
Një nga aktivitetet e Javës Kulturore Kombëtare ishte edhe çelja, ditën e djeshme, e ekspozitës “Kosova e Kadaresë”.
Ekspozita u çel edhe në kuadër të 90-vjetorit të lindjes së shkrimtarit Ismail Kadare. Aktiviteti u organizua në bashkëpunim tripalësh mes Shtëpisë Studio Kadare, Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë dhe Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”.
Ekspozita “Kosova e Kadaresë” ia prezantoi fillimisht materialet e saj publikut të Prishtinës, ku u hap pak ditë më parë në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”. Pas prezantimit në Prishtinë, dorëshkrimet dhe letrat ekspozohen për herë të parë në Shqipëri, në mjediset e Bibliotekës Kombëtare.
Ekspozita përmban materiale dhe dokumente që pasqyrojnë lidhjen e Ismail Kadaresë me Kosovën, krijimtarinë e tij letrare dhe angazhimin intelektual në periudha të rëndësishme të historisë shqiptare.
Ajo sjell për publikun dorëshkrime nga arkivi personal i shkrimtarit të shquar, letra drejtuar udhëheqësve botërorë dhe personaliteteve të kombit, botime dhe objekte të rralla nga fondi i Studios Kadare, si edhe artikuj të botuar në mediat e Shqipërisë dhe Kosovës.
Dorëshkrimet dhe letrat i përkasin fondit personal të Kadaresë, ndërsa ekspozita u realizua në bashkëpunim edhe me trashëgimtarët e shkrimtarit, të pranishëm gjatë ceremonisë së inaugurimit. Mes miqsh e personalitetesh të letrave ishin botuesi i Kadaresë, Bujar Hudhri, zëvendësministrja Lira Pipa, drejtoresha e Shtëpisë Studio Kadare, Anisa Ymeri etj.

ObserverKult
Lexo edhe:






