Demush Avdimetaju lind më 1949 në Strellc të Deçanit. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, të mesmen normalen në Pejë. Studimet e larta i ka mbaruar në Kosovë, në Fakultetin e Arteve, drejtimi i Pikturës.
Kështu Akademinë e Arteve, Degën e Pikturës, në Prishtinë e përfundoi te prof. Muslim Mulliqi, në vitin 1980, ndërsa studimet për master te prof. Sabedin Etemi në Prishtinë.
Deri më tani, Demush Avdimetaj ka realizuar mbi 30 ekspozita personale nëpër vende si : Kosovë, Shqipëri, Slloveni, Austri, Maqedoni, Vojvodinë, e gjetiu; si dhe kolektive në: Gjermani , SHBA, Bosnja e hercegovina, Shqipëri dhe Austri.
Karriera e tij artistike është përcjellë edhe me çmime e mirënjohje të ndryshme si ajo nga Akademia Evropiane e Arteve në Belgjikë në vitin 2006, nga Salloni i 36-të Ndërkombëtarë, po në Belgjikë, nga Salloni Mbarëkombëtarë i Gostivarit në vitin 2010, etj.
Demush Avdimetaj dëshmon prirjen e tij për dy lëmi të artit pamor, vizatimin – që është bazë dhe pikturën. Peizazhet lirike merren nga natyra, por transponohen varësisht nga emocionet, disponimet dhe përjetimet estetike, duke krijuar imazhe vizuale mbresëlënëse, asociative dhe refleksive.
Punon si ilustrator në redaksinë e revistës letrare për fëmijë “Pionieri” në Prishtinë.
Avdimetaj dëshmon prirjen e tij për dy lëmi të artit pamor, vizatimin – që është bazë dhe pikturën. Peizazhet lirike merren nga natyra, por transponohen varësisht nga emocionet, disponimet dhe përjetimet estetike, duke krijuar imazhe vizuale mbresëlënëse, asociative dhe refleksive .
Mr. Bislim Aliu tek analizon veprat e Avdimetajt thotë se ai, nuk eksperimenton, por gjithnjë frymëzohet nga ambienti ku jeton.
“Pra, nga populli dhe nga mbijetesa e tij. Por edhe nga tradita, balada, drama, lufta, historia, heroizmi… të gjitha këto Avdimetaj, i rrëfen bukur dhe me një poetizim tejet të lartë të rrëfimit ndjesor”, shkruan Aliu.
“Piktori Avdimetaj, përpos që e njeh shumë mirë vizatimin, i cili është alfa dhe omega e krijimtarisë së tij, ka edhe sensualitet të lartë edhe në pikturë. Pra, ndjesinë shprehimore si në vizatim me të njëjtin ritëm e shpërfaq edhe në pikturë. Ai vazhdimisht është i lidhur ngushtë me natyrën e sidomos me peizazhet lirike të cilat i rikrijon apo i transformon, varësisht nga idealizmi i tij emocional apo nga përjetimi i tij shpirtëror … Në pikturën e tij joshëse dhe konkretizuese, e shohim qartas, harmonizimin e formave artistike, strukturimin e lartë kompozicional, nuancat e ngjyrave subtile, por edhe ritmin e posaçëm të dritës dhe të hijes. Kjo pedanteri si në vizatim, njësoj me të njëjtin intensitet përcillet edhe në pikturë”, thekson Aliu.
Në vazhdim ObserverKult u sjell një mini-ekspozitë me punimet e Demush Avdimetajt.