A duhet të shitet biblioteka personale?

klodi stralla personale


Dje lexova një Njoftim, që më befasoi shumë, nga një person i cili pak a shumë thoshte: “Kam një bibliotekë personale të pasur, të formuar prej vitesh me libra me vlera. Kushdo që është i interesuar, të më kontaktojë për t’i blerë me çmim nën kosto, pra nga çmimi që unë i kam blerë. Ju mirëpres!”

Nga Klodi Stralla

Që biblioteka të tilla me libra me vlerë janë shitur, pas vdekjes të atij që i ka patur, kjo nuk më habiti. Ka ndodhur ose se trashëgimtarët e tij nuk kishin të njëjtin vlerësim që kishte ai për librin ose për shkak se pasardhësve të tij u zinin shumë vend në banesat e tyre modeste. Por që t’i shesë vetë ai që i ka, në gjallje të vet, këtë po e dëgjoja për herë të parë.

Secili nga ne, që e ka dashuruar leximin që fëmijë, ka grumbulluar në vite libra, kush më shumë e kush më pak. Me pasion, me durim, duke hequr diçka nga goja, ia ka dalë të krijojë një bibliotekë personale në shtëpinë e vet. Janë libra të gjithfarshëm, disa nga letërsia për fëmijë, disa të tjera romane klasike të autorëve të njohur, por edhe libra me kuriozitete zbavitëse, si edhe libra profesioni. Për zotëruesin e tyre ato janë si fëmijët e tij.

Hera-herës ai disa prej tyre i prek, i shfleton, por e ka humbur atë pasionin dhe durimin e dikurshëm për t’i rilexuar; Ka edhe nga ato që i kujtojnë vitet e ëmbla të rinisë, dashurinë apo puthjen e parë dhe, vetëm pamja e kopertinës e emocionon, e përlot. Librat e grumbulluar në këtë rrugë, për vite e vite me rradhë, të bëhen si fëmijët e tu dhe e ke të pamundur të ndahesh kollaj prej tyre.

Natyrisht secili vepron si e mendon dhe ndjen, por unë nuk do t’i shisja kurrë ato pak libra që kam sa të jem gjallë. Nëse ndodhemi në rrethana që trashëgimtarët e mi ligjore nuk kanë interes për to, mirë është t’u a dhurojmë “trashëgimtarëve” të vërtetë (atyre që dinë t’i vlerësojnë) ose, në pamundësi të tyre, mund t’u a dhurojmë bibliotekave publike të qytetit, por kurrsesi t’i shesim dhe t’i shohim në tezgat e rrugëve, që do u ngjajnë fëmijëve të braktisur!

ObserverKult

lexo edhe:

LISTA: JA CILAT LIBRA U NDALUAN ME VENDIM GJYKATE NË SHQIPËRI!

HISTORIA PREKËSE E LIBRASHITËSIT 72-VJEÇAR: JETIMI QË NUK ARRITI TA PËRFUNDONTE SHKOLLËN (FOTO)