A e din ajo vallë që unë vuej për tè?

trokitjen

Më duket se …u kapa edhe unë mâ në fund, prej kthetravet të.. dashunís. Nisi me më lëvizë dishka në zemër që s’më ka ngjamë kurrë në jetë. E shof se kam humbë fare! Mendjen e kam orë e çast vetëm ke ajo, megjithse rrijmë pothuej se të pandamë.
Profesori flet e flet pa pushue, por unë jam aty veçse me trup.

Mendja më fluturon kushdi ku, nër horizonte të largëta, të panjoftuna prej meje parandej.
Gjithmonë i kam urrye njerzit e andrrimevet, por tash u kapërtheva edhe vetë prej kësaj lëngate. Vegimet e iluzjonet tashmâ më janë fort të dashuna, shokë të pandashëm.

Mësimet e shkollës më mërzisin, nuk i këqyr mâ me andej si përpara. Tash i mësoj, sepse e kam detyrë; studjoj sa për të marrë nji notë të kalueshme dhe hiç tjetër.
Vetëm nji gja po më mbetet mister, po bahet për ditë ma enigmatike për mue: nuk po mundem me kuptue se a e din ajo vallë që unë vuej dhe vetëm për tè? Ndofta.

Por ajo vazhdon të tregohet gjithnji indiferente; thotë se më trajton si mik të mirë dhe pa të keq, se ushqen për mue nj’atë dashuni miqsore që lidh dy shokë shkolle. Po ç’ti baj hallit se kjo dashuní e thjeshtë, për mue e shndërrue në nji tjetër dashuní zjarmuese e përvëluese. Të paktën do të dojsha që ta dinte brengën time. E shof se tash për tash më mungon kryekëput guximi me ia ba të njoftun. Duhet me pritë….

*Shkëputur nga romani “Gremina e dashunis” i Mustafa Greblleshit

Përgatiti: ObserverKult

—————-

Lexo edhe:

NGA “GREMINA E DASHUNIS”: TË KAM THANË SE S’KA FUQI QË MUND TË NA NDAJË…