A ekzistonte në të vërtetë një burrë i quajtur William Shakespeare?

William Shakespeare

William Shakespeare (Uilliam Shekspir), poet dhe dramaturg, është një nga figurat më të njohura kombëtare të Britanisë. Ai konsiderohet gjerësisht si shkrimtari dhe dramaturgu më i madh në gjuhën angleze, dhe autori i 39 dramave dhe mbi 150 poezive.

Megjithatë, që nga shekulli i 19-të, teoricienët e konspiracionit kanë hedhur dyshime mbi trashëgiminë e Shekspirit.

A është e mundur që Uilliam Shekspir të ishte thjesht një pseudonim i adoptuar nga një shkrimtar i fuqishëm aristokrat që donte të mbante sekret identitetin e tij?

Shekspiri që ne mendojmë se e dimë mund të mos ketë ekzistuar fare.

Sipas BBC, pyetjet mbi identitetin e Shekspirit u ngritën për herë të parë në shekullin e 19-të, kur dramat e tij po përjetonin një ringjallje në shoqërinë britanike.

Komentatorët viktorianë thjesht nuk mund të pajtonin imazhin e gjeniut letrar që doli nga faqja me figurën e Shekspirit historik.

Sigurisht, një njeri me fillime kaq modeste dhe me sa duket pak arsim, nuk mund të kishte prodhuar kaq shumë kryevepra letrare.

Këta kritikë njiheshin si “anti-stratfordianët” dhe ata argumentuan se autori i dramave që i atribuohen Shekspirit duhet të ketë qenë dikush me arsim të jashtëzakonshëm dhe me një fjalor të gjerë. Ai (ose ajo) gjithashtu duhet të ketë pasur njohuri intime të ligjit, oborrit mbretëror dhe politikës aristokratike, përveçse të jetë i udhëtuar mirë dhe i ditur kur bëhet fjalë për punët e jashtme.

Megjithatë, figura historike e Uilliam Shekspirit nuk i përshtatet këtij profili. Ai lindi në një familje me status relativisht të ulët në Stratford-upon-Avon dhe nuk ka asnjë provë të drejtpërdrejtë që ai ka marrë ndonjëherë një arsimim të duhur. Disa studiues madje kanë vënë në dyshim nëse ai ishte fare i ditur.

Sipas revistës “History”, ekzistojnë vetëm gjashtë dokumente të vërtetuara në të cilat Shekspiri nënshkroi emrin e tij dhe asnjë dorëshkrim që është vërtetuar përfundimisht se janë me dorëshkrimin e vetë Shekspirit.

Nënshkrimet e tij janë mezi të lexueshme dhe përmbajnë variante të shumta drejtshkrimore të emrit të tij. Si rezultat, disa teoricienë kanë argumentuar se vetë Shekspiri ishte në thelb analfabet.

Nëse Shekspiri nuk i shkroi dramat dhe sonetet që i atribuohen emrit të tij, atëherë kush i shkroi?

Një nga kandidatët më të njohur, i favorizuar nga teoricienët e shekullit të 19-të, ishte Zoti Francis Bakon, një shkencëtar dhe filozof i cili ishte bashkëkohës i Shekspirit.

Disa teoricienë kanë gjetur modele midis dramave të Shekspirit dhe shkrimeve të Bakon që mund të sugjerojnë autorësinë e përbashkët. Për shembull, numri i madh i referencave ligjore në dramat e Shekspirit tregon për një autor me një sfond të fortë ligjor, siç është Bakon.

Studiues të tjerë, si Isak Hull Plat, kanë sugjeruar madje se Bakon ka lënë shifra dhe të dhëna në tekstin e dramave të Shekspirit. Për shembull, fjala latine e panjohur honorificabilitudinitatibus, e cila gjendet në “Love’s Labour’s Lost” mendohet të jetë një përkthim i Hi ludi F. Baconis nati tuiti orbi. Kjo përkthehet si “këto shfaqje, pasardhësit e F. Bacon, janë ruajtur për botën”.

Edhe pse kjo teori ishte e njohur në fund të shekullit të 19-të dhe në fillim të shekullit të 20-të, një tjetër kandidat e ka kaluar Bakon në popullaritet mes anti-stratfordianëve. Eduard de Vere, Konti i 17-të i Oksfordit, ishte një poet i mprehtë dhe i shquar për patronazhin e tij ndaj teatrit.

Ai ishte jashtëzakonisht i arsimuar, udhëtoi gjerësisht (veçanërisht në Itali) dhe kishte një njohuri intime të politikës jakobeane. Ai i përshtatej profilit të autorit shekspirian dhe shumë tani besojnë se ai përdori figurën e Shekspirit si pseudonim për t’u mbrojtur nga kritikat e bashkëmoshatarëve të tij aristokratë.

Kandidatë të tjerë të mundshëm përfshijnë Uilliam Stanlei, Konti i 6-të i Derbit, dhe Kristofer Marlou, poeti dhe dramaturgu i famshëm që mendohej se kishte vdekur në një përleshje në bar në 1593.

Sipas Guardian, teoricienët e konspiracionit sugjerojnë se vdekja e Marlout  ishte falsifikuar, për ta lejuar atë t’i shpëtonte gjyqit dhe dënimit se ishte ateist. Më pas mendohet se ka përdorur figurën e Shekspirit për të vazhduar shkrimin.

Edhe pse këto teori ofrojnë mundësi emocionuese, nuk ka asnjë provë të drejtpërdrejtë që të sugjerojë se ndonjë nga këto figura ka shkruar në të vërtetë dramat që ne tani ia atribuojmë Shekspirit.

Në të kundërt, ne kemi një bollëk dëshmish dokumentare që sugjerojnë se Shekspiri ekzistonte, se ai jetonte në Londër dhe Stratford-upon-Avon dhe se ai fitoi rrugën e tij si dramaturg, aktor dhe biznesmen. Si rezultat, shumica dërrmuese e studiuesve të Shekspirit vazhdojnë të besojnë se ai ishte autori i vërtetë i këtyre dramave dhe poezive./(gazetashqiptare.al)


Lexo edhe:

WILLIAM SHAKESPEARE, FAKTE “INTRIGUESE” QË NDOSHTA NUK I DINIT