësirën që kërkon, ai përpiqet ta ndërtojë vetë atë.

Te Kafka, absurdi shpesh buron nga një botë e jashtme që e shtyp individin – përmes autoritetit, fajit apo ligjeve të pakuptueshme.
Kafka krijon një botë që burgos njeriun; Esmeralda krijon një njeri që përpiqet të burgosë botën.

Në universin kafkian, individi shpesh gjendet i pasivizuar përballë një absurdi të ftohtë, të huaj dhe imponues. Te Esmeralda, absurdi i afrohet njeriut, kujtesës dhe emocionit të tij; bëhet më intim, më trupor dhe, kur duhet, lirik e erotik.
Gjërat nuk ekzistojnë thjesht sepse janë aty; ato ekzistojnë në mënyrën se si përjetohen.

Personazhet e Esmeraldës nuk kanë vetëm një histori – ato kanë një ankth.

“QETËSI”: ANKTHI, KOHA DHE HESHTJA

Te tregimi “Qetësi”, lexuesi gjendet përballë një personazhi që “qep gojën me një fill të padukshëm, që shllizet nga diafragma”.
Këtu ankthi fiton trup; metafora shndërrohet pothuajse në lëndë materiale.

Pikërisht në këtë fragment Esmeralda shënon një nga trajtat më origjinale të absurdit të saj ekzistencial. Dhe këtu lind pyetja ime kritike: deri ku mund të shtyhen kufijtë e absurdit përmes një ndërtimi kaq të thellë dhe të dendur letrar?
Në këtë tregim gjendet edhe një fragment kyç, ku përballja me absurdin shpërthen në trajtën e vet më të pastër:

“Unë — thotë Alda — kam meritën për asgjësimin e zhurmës së akrepave; i kam fiksuar mbi njëri-tjetrin, gulçojnë së brendshmi pa zhurmë.”
Në këtë akt ekstrem, pa modesti dhe me një ironi të hollë, qëllimi i autores është arritur: kohës i është hequr zëri; i është marrë pushteti.

Esmeralda shpik mohimin e ekzistencës së kohës përmes heshtjes.
Kjo përpjekje e brendshme për të ushtruar kontroll – pothuajse dhunë – mbi mekanizmin e orës krijon një afërsi të natyrshme me universin kafkian.

Te Kafka, subjekti mund të vuajë nga mospërputhja midis kohës së tij të brendshme dhe kohës kronologjike të botës; Esmeralda, në aktin e saj ekstrem, përpiqet ta nënshtrojë vetë kohën e jashtme.
Kjo afërsi nuk qëndron te përdorimi i të njëjtit simbol, por te tensioni ekzistencial që simboli prodhon.

Ora dhe akrepat janë simbole universale të ekzistencës, përdorur nga shumë autorë përgjatë historisë së letërsisë. Asnjë shkrimtar nuk e zotëron si pronësi private një simbol; vlera qëndron te mënyra e veçantë se si ai merr formë brenda një vepre.

PESSOA DHE MIKROKOSMOSI I NDËRGJEGJES

Gjatë leximit, proza e Esmeraldës më ftoi në një dialog të natyrshëm me një tjetër zë të rëndësishëm të modernitetit: Fernando Pessoan.
Ashtu si te Pessoa, ku universi i jashtëm mund të mbyllet brenda një dhome dhe brenda vetëdijes që e përjeton atë, edhe personazhi i Esmeraldës kërkon cepin më të qetë të qenies, duke mënjanuar kaosin e jashtëm për të krijuar hapësirën e vet të brendshme.

Te të dy autorët, dhoma dhe përditshmëria minimale shndërrohen në territor kërkimi: objekti nuk vlen vetëm për atë që është, por edhe për jehonën dhe heshtjen që lë brenda ndërgjegjes.
Afërsia e Esmeraldës me Pessoan bëhet e prekshme pikërisht në mënyrën se si përjetimi i zakonshëm shndërrohet në një gjendje me peshë ekzistenciale.

Mikrodetajet — tik-taku i orës, një laps që gërvisht letrën apo një frymëmarrje – nuk mbarten si ngjarje të jashtme, por si lëndë e vetë ndërgjegjes.
Absurdi nuk mbetet abstrakt; ai afrohet me trupin, me shqisat dhe me poezinë e përjetimit.

Duke e zhvendosur vëmendjen nga rregulli i jashtëm te mikrokosmosi i brendshëm, autorja largohet nga qendra e modelit kafkian dhe i afrohet hapësirës intime të Pessoas, pa u tretur në asnjërën prej tyre.

GJEOMETRIA E KAFKËS DHE ALGJEBRA E ESMERALDËS

Këtu merr kuptim të plotë metafora e titullit të kësaj eseje.
Gjeometria dhe algjebra shfaqen si dy figura të mendimit: gjeometria sugjeron strukturën, kufirin dhe mekanizmin e jashtëm që përcakton lëvizjen e individit; algjebra kërkon të panjohurat dhe marrëdhëniet e fshehura mes variablave të ekuacionit.

Në këtë metaforë kritike, gjeometria kafkiane mund t’i ngjajë një hapësire jo-euklidiane të Lobaçevskit – një hapësirë ku rregullat klasike nuk mjaftojnë më dhe ku vetë struktura largohet nga intuita e zakonshme.
Edhe te Kafka, rendi i njohur humbet sigurinë e vet; simetria e zakonshme nuk mjafton më për ta shpjeguar ekzistencën.

Ndërsa algjebra e Esmeraldës gjen funksionin e vet te ideja historike e al-jabr – restaurimit, rivendosjes, plotësimit të asaj që është thyer ose mungon.

Në këtë kontekst, algjebra e saj bëhet instrumenti që kërkon të afrojë copat e fragmentuara të vetëdijes, duke analizuar marrëdhëniet mes tyre për të kuptuar përse një botë e thyer vazhdon, megjithatë, të kërkojë kuptim.

PËRMBYLLJE: TEMPERATURA E NJERIUT BASHKËKOHOR

Pa dashur të nxitohem — dhe duke marrë parasysh mënyrën se si mund të pranohet ky gjykim nga lexuesi apo kritika në Shqipëri — nuk do ta quaja Esmeraldën thjesht një “emër të ri”, por një prurje dhe frymë të re në prozën tonë bashkëkohore të prirur drejt absurdit ekzistencial.

Ankthi i individit modern nuk është vetëm mundësia për të humbur në një botë tepër të madhe; ai mund të humbasë edhe në një stacion treni, brenda pak sekondave të pritjes.
Përmes kësaj ndjeshmërie, autorja e sjell traditën e absurdit në “temperaturën e njeriut bashkëkohor”.
Përtej çdo gjykimi përfundimtar, kjo prurje dëshmon një pjekuri letrare.

Në fund të këtij udhëtimi kuptojmë se njeriu refuzon të dorëzohet para kaosit, edhe kur labirinti i botës deformon hapësirën.
Dhe pikërisht “Qetësi”, tregimi që më nxiti të hyja në këtë kërkim, shpreh ndoshta më qartë paradoksin e gjithë kësaj proze: personazhi përpiqet ta heshtë botën për t’u mbrojtur prej saj, por sa më shumë e mbyll botën jashtë, aq më fuqishëm fillon të dëgjojë universin që mban brenda vetes.

“Qetësi” nuk është një ushtrim stili dhe as një rrëfim i thjeshtë mbi mbylljen e botës brenda katër mureve.
Autorja ndërton vetë labirintin e saj për të mbrojtur, në çdo rrethanë, të vetmen gjë që nuk ia tjetërson dot askush:
Shenjtërinë e Mendimit.

ObserverKult