reklamë

Jeta që nuk jetuam: Pse e idealizojmë gjithmonë rrugën që nuk zgjodhëm?

Jeta bën që diku në mendjen tonë të jetojë një version tjetër i vetes. Njeriu që do të ishim bërë po të kishim marrë një vendim ndryshe, po të kishim qëndruar në një qytet tjetër, po të kishim dashur një njeri tjetër. Por pse kjo jetë e imagjinuar na duket ndonjëherë më e bukur se ajo që jetojmë?

Ndoshta gjithçka fillon me një pyetje të thjeshtë: “Po sikur?”

Po sikur të mos isha larguar nga ai qytet? Po sikur ta kisha pranuar atë ofertë pune? Po sikur të mos i kisha dhënë fund asaj marrëdhënieje? Po sikur të kisha pasur guximin të ndiqja ëndrrën që e braktisa shumë vite më parë?

Janë pyetje që mund të na vizitojnë në çastet më të papritura. Teksa ecim në rrugë, ndërsa shohim një fotografi të vjetër, kur takojmë dikë që nuk e kemi parë prej vitesh.

Dhe papritur, përpara nesh shfaqet një jetë tjetër.

Në atë jetë, ndoshta jemi më të lumtur. Kemi një profesion më të mirë, një familje tjetër, më shumë kohë për veten. Ndoshta jetojmë pranë detit, në një qytet që e kemi dashur gjithmonë. Ndoshta jemi bërë njeriu që dikur mendonim se do të bëheshim.

Është një botë që nuk ekziston, por që mund të na shkaktojë emocione krejtësisht reale. Ne e njohim nga afër jetën që kemi jetuar, me të gjitha vështirësitë dhe zhgënjimet e saj, ndërsa jetën që nuk zgjodhëm e njohim vetëm përmes imagjinatës. Megjithatë, shpesh jemi të prirur të besojmë se ajo do të kishte qenë më e mirë.

Jeta dhe mendja që krijon botë alternative

Psikologjia ka një emër për këtë aftësi: mendimi kundërfaktik. Është procesi përmes të cilit përfytyrojmë se si mund të kishin rrjedhur ngjarjet nëse një pjesë e së kaluarës do të kishte qenë ndryshe.

Psikologu Neal Roese, i cili e ka studiuar gjerësisht këtë dukuri, ka shpjeguar se mendimi kundërfaktik është një pjesë e zakonshme dhe shpesh e dobishme e funksionimit njerëzor.

Kur diçka shkon keq, mendja përpiqet të kuptojë se çfarë mund të kishte ndryshuar rezultatin. Nëse humbasim trenin, mendojmë se çfarë do të kishte ndodhur po të ishim nisur pesë minuta më herët. Nëse dështojmë në një provim, imagjinojmë si do të kishte qenë rezultati po të kishim studiuar më shumë.

Kjo aftësi na ndihmon të mësojmë nga përvoja. Por mendimi kundërfaktik nuk kufizohet te gabimet e vogla. Ai mund të përfshijë vendime që kanë ndryshuar gjithë drejtimin e jetës sonë. Dhe atu imagjinata bëhet shumë më e fuqishme.

Ne nuk ndryshojmë vetëm një ngjarje. Ndërtojmë një histori të tërë mbi atë që mund të kishte ardhur më pas. Një vendim tjetër shndërrohet në një profesion tjetër. Një takim i rastësishëm në një dashuri të madhe. Një udhëtim i parealizuar në fillimin e një ekzistence të re. Nga një mundësi e vetme, mendja ndërton një jetë të plotë.

Pse rruga tjetër duket gjithmonë më e ndriçuar?

Ekziston një pabarazi e thellë mes realitetit dhe imagjinatës. Jeta jonë e vërtetë përmban gjithçka: mëngjese të lodhshme, përgjegjësi, konflikte, vendime të vështira, zhgënjime, por edhe momente lumturie që ndonjëherë i marrim si të mirëqena.

Jeta alternative, përkundrazi, nuk ka një histori të dokumentuar. Nuk kemi përjetuar vështirësitë e saj. Nuk njohim njerëzit që mund të na kishin zhgënjyer. Nuk dimë se çfarë humbjesh mund të na kishin pritur. Dhe për këtë arsye, jemi të lirë ta mbushim me ato që dëshirojmë.

Imagjinojmë suksesin profesional që mund të kishim arritur, por jo domosdoshmërisht vetminë që mund të kishte ardhur bashkë me të. Imagjinojmë dashurinë që mund të kishte vazhduar, por jo konfliktet që mund ta kishin dëmtuar. Imagjinojmë lirinë e jetës në një vend tjetër, por jo mallin për njerëzit që do të kishim lënë pas.

Kjo nuk do të thotë se alternativat e tjera do të kishin qenë më të këqija. Disa prej tyre mund të kishin sjellë vërtet më shumë lumturi.

Problemi është se ne nuk mund ta dimë. Shpesh krahasojmë një realitet të plotë me një histori të paplotë, së cilës i kemi dhënë fundin që dëshirojmë. Dhe natyrisht, imagjinata mund të fitojë lehtësisht një garë të tillë.

Pendesa nuk është gjithmonë armiku ynë

Psikologjia dallon mes dy mënyrave të zakonshme të imagjinimit të së kaluarës. Në njërën, përfytyrojmë se gjërat mund të kishin shkuar më mirë. Në tjetrën, mendojmë se mund të kishin shkuar shumë më keq. E para shpesh shoqërohet me pendesë dhe zhgënjim. E dyta mund të na sjellë një ndjenjë lehtësimi. Një njeri që ka humbur një mundësi profesionale mund të mendojë për suksesin që nuk arriti. Por mund të kujtojë gjithashtu se një punë tjetër do të kishte kërkuar largimin nga fëmijët apo nga njerëzit e dashur.

Të dy skenarët janë të mundshëm. Asnjëri nuk mund të provohet.

Kërkimet mbi mendimin kundërfaktik tregojnë se pendesa mund të ketë një funksion të dobishëm: të na ndihmojë të kuptojmë çfarë ka rëndësi për ne dhe të marrim vendime më të mira në të ardhmen.

Nëse pendohemi që nuk kemi kaluar mjaftueshëm kohë me familjen, kjo mund të na nxisë të jemi më të pranishëm sot. Nëse na dhemb fakti që braktisëm një pasion, ndoshta ky është një sinjal se krijimtaria vazhdon të ketë rëndësi për identitetin tonë. Por pendesa nuk na ndihmon gjithmonë.

Kur ajo shndërrohet në një krahasim të pafund mes jetës që kemi dhe jetës që imagjinojmë, mund të na mbajë të lidhur me një të kaluar që nuk mund të ndryshohet. Në vend që të shërbejë si mësim, bëhet një gjykim i vazhdueshëm ndaj vetes.

Njerëzit që mund të ishim bërë

Ka një arsye tjetër pse jetët alternative na prekin kaq thellë. Shpesh nuk na mungon vetëm ajo që mund të kishim pasur. Na mungon edhe personi që mund të ishim bërë. Njeriu që do të kishte qenë më i guximshëm. Më i lirë. Më krijues. Më pak i frikësuar nga mendimi i të tjerëve.

Një grua që dikur ëndërronte të bëhej piktore mund të ketë ndërtuar një karrierë të suksesshme në një fushë krejt tjetër. Ajo mund ta dojë familjen dhe jetën e saj, e megjithatë të ndiejë një trishtim të lehtë kur sheh një ekspozitë arti. Jo sepse jeta e saj është e dështuar, por sepse ekziston një pjesë e identitetit të saj që nuk pati mundësinë të zhvillohej.

Në studimet mbi pendesën, psikologët kanë vërejtur se njerëzit shpesh i lidhin pengjet e tyre më të thella me mundësitë që i konsideronin realisht të arritshme. Nuk na dhemb njësoj ëndrra për t’u bërë astronaut, nëse kjo nuk ka qenë kurrë një mundësi reale, dhe vendimi për të mos ndjekur një profesion që mund ta kishim zgjedhur.

Rruga që na duket se ka qenë pranë nesh mund të na ndjekë më gjatë sesa një ëndërr e pamundur. Dhe ndonjëherë, pendesa nuk na tregon se kemi bërë zgjedhjen e gabuar. Na tregon se një dëshirë e rëndësishme nuk është zhdukur.

Problemi me gjykimin e së kaluarës

Ekziston edhe një padrejtësi që shpesh ia bëjmë vetes. Vendimet e së kaluarës i gjykojmë me njohuritë që kemi sot. Sot mund të dimë se një marrëdhënie nuk do të funksiononte. Mund të kuptojmë se një qytet ofronte më shumë mundësi profesionale. Mund të njohim njerëz dhe rrethana që atëherë ishin të panjohura për ne.

Por personi që mori vendimin nuk i zotëronte këto informacione. Ai veproi me njohuritë, frikërat, dëshirat dhe mundësitë që kishte në atë moment. Një vendim që solli një rezultat të dhimbshëm nuk ishte domosdoshmërisht një vendim i paarsyeshëm kur u mor. Dhe një zgjedhje që rezultoi e suksesshme mund të ketë përfituar edhe nga rrethana të paparashikueshme.

Ne priremi ta shohim të kaluarën sikur të kishte ekzistuar një rrugë e saktë, që duhej ta kishim zbuluar. Por jeta rrallë funksionon kështu. Ajo është një ndërthurje vendimesh, rastësish, mundësish dhe kufizimesh, shumë prej të cilave bëhen të kuptueshme vetëm pasi kanë ndodhur. Të jesh i drejtë me veten nuk do të thotë të justifikosh çdo gabim.

Do të thotë të pranosh se personi që ishe atëherë nuk mund ta njihte të ardhmen që njeh sot.

A mund ta duam jetën tonë pa mohuar atë që humbëm?

Ndonjëherë përpiqemi ta largojmë pendesën duke i thënë vetes se gjithçka ndodh për një arsye. Por jo çdo humbje ka një kuptim të fshehtë. Jo çdo zgjedhje na çon domosdoshmërisht atje ku duhet të ishim. Disa mundësi humbasin vërtet. Disa vendime kanë pasoja të dhimbshme. Dhe disa nga jetët që imagjinojmë mund të kishin qenë, në disa drejtime, më të mira. Nuk kemi pse ta mohojmë këtë për të qenë në paqe me veten.

Mund të pranojmë se një rrugë tjetër kishte vlerë, pa arritur në përfundimin se jeta jonë e tanishme nuk e ka.

Mund të na marrë malli për një vend ku nuk jetuam, për një profesion që nuk ndoqëm, për një version të vetes që nuk u realizua, dhe njëkohësisht të duam njerëzit që kemi pranë. Njeriu është i aftë të mbajë brenda vetes ndjenja që duken kundërshtuese. Mirënjohjen dhe pendesën. Dashurinë për të tashmen dhe trishtimin për të kaluarën. Kënaqësinë për atë që ndërtoi dhe kureshtjen për atë që nuk ndodhi.

Jeta e vetme që mund të ndryshojmë

Ka diçka të dobishme në kthimin e herëpashershëm te rrugët që nuk morëm. Ato mund të na kujtojnë vlerat që kemi lënë pas dore.

Nëse mendimi për një jetë më krijuese vazhdon të na shoqërojë, ndoshta nuk është tepër vonë t’i rikthehemi artit.

Nëse pendohemi për mungesën e guximit, mund të pyesim veten se ku na nevojitet guximi sot.

Nëse na mungon afërsia që nuk ditëm ta ndërtonim dikur, mund të përpiqemi të kujdesemi më mirë për marrëdhëniet që kemi tani.

E kaluara nuk mund të ndryshohet, por kuptimi që i japim asaj mund të ndryshojë mënyrën si jetojmë të ardhmen. Problemi lind kur i përdorim mundësitë e humbura jo për të kuptuar çfarë dëshirojmë, por për të ndëshkuar pafundësisht veten. Sepse jeta alternative që kemi ndërtuar në mendje ka një avantazh që jeta reale nuk do ta ketë kurrë. Ajo nuk është detyruar të përballet me realitetin.

Nuk ka paguar çmimin e vendimeve të saj. Nuk ka humbur njerëz. Nuk ka përjetuar zhgënjime. Nuk është plakur bashkë me ne. Ka mbetur e paprekur, pikërisht sepse nuk është jetuar.

Ndërsa jeta jonë, me të gjitha papërsosmëritë e saj, ka një cilësi që asnjë përfytyrim nuk mund ta zëvendësojë. Ajo është e vërtetë. Në të kemi dashur, kemi gabuar, kemi mësuar, kemi humbur dhe kemi filluar përsëri.

Jeta që nuk jetuam mund të jetë e bukur në imagjinatë. Por vetëm jeta që po jetojmë na jep ende mundësinë të ndryshojmë diçka./”Psyche”- Bota.al

ObserverKult


Lexo edhe:

113-vjetori i Petro Markos, një shtëpi- muze për shkrimtarin? E bija: Ruaj shumë gjëra, janë pjesë e shpirtit tim!