Ballkani ishte kontinent! E besoni?

ballani

Rreth 50 milionë vjet më parë, Ballkani ishte një arkipelag i izoluar

Një kontinent me një lartësi mesatare që ka ekzistuar rreth 40 milionë vjet më parë, dhe që ishte shtëpia e kafshëve ekzotike, mund t’i ketë “hapur rrugën” gjitarëve aziatikë që të kolonizojnë Evropën Jugore, sugjeron një studim i ri.

I pozicionuar midis Evropës, Afrikës dhe Azisë, ky kontinent i harruar, të cilin studiuesit e kanë quajtur “Ballkanatolia”, u shndërrua në një portë midis Azisë dhe Evropës, rreth 34 milionë vjet më parë.

“Se kur dhe si mbërriti vala e parë e gjitarëve aziatikë në Evropën Juglindore, kjo nuk është kuptuar aq qartë” shkruajnë paleogjeologu Aleksis Liht dhe kolegët e tij në studimin e tyre të ri.

“Grande Coupure”

Rreth 34 milionë vjet më parë, në fund të epokës së Eocenit, një numër i madh gjitarësh vendas u zhdukën nga Evropa Perëndimore, ndërsa aty u shfaqën gjitarë të rinj nga Azia në një shfarosje të papritur që tani njihet si “Grande Coupure”.

Por zbulimet e fundit fosile në Ballkan, e kanë ndryshuar atë afat kohor, duke treguar një bio-rajon “të veçantë”, që duket se u dha mundësi gjitarëve aziatikë të kolonizojnë Evropën Juglindore 5-10 milionë vjet para se të ndodhte “Grande Coupure”.

Për ta hetuar këtë çështje, Liht i Qendrës Kombëtare Franceze për Kërkime Shkencore dhe kolegët e tij, rishqyrtuan provat nga të gjitha vendet e njohura fosile në këtë zonë, e cila mbulon gadishullin e sotëm Ballkanik dhe Anadollin.

Mosha gjeologjike e këtyre vendeve u rishikua bazuar në të dhënat aktuale gjeologjike. Po ashtu ekipi rindërtoi ndryshimet paleogjeografike që ndodhën në rajon, që ka një “histori komplekse të mbytjeve dhe rishfaqjes episodike të territoreve të caktuara”.

Ballkani – trampolinë e kafshëve të zhvendosura nga Azia

Ajo që ata gjetën, sugjeron se Ballkani ka shërbyer si një trampolinë që kafshët të zhvendoseshin nga Azia në Evropën Perëndimore, me transformimin e tokës së lashtë nga kontinenti i pavarur në një urë tokësore, e cila përkon me disa “ndryshime dramatike paleogjeografike”.

Studimi zbuloi se rreth 50 milionë vjet më parë, Ballkani ishte një arkipelag i izoluar, i ndarë nga kontinentet fqinje, ku lulëzoi një koleksion unik kafshësh që ishin të ndryshme nga ato të Evropës dhe Azisë Lindore.

Rrita e shtresave të akullit të Antarktidës e lidhën kontinentin e Ballkanit me Evropën Perëndimore

Më pas, një kombinim i rënies së nivelit të detit, rritjes së shtresave të akullit të Antarktidës dhe zhvendosjeve tektonike, e lidhën kontinentin e Ballkanit me Evropën Perëndimore, 40 deri në 34 milionë vjet më parë. Ky zhvillim i dha mundësi gjitarëve aziatikë, përfshirë brejtësit dhe gjitarët katërthundrakë që të zhvendoseshin drejt perëndimit dhe të pushtonin Ballkanin, tregojnë të dhënat fosile.

Liht dhe kolegët e tij zbuluan gjithashtu fragmente të një kocke nofulle, e cila i përkiste një kafshe të ngjashme me rinocerontin në një sit të ri me fosile në Turqi, të cilin ata e datuan rreth 38 deri në 35 milionë vjet më parë. Fosili është ndoshta thundraku më i vjetër aziatik i zbuluar në Anadoll deri më sot, dhe i paraprin të paktën 1.5 milion vjet “Grande Coupure”, gjë që sugjeron se gjitarët aziatikë ishin duke rrugëtuar në atë kohë drejt Evropës nëpërmjet Ballkanit.

Kjo rrugë jugore drejt Evropës përgjatë Ballkanit, ndoshta ishte më e favorshme për kafshët, sesa kalimi i rrugëve përmes Azisë Qendrore, të cilat në atë kohë ishin stepa shkretëtire më të thata dhe më të ftohta.

Megjithatë, ata në studimin e tyre theksojnë se “lidhja e dikurshme midis ishujve individual të Ballkanit dhe ekzistencës së kësaj rruge jugore të migrimit mbetet ende e debatueshme”, dhe se historia e rrëfyer deri tani “është ndërtuar bazuar vetëm mbi fosilet e gjitarëve”.

Ende nuk janë kuptuar ndryshimet gjeologjike që krijuan Ballkanin

Shumica e ndryshimeve gjeologjike që krijuan Ballkanin ende nuk janë kuptuar plotësisht, dhe është e rëndësishme të theksohet se ky rishikim, është vetëm interpretimi i një grupimi të dhënash fosile.

Të dhënat fosile të gjitarëve dhe vertebrorëve të tjerë që jetojnë në ishuj, janë zakonisht të pakta dhe të copëtuara, ndërsa të dhënat e pasura fosile tokësore të Ballkanit “sigurojnë një mundësi unike, për të dokumentuar evolucionin dhe zhdukjen e specieve që kanë jetuar dikur në rajon” përfundon ekipi. Studimi u botua në “Earth-Science Reviews”. / ScienceAlert

ObserverKult

Lexo edhe:

ZBULOHET NË SHQIPËRI CISTERNA MË E MADHE DHE MË E BUKUR E BALLKANIT ANTIK, I PËRKET SHEKULLIT III PARA KRISHTIT