Më 23 maj të vitit 1924, në Kongresin e Durrësit, Mustafaj Kruja propozoi që qyteti i Shkodrës të bëhej kryeqyteti i vendit.
26 deputetë të kryesuar nga Luigj Gurakuqi, kreu i opozitës dhe peshkopi Fan Noli, nuk e donin Tiranën por Shkodrën si kryeqytetin e tyre.
Ky fakt interesant vjen nga Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave, e cila ruan dokumente që vërtetojnë sa më sipër, shkruar edhe në mediet ndërkombëtare më 23 maj të vitit 1924, pra 100 vjet më parë.
Shkodra u kishte bërë ballë pushtuesve për një kohë të gjatë, e po ashtu kishte dëshmuar se ndonëse ishin përpjekur të përçanin shqiptarët për shkak të ndryshimeve në besimin fetar, popullsia e Shkodrës kishte rrëfyer kurdoherë se feja e shqiptarit ishte shqiptaria dhe se bashkëjetesa dhe unifikimi kishin më tepër vlerë.
Në këtë këndvështrim, ideja që Shkodra të shpallej kryeqytet, u artikulua edhe në mbledhjet e bëra nga organizatorët e kryengritjes. Kushti ishte që pas fitores, të kërkohej që Shkodra të ishte kryeqyteti i vendit.
Historia
Zona përreth vendit ku ndodhet sot qyteti ka qenë e banuar që në kohët parahistorike. Këtu janë gjetur gjurmë të paleolitit të mesëm, ndërsa që nga neoliti gërmimet kanë zbuluar vazhdimësi jetese që vjen deri në ditët tona.
Objektet e gjetura gjenden në muzeumin e qytetit, në atë të Tiranës dhe në muzetë e Evropës.
Rrëzë kodrave të Tepes, në anën jugore të qytetit të sotëm, materialet arkeologjike fillojnë nga Bronxi i hershëm (3000-2000 p.k).
Në shekullin V-IV p.K. filloi ndërtimi i kalasë me gurë ciklopikë të puthitur pa llaç. Në mesin e shekullit të tretë p.k. përmendet si kryeqendra e Mbretërisë ilire të dinastisë së ardianëve.
Mbretëresha Teuta dhe mbretërit Agron e Genti janë figurat më të përmendura të kësaj periudhe. Scodra ishte qyteti antik më i mirëmbrojtur (arx munitissima) dhe më i vështiri për t’u pushtuar (difficilis aditu).
Ishte një pozicion i fortifikuar në mënyrë natyrale (munitum situ naturali oppidum), i rrethuar nga mure me pirgje mbi portat (portarumque turres). Më 168 p.K. pretori romak Anicius ngadhënjeu mbi ilirët dhe pushtoi Shkodrën.
Pas rënies nën sundimin romak, u bë ndër kryevendet jugore të provincës së Dalmacisë. Me reformat e Perandorit Dioklecian, Shkodra u bë qendra e Prevalit (lat. Prevaelis). Nga 395 AD, ishte pjesë e Dioqezës së Dakisë dhe me t’u ndarë në dyshë Perandoria Romake, prej atëherë kaloi me Perandorinë Romake të Lindjes. Me rënien e Perandorisë Serbe, Shkodra u zotërua nga Balshajt.
Pas humbjes së betejës të Savrës, Balsha II ia dorëzoi qytetin Shahinit (kephalia, capitaneus turcorum) deri kur prania osmane në këto vise u vënit dhe trysnia venedikase u shtua.
Në dhjetor të 1395 dërgoi doktorin në teologji, fra Nicolò de Samaxiis nga Shkodra, bashkë me dy shoqërues të cilët përpara Senatit të Venedikut kumtuan ofertën e Balshës për t’u dorëzuar zotërimet e tyre: Shkodrën, Drishtin, Danjën, Shasin dhe Shirqin; Venediku i mori në zotërim më 14 prill 1396 dhe proveditorët morën në dorëzim qytetin me 20 prill.
Përgjatë pranisë së venedikasve, por sipas gjasave edhe para ardhjes së Balshajve, zbatohej kodi ligjor i njohur si Statutet e Shkodrës. Republika e Shën Markut përfaqësohej nga një capitaneus et comes.
Më 1399 plasi një kryengritje e madhe kundra Venedikut që pati si përfundim fitimin e disa të drejtave, mbasi gjyqi i paqit, gjyqi civil dhe penal, administrata bashkiake ishin në dorë të Senatit dhe të gjyqtarëve vendas simbas zakoneve të vendit; në këtë këshillë merrshin pjesë pesë vetë nga vegjëlia dhe pesë nga paria. Sundimtari venedikas kishte përbri edhe një përkthyes.
Të hyrat asokohe ishin të pakta: dogana, koncesionet e dajlanavet dhe taksat nga pronarët, ndërsa shpenzimet ishin ma të mëdha për të përballue forcimet, me mbajtur ushtrinë dhe pagesa “për një politikë afrimi kundrejt princave të vogjël të vendit”.
Në këtë kohë Shirqi ishte skela e Shkodrës prej kah eksportoheshin landë ndërtimi, lëkura, peshk i thatë, sidomos saraga, putarga dhe ngjala të kripura. Serbët u përpoqën më kot ta shtinin në dorë qytetin.
E rrethuan dy herë Shkodrën, njëherë në fund të 1421 nën Despotin Stefan Lazareviç dhe herën e dytë më 1422 nën Despotin e mbasandej nën komandantin Mazarak, derisa Niçolò Cappello, që qëndronte pranë Shirqit, i dëboi serbët në një sulm vendimtar në Danjë një natë dhjetori.
Më 1448 shkodranët mvartës të venedikasve luftojnë kundër Skënderbeut. Me rënien e mbretërive të krishtera të Serbisë, Bosnies dhe Arbërisë, turqit iu afruan kësaj krahine edhe njëherë.
Më 1474 Bejlerbeu i Rumelisë, Sulejmani, rrethoi Shkodrën, por qyteti u mbrojt trimërisht nga Antonio Loredano dhe 2500 ushtarë, me ndihmën e anijeve venedikase në Bunë dhe në det, e me ndihmën e Cërnojeviqit zetas dhe malësorëve arbërorë.
Rrethimi i dytë më 1478, i radhitur prej priftit Marinus Barletius në latinishte, u drejtua personalisht nga Mehmet Ngadhënjyesi.
Venedikasit mbrojtën heroikisht, por u detyruan të evakuoheshin pas marrëveshjes së paqes në Stamboll më 1479. Prej 1600 ushtarëve, vetëm 450 ndejtën.
Popullata që u largua, nën prijësin e tyre Florio Jonimën, u vendosën në Venecie, Ravena dhe Treviso. Me traktatin e Kostandinopojës Republika e Venedikut ia lëshoi qytetin Perandorisë Osmane. U bë qendër e sanxhakut më 1485, pjesë e Elajetit të Rumelisë.
Qyteti nis të lulëzojë përsëri me stabilitetin e garantuar nga Bushatllinjtë. Tregtia lulëzoi përmes limanit lumor të Obotit dhe bashkëpunimin me Ulqinin në rrugë detare, duke u bërë kësodore qendra ekonomike e trevave veriore shqiptare.
Më 1832 periudha e pashallëkut të këtij oxhaku mbaroi. Më 1835 u çua kryengritja vendore kundër Tanzimatit, e kryesuar nga Hamz agë Kazazi.
Besimi
Prania ortodokse ishte një ndikim historik prej sundimit bizantin dhe më pas prej feudalëve serbë të Zetës, të cilët i përkisnin pas Skizmës.
Me vdekjen e Stefan Nemanjiqit, ndikimi venedikas bëhet më i dukshëm dhe Argjipeshkvia e Tivarit u kthye në mbështetje për hapjen e katolicizmit.
Pas pushtimit osman elementi i krishterë lejohej të banonte në vendbanime larg kështjellës, kësodore qyteti nuk do të ishte më seli ipeshkvnore dhe arqipeshkvnore metropolitane deri më 15 mars 1867 kur u emërua argjipeshkv Karl Pooten.
Deri në kohën e emërimit të tij, selia e arqipeshkvisë ishte në Tivar. Në vitin 1478 kur Mehmeti II rrethoi qytetin, në kështjellë qenë dy fretën françeskanë, njëri prej tyre arbër, P. Pali nga Matja.[36] Me pushtimin në qytet u përhap Islami, së pari prej pranisë ushtarake dhe më pas nga popullata e konvertuar.
Qyteti ka përshfaqur që me pragun e periudhës së Bushatllinjve një hapje kundrejt larmisë fetare. Por në rastin e prishjes së Oxhakut të Jeniçerëve, çoi në dëbimin e bektashinjve nga qyteti, gjë që sipas Dela Rokës ka shtyrë drejt Islamit synit. Sidoqoftë ky tarikat ishte ndër të parat mënyra të avitjes së Islamit në qytet, duke qenë se jeniçerët ishin trupë e bekuar nga Haxhi Bektashi.
Sipas studiuesit të historisë së qytetit, Hamdi Bushatit, mendohet se në fillim të sundimit të Mustafa pashë Shkodrës ka pasur afro 70 teqe të tarikateve të ndryshme, që ndiqeshin edhe prej parisë feudale.
Tarikatet që kanë qenë dhe janë ende të përhapura në qytet janë bektashinj, nakshibenditë, rifaitë dhe tixhanitë. Rinisja e hapjes së tyre pas dëbimit të madh, qe vepër e Sheh Ahmet Shkodrës.
Më 1846 u vendos në qytet Urdhri Jezuit, për të themeluar një qendër të vazhdueshme, duke kontribuar në ngritjen kulturore të qytetit me institucionet arsimore, kongregacionet bamirëse. Urdhri Françeskan kishte një prani të kryehershme në viset përreth Shkodrës, duke pasuar benediktinët në shek. XIII, por në qytetin e Shkodrës u ngulitën për herë të parë më 1861 me nisjen e ndërtimit të Kuvendit të Gjuhadolit.
Ortodoksët e qytetit, sipas thënies lokale s’bajnë ma se 100 shpi, nuk kanë lidhje me ortodoksët mesjetarë dhe relativisht janë të përbërë prej origjinave kuço-vllehë ose gogë, shqiptarë, serbo-malazezë, grekë e armenë.
Sipas burimeve, paraardhësit e ortodoksëve shqiptarë kanë ardhur nga Vilajeti i Kosovës dhe i Manastirit, veçanërisht nga Struga (familja Banushi, Pistoli).
Ortodoksët me prejardhje joshqiptare janë shqiptarizuar me shekujt. Shkodra përmendej si qendra e fetarizmit islam, ashtu dhe atij katolik, në Shqipëri.
Arkitektura nisi strukturimi i arkitekturës sipas kritereve të artit islam, disa kisha u bënë xhami. Në hyrje të Pazarit ka pas një Hamam të ndërtuar nga i quajturi Allaman begu me datë 1519, i njohur si Hamami i Vjetër.
Pjetër Bogdani e përmend se në hyrje të hamamit kishte të shkruar në mermer me numra romakë (1470, 5 tetor).
Qyteti numëron rreth 100 000 banorë e shquhet për shumëllojshmërinë në kahin urbanistik[46] e arkitektonik, shtëpitë më të vjetra me 1 ose 2 kate kanë bahçe e oborre të gjelbra e me lloj-lloj lulesh, rrugët janë të ngushta e dikur ishin me gur të kalitur (rrugë të ngushta e të vogla karakteristike, të emëruara nga familje që kanë dhënë kontribut për qytetin apo nga gojëdhëna. Ndërtimet më të vona të shek. XX ndikohen nga prirjet arkitektonik tradicionale, të racionalizmit italian e të realizmit socialist.
Propozimi
Deri në muajin prill 1913, Shkodra ishte i vetmi bastion i mbetur i Perandorisë Osmane në Ballkanin Perëndimor. Pas armëpushimit të nënshkruar më 16 prill 1913 mes Perandorisë Osmane dhe aleatëve Ballkanikë, Mali i Zi ra në ujdi që t’ua dorëzojë qytetin Fuqive të mëdha, më 7 maj 1913 guvernatori malazez u takua në Shëngjin me nënadmiralin britanik Burney.
Në dukje ekzistonte vullneti i mirë për marrëveshje, por atë datë në mbrëmje pazari i qytetit kapet flakë dhe dugaja të shumta u vodhën. Më 14 maj trupat malazeze që ishin në qytet u evakuuan. Komisioni i admiralëve të flotës ndërkombëtare që përfaqësonin Fuqitë e Mëdha e mori në dorëzim Shkodrën më 14 maj 1913 në ora 2.30 pasdreke.
Më vonë Shkodra iu dorëzua fuqive tokësore ndërkombëtare, me përjashtim të Rusisë, të cilat u vunë nën komandën e kolonelit britanik, Filips. Këta ngritën një administratë me nëpunës shqiptarë.
Në qytet e krahinë hapur dhe në mënyrë të nënrrogoztë bëhej propaganda nga njëra anë për ndikimin e Esat pashës, nga tjetra xhonturqit. Më 1914 elementet fetare të qytetit e krahinës shkojnë në Durrës për të njohur Princ Vidin.
Mbas fillimit të Luftës Botërore fuqitë ndërkombëtare u tërhoqën prej Shkodre dhe qytetin ia dorëzuan një komisioni prej 12 vitesh, të përbërë nga 6 katolikë dhe 6 myslimanë.
Me largimin e Vidit shumica e madhe e patriotëve u grumbulluan dhe gjetën strehim në Shkodër. Komisioni qëndroi në krye të administratës deri më 15 korrik 1915, kur Mali i Zi hyri në Shkodër për të dytën herë.
Komisioni ka administruar qytetin dhe rrethet. Ka qenë pa kryesi dhe ndër akte, nënshkrimi vihej: “Komisioni i Shkodrës”. Më 23 janar 1916 ushtria austro-hungareze hyri në Shkodër. Vjena solli në Shqipëri korpusin e XIX, të përbërë prej tre divizionesh.
Administrimin u kontrollua nga Komisari Civil August Ritter von Kral nën kujdesin e të cilit u hapën Komisia Letrare Shqipe dhe drejtoritë e përgjithshme të financave, arsimit dhe drejtësisë në hapësirën territoriale gjer në vijën grykëderdhja e Vjosës-Skrapar-Prespë.
Në mars të 1916 qytetit i bëri vizitë zyrtare Arkiduka Karl Salvator i Habsburgve. Gjatë punimeve të Kongresit të Durrësit qytetin e përfaqësoi Riza Dani, Ndoc Çoba dhe Luigj Gurakuqi (edhe si mëkëmbës i Prenk Pashës).
Propozimi i bërë nga Mustafa Kruja që qyteti të bëhej kryeqyteti i Shqipërisë u shënua në procesverbalet e mbledhjeve. Më 11 mars 1920, sipas një marrëveshjeje mes qeverisë së Tiranës dhe komandës së trupave franceze, xhandarmëria shqiptare mori në dorëzim qytetin ku ministri i Brendshëm, Ahmet Zogu dhe ministri i Drejtësisë, Hoxha Kadriu u pritën me ngazëllim nga popullsia.
Në verën e 1920 qyteti qe i përfshirë në mënyrë të dyanshme në Luftën e Koplikut, me ndihmat e organizuara nga Musa Juka dhe pjesëmarrja e Sylço bej Bushatit nga krahu i shtetit shqiptar. Nga ana tjetër të radhitur me çetat malazeze dhe disa vullnetarë shqiptarë me në krye Luk Lukajn merrte pjesë Alush agë Lohja.
Më 1921 ngjau kryengritja e Republikës së Mirditës u kryesua nga Marka Gjoni kundër qeverisë së Tiranës. Shkodra mori pjesë vullnetarisht për shuarjen e saj. Më 1926 shpërtheu Kryengritja e Dukagjinit, për të cilën Dom Gjon Gàzulli u var në qytet me 4 mars 1927.
Pushtimi
Sipas urdhrit të luftës të Mbretit Zog I, me pushtimin italian të Shqipërisë, sektori mbrojtës Milot-Shkodër komandohej nga komandanti nënkolonel Mehmet Kyçyk Ullagaj.
Në përpjekjet me pushtuesit në këtë sektor, ra dëshmor Tonç Toma. Më 12 prill 1939 u hapën punimet e Asamblesë së mbledhur pak ditë pas pushtimit, ku Shkodrën e përfaqësuan Gjon Marka Gjoni, P. Anton Harapi, Dom Mikel Koliqi, Ndoc Pistulli, Ndrek Kaçulini, Nush Topalli, Kolë Bibë Mirakaj, Zef Boriçi, Mark Kakarriqi, Kolec Deda, Ymer Kopliku, Abdyl beg Gramshi, Shaqir Omari, Omer Rushdi, Daut Gjylbegu, Zenel Broja, Halit Rroji, Kolë Thaçi, Terenc Toçi, Sandër Saraçi, Taip Drishti dhe një shkodran si përfaqësues i Tiranës ishte Zef Kadarja.
Ndër 42 delegatët që më 14 prill shkuan në Romë t’i jepnin Kurorën Mbretërore të Shqipërisë Mbretit të Italisë, Viktor Emanueli III ishin: N. Pistulli, Y. Kopliku, Z. Boriçi, M. Kakarriqi, K. Mirakaj dhe Z. Kadarja. Në aksionet e min. të Brendshëm Xhaferr Deva, sipas burimeve gjermane, kreu 35 arrestime, duke asgjësuar një pjesë të mirë të Lëvizjes Nacionalçlirimtare në qytet.
Regjimi komunist
Tërheqja e trupave gjermane nga Shkodra përbën një debat të gjithmonshëm për arsye instrumentalizimi politik të historisë. Për historiani ushtarak Marenglen Kasmi, historianin Kastriot Dervishi, sipas dëshmive të Át Zef Pllumit dhe mjaft burimeve tjera, gjermanët ikën nga Shkodra në datat 28-29 dhe partizanët hynë në Shkodër më 29 nëntor pa luftë të prirë nga Gjovalin Luka.
Në fundin e vitit 1944 në Shkodër u formua Divizioni VI Sulmues i drejtuar nga Gjin Marku që do t’i bashkohej divizioni i Rrahman Perllakut për të shkuar në Kosovë.
Me zënien e qytetit nga partizanët, hynë edhe partizanë jugosllavë, të cilët nisën rrëmbimin e mallrave dhe zbrazjen e dyqaneve.
Duke filluar nga nëntori 1944, në qytet u aplikua një represion i egër, i cili gradualisht e privoi atë nga primati moral, kulturor, ekonomik dhe demografik i tij në shtetin shqiptar, duke grabitur nga ky qytet, arkivat, bibliotekat, veprat e artit, transformuar apo asgjësuar institucionet e krijuara për shekuj.
Qasja e regjimit të ri mëtoi t´ìa çrrënjoste qytetit prirjet politike dhe kulturore, nga marrëdhëniet me botën dhe nga ekonomia tradicionale.
U përndoqën personalitetet më të spikatura të qytetit. U vu dorë mbi institucionet e kulturës dhe të kultit, duke i shndërruar sipas ideologjisë së re.
U bë çdo gjë që qyteti të humbiste identitetin e tij. Balli Kombëtar me qarkomandant major Gjergj Vatën, e kolonelin Luigj Mikelin (të vendosur më 1944) u thye keqas mbas 2 vjetëve luftë civile mes Ballit e Komunistëve.
Lëvizja antikomuniste në Liceun e Shkodrës e cila e ka zanafillën që nga periudha e Luftës, vazhdoi edhe më pas nga viti 1945 e deri në 1953 kur u arrestuan dhe pjesëtarët e grupit “Përpjekja shqiptare”.
Tërmeti i vitit 1979 rrënoi një pjesë të madhe të Shkodrës. Enver Hoxha dhe qeveria komuniste organizuar aksion për rindërtimin e qytetit dhe kur kjo u arrit pas disa muajsh, qyteti u shpall Hero i Punës Socialiste.
ObserverKult
Lexo edhe:
KËNGË POPULLORE: KARAFILAT QË KA SHKODRA (TEKSTI DHE VIDEO)
Grupi i burrave e kënduan “Karafilat që ka Shkodra” nën shoqërimin e formacionit të estradës së Shkodrës drejtuar nga Luan Borova (“Mjeshtër i Madh”), viti 1984.
Karafilat që ka Shkodra
medet sa të bukur janë
Gonxhe t’mëdhaja, gonxhe t’vogla
me erë mbushin dynjanë
Aman, aman
Trëndafilat e tu me hije
medet o për me çilë
Që t’i dalin fije-fije
medet sa erë të mirë
Aman, aman
Tekstin e këngës mund ta lexoni KËTU:
“PO TENTONIN TË ARRATISESHIN ME DJALIN 6 MUAJSH, POR VOGËLUSHI NISI TË QANTE”- HISTORIA TRAGJIKE E FAMILJES SHKODRANE: QË TË MOS E DËGJONIN ROJET E KUFIRIT, I ATI E MORI FOSHNJËN DHE E HODHI NË LIQEN
Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:
ObserverKult