A fshin globalizimi kujtesën kombëtare dhe identitetin e njeriut e të kulturës?

globalizmi

Të shkruash për librin “Globalizmi dhe romantizmi antikapitalist” të sociologut të njohur dhe “Mjeshtërit të Madh”, Gëzim Tushi, është si të prekësh me dorë, jo vetëm koren e jashtme të planetit tonë tokësor, por dhe misteret e tij të brendshme, të vërteta dhe romantike.

Nga Sejdo Harka

Në faqet e këtij libri shpalosen, si në një ekran të madh jetësor, e sotmja dhe e ardhmja e njerëzimit, në udhëtimin e tij të gjatë dhe të vështirë, drejt procesit të pashmangshëm modern të globalizimit të gjithë botës. Kur fillova punën për të shkruar këtë libër, thekson autori në kopertinën e tij, isha i bindur për natyrën e kësaj teme delikate, sa e shenjtëruar, aq dhe kontroversale dhe e anatemuar. Por, i imunizuar nga frika për të thënë të vërtetën, ashtu si e mendoj, jam i bindur patundësisht, se globalizmi mbetet e ardhmja e njerëzimit.

Sot, jetojmë në një botë të re, me një proces të gjithanshëm ndryshimesh, të cilat, sipas sociologut Zygmunt Bauman, vijnë nga shkaqe të fshehta të botës globale, të cilat askush nuk mund t’i shohë me sy. Është kjo arsyeja, që njerëzit janë të dënuar të vuajnë pasojat e funksionimit të saj normal, pa të papritura, mistere, frikëra e tmerre të mëdha. Por, edhe pse kjo problematikë ka dimensionet e globit, me shumë mistere dhe enigma, janë të shumtë ideologët, politologët dhe sociologët e botës, që mendojnë se globalizmi është dhe duhet të jetë e ardhmja e njerëzimit, që ëndërron një jetë në paqe të vërtetë dhe me një zhvillim të gjithanshëm ekonomik, shoqëror dhe kulturor.

Janë të shumtë ideologët dhe sociologët me famë botërore, që theksojnë se, veçanërisht pas rënies së Murit të Berlinit bota është gati për të hyrë vrullshëm në procesin e gjallë të zhvillimit universal të njerëzimit. Në ditët e sotme, thekson sociologu D. Schnapper, po krijohen kushtet e duhura që njerëzimi të kalojë, nga integrimi nëpërmjet kombit, në një integrim universal, i cili përfshin tërë globin. Në këtë proces të gjallë integrimi, të gjithë njerëzit, theksojnë sociologët e kohës, kanë pozicionin dhe detyrat e tyre morale ndaj procesit të globalizmit. Ata që i shmangen këtij procesi të gjatë, ose janë egoistë, ose racistë.

Mjeshtëri i Madh dhe profesori i psikologjisë, Gëzim Tushi, është autor i shumë librave me vlera të veçanta për sociologjinë shqiptare. Një nga librat e tij më të të mirë, që ka dalë në qarkullim kohët e fundit, është ai me titullin “Globalizmi dhe romantizmi antikapitalist”, të cilin e kemi bërë objektin kryesor të këtyre shënimeve. Në këtë libër ndërthuren bukur njohuritë shkencore të një sociologu të ditur, me ato të ideologut vizionar. Ai, në rolin e sociologut krijues, i ngjan një mjeku të mirë, që, mbasi ka zbuluar sëmundjen e pacientit, di dhe ta kurojë atë, për ta shëruar plotësisht. Kështu vepron edhe sociologu G. Tushi me problematikën sociale që trajton në librin e tij. Mbasi zbulon gjendjen, vlerat, avantazhet dhe dobësitë e pengesat e procesit të globalizmit, jep mendimet e tij për zhvillimin e këtij procesi të gjatë dhe rrugët për kapërcimin e vështirësive, gjatë këtij procesi, të pakthyeshëm.

Vetë titulli i këtij libri, sa i drejtpërdrejtë, aq dhe metaforik, të çon në mendimin se, autori krahas argumentit dhe fjalorit të gjallë shkencor, për ta bërë librin sa më tërheqës e social, herë pas here përdor edhe një gjuhë tërheqëse metaforike. Krahas problematikës së gjerë me vlera të mëdha sociale për të gjitha shtresat shoqërore dhe moshat, edhe gjuha e kthjellët e tërheqëse, plot pyetje sugjestionuese, sentenca dhe metafora, e bëjnë këtë libër të lexohet me kënaqësi. Antitezat kondroversale midis vlerësimit real të shumicës së ideologëve, politologëve dhe sociologëve më të mëdhenj të botës, që e konsiderojnë procesin e integrimit global si ideologji të vetme sunduese, dhe nga ana tjetër “romatikët antikapitalistë”, që e sheh procesin e integrimit global si shkatërrues të identitetit të kombit, kulturës dhe individualitetit të njeriut, e bëjnë librin, sa polemik, aq dhe tërheqës.

Janë këto disa nga arsyet, që mendojmë se ky libër, me problematikën universale që trajton dhe gjuhën e qartë, mund të lexohet me kënaqësi nga njerëzit e të gjitha profesioneve dhe të shtresave shoqërore, pa dallim moshe dhe niveli arsimor. Brendia e këtij libri do t’u japë atyre njohuritë e domosdoshme që, jo vetëm të kuptojnë rëndësinë e procesit të gjatë të globalizmit, por dhe do t’i nxitë e frymëzojë ata të bëjnë atë që mundin për realizimin e kësaj ëndrre të madhe të njerëzimit të sotëm dhe të ardhshëm global.

Problematikat që trajton dhe pyetjet, të cilave autori G. Tushi mundohet t’u japë përgjigje, janë të shumta. Në këtë libër ai ëshë i interesuar të kundërshtojë me argumente shkencore idenë sempliste të disa ideologëve dhe sociologëve se, gjoja “globalizmi do të sjellë një çorbë kulturore të padiferencuar”. Por, në të vërtetë, thekson autori, globalizmi nuk mund të bëhet kurrë shkak për “rrafshimin kulturor”. Kjo ide është e gabuar dhe cinike. Me gjithë ndryshimet që mund të sjellë procesi i globalizmit, ato nuk mund të mjegullojë plotësisht të veçantat e papërsëritshme të kulturës së popujve të ndryshëm të botës.

KUR KA LINDUR GLOBALIZMI?

Për t’i dhënë përgjigje kësaj pyetjeje, autori i referohet profesorit të Universitetit të Lubianës, Ales Debljak, i cili thekson se, globalizmi, si dukuri ka nisur që në shekullin VI. Por, si proces, ka filluar me rënien e Murit të Berlinit, në fundin e shk. XX, kur kapitalizmi modern perëndimor, u bë sistem global i padiskutueshëm. Procesi i globalizimit, për autorin nuk është një proces utopik, por një proces i gjatë, me të panjohurat, kundërshtitë dhe vështirësitë e mëdha të padiskutueshme. Aq më tepër, kur përveç diversitetit të mendimeve të njerëzve, ende ekzistojnë sherre e grindje politike, ideologjike dhe etnike, deri në luftra të përgjakshme, që shpërthejnë papritur, ashtu si llavat e vullkaneve të fjetur. Prandaj, thekson autori, me këtë libër kam për qëllim të ndikoj tek njerëzit kulturalisht se, trasformimet globale nuk mund të bëhen mbi bazën e koncepteve të vjetëra nacionaliste dhe sovraniste.

Ky libër inspirohet nga ideja se, globalizmi është një rrugë e pashmangshme, që i çelet njerëzimit të planetit tonë, për të ecur i sigurtë drejt së ardhmes. Këtë ide autori e mbështet te bindjet e ideologëve, politologëve dhe sociologëve më të njohur të botës së sotme. Gëzim Tushi, për të argumentuar bindjet e tij për përparësitë e globalizmit, citon ish-kancelaren e Gjermanisë, Angela Merkel, e cila thekson: “Më mirë planetin e përbashkët ta shohim si një atdhe, i cili, jo vetëm nuk i mohon atdhetë e tjerë ekzistues, por përkundrazi, i përfshin dhe i mbron ata”.

Por, për fat të keq, shumë politologë e sociologë e shohin globalizmin me frikë e skepticizëm. Kjo frikë, thekson Ales Debeljak, çon ujë në mullirin e kundërshtarëve të procesit të globalizmit. Sociologët më të guximshëm të botës kanë arritur në konkluzionin se, shekulli i XXI, duhet të bëhet shekulli i globalizmit tërësor ekonomik dhe shpirtëror i njerëzimit. Në këtë libër nuk lihet jashtë vëmendjes as nevoja për krijimin e unitetit të ri njerëzor social, që duhet të shfaqet në formën e siolidaritetit universal.

Pyetja tjetër, që autori i këtij libri mundohet t’i japë përgjigjen e duhur është: Cili duhet të jetë raporti midis të përveçmes dhe universales në procesin e globalizmit? Për të na bindur për këtë raport, autori citon Hegelin, i cili është i pari që i ka dhënë përgjigje kësaj pyetjeje.

Sipas tij: “Universalja nuk është mohim i të përveçmes”. Për këtë filozofi hegeliane bëhen debate të mëdha. Rëndësi ka që e veçanta nuk duhet të bjerë ndesh me globalen universale. Duke analizuar globalizmin si dukuri e re, autori ndeshet përballë dy ideve relevante: Së pari, nevojën e njeriut për të mbrojtur “rrënjët kombëtare”, si shfaqje e identitetit dhe, së dyti, nevojën që kanë njerëzit për të jetuar përtej trojeve të tyre. Për kushtet e sotshme, thotë autori, njeriu është i detyruar të gjejë një rrugë të mesme, që lidh historinë e rrënjëve të njeriut me përshtatjen e tij me vendin e ri, ku ai ka vendosur të punojë dhe banojë. Rëndësi ka që të kapërcejë frikën dhe të përshtatet me jetesën e vendit ku banon. Për të argumentuar këtë ide, G. Tushi citon sociologun D. Murray, i cili mes të tjerash thekson: “Pasi njeriu të ketë arritur stadin e integrimit global, s’ka se si të mos pësojë një lloj shdërrimi…”.

Sipas sociologut Z. Bauman, globalizmi sintetizohet në një botë me shumë kultura, por me një njerëzim. Në botën globale kufijtë bëhen më pak të efektshëm, duke e zbehur kuptimin e vjetër të tyre, sepse problemeve globale u jepet zgjidhje vetëm me filozofi globale. Autori, në këtë libër i kushton rëndësi polemikës me disa ideologë e sociologë, që bëjnë kasandrën me globalizmin, i cili, sipas tyre, fshin kujtesën kombëtare dhe identitetin e njeriut e të kulturës. Ndërsa G. Tushi, mbështet fuqishëm ata ideologë dhe sociologë me famë botërore si K. A. Apriah, që thekson se, vetëm së bashku mund të përmirësojmë standardet e jetës. Së bashku mud të zbatojmë rregulla të reja politike, tregëtare dhe humane, mund të marim masa më efikase për të përballuar pandemitë, ndryshimet klimaterike dhe fatkeqësitë natyrore; mund të përballojmë tiranitë dhe të ruajmë më mirë jetët njerëzore e vlerat e mëdha kulturore…Prej këtej, autori del me konkluzionin se, “… integrimi i njerëzve është një dukuri botërore e pathyeshme e kohës”.

Globalizmin, autori i këtij libri e koncepton si ideologji planetare. Përballë kësaj çështjeje të madhe, ai shtron pyetjen: Ç’është në të vërtetë globalizmi? Zgjerim për të intervenuar në mënyrë të lirë strukturat politiko-ekonomike e kulturore të globit, apo thjesht, një imperializëm i ri ekonomik e social-kulturor. Në sistemin global do të zgjerohen hapësirat e përbashkëta qytetare, apo Perëndimi do të ndërtojë një centrizëm të ri, në favor të interesave të tij ekonomike. Në të vërtet, sot edhe në Shqipëri janë krijuar kushtet për ta kthyer procesin e integrimit global në ideologji sunduese në të gjitha sferat e jetës. Pjesë e globalizmit është bërë, jo vetëm ekonomia, por edhe kultura, e cila ndryshe quhet “globalizmi i tretë”. Por, “globalizëm kulturor” nuk do të thotë unifikim kulturor, artistik, shpirtëror, estetik dhe i mënyrës së jetesës.

Unifikimi kulturor e ngushton planetin tonë, nuk e zgjeron atë. Për sociologun Gëzim Tushi, multikulturalizmi nuk është kulturë e imponuar nga globalizmi, por një prirje e tendencës denacionalizuese… Sot, është e vështirë të bësh dallimin mes kulturave autentike kombëtare e lokale. Diferencat mes tyre, vërtet nuk janë të mëdha, por në disa aspekte të veçanta, procesi i globalizmit nuk ka mundur t’i nivelojë ato. Këtë mendim, autori i këtij libri e mbështet tek ideja e filozofit Giani Vattimo, i cili thekson se është e vështirë të mendohet për një kulturë tërësisht të globalizuar…

Për Gëzim Tushin, edhe ky rend modern ka paradokset e tij, sepse nuk ka mundur të kapërcejë tensionet dhe divergjencat mes lokales dhe universales. Nuk është aq e lehtë t’u bësh ballë taborrëve të antiglobalistëve, të cilët e paraqesin globalizmin si komplot për asgjësimin e lokales, që synon të shkatërrojë gjithçka individuale dhe të papërsëritshme. Por në të vërtetë, shoqëria e sotme e ka kapërcyer psikologjinë foshnjore të ndarjes, që vjen nga frika e nivelimit të dallimeve thelbësore. Ndaj, autori i këtij libri thekson se, nuk është, as për shenjtërimin Ish Presidenti i Amerikës Barak Obama, për të ngritur lart vlerat e globalizmit, nënvizon se, “…ne si komb duhet të gjejmë gjuhën e përbashkët, që idealet e globalizmit t’i vëmë në jetë”.

Për shkak se ende jetojmë në një botë kondroversale, që pëjeton grindje e përgjakje për shkaqe kufijësh, trojesh, kapitalesh dhe triumfe politikash e ideologjish, globalizimi i planetit tonë bëhet i vështirë. Ka disa politologë dhe sociologë që mendojnë se, globalizmi ka thelluar diferencën mes të pasurve dhe të varfërve, ka shtuar drogën dhe krimin, etj. Prandaj, autori i librit shtron si detyrë imediate të kohës, gjetjen e rrugëve të reja për amortizimin e përplasjeve dhe gabimeve të bëra në procesin e integrimit global të njerëzimit. Siç kemi theksuar edhe më lart, gjat procesit të globalizmit, vështirësi dalin edhe për fytyrën që do të marrë kultura në botën e integruar. Studiuesi i sociologjisë, G. Tushi nuk është, as për centralizmin kulturor dhe, as për feshitizimin e tipareve nacionale të kulturës.

Për të, globalizmi është një haraç, që duhet paguar me kostot nacionale e kombëtare, për të krijuar një multikulturë që t’i shërbejë gjithë njerëzimit të globit, në kuadrin e një “shteti me dimensione botërore”. Por, sigurisht që brenda këtij “shteti” do të ekzistojë edhe diversiteti mes shteteve dhe kombeve, që nga njera anë i jep frymëmarrje ekuilibrit mes të përgjithshmes dhe të veçantës, nga ana tjetër krijon pakënaqësi dhe rreziqe të paparashikuara. Më poshtë, autori mundohet t’i japë përgjigje pyetjes: Cilat janë raportet, pengeat dhe vështirësitë e reja politike, ideologjike, ekonomike dhe kulturore që krijon procesin e integrimit global?

Shëmbja e Murit të Berlinit, thekson ideologu Samuel Hntngton solli kushte të reja për demokracinë botërore. Prandaj globalizmin, ai e quan “valë të tretë të demokracisë botërore”. Por, për fat të keq edhe në ditët e sotme, kur shumë ideologë, politologë e sociologë hodhën idenë e globalizmit, si e vetmja ideologji sunduese e kohës, në disa pika të nxehta të botës, shfaqen herë pas here grindje e konflikte të ashpra luftrash. Sipas G. Tushit, që bota të ndërtojë një glob të zhvilluar në paqe, duhen aktorë të mëdhenj globalistë.

Ata, jo vetëm duhet të dinë të formulojnë një platformë të qartë integrimi dhe zhvillimi të njerëzimit të planetit tonë, por dhe të këmbëngulin për zbatimin e tij rigorioz, larg interesave të ngushta kombëtare e teritoriale. Rruga e procesit të globalizmit është e mbushur me plot të papritura dhe enigma. Para kësaj udhe të gjatë njerëzit kërkojnë të dinë: Kush do të jenë ata njerëz që do ta garantojnë procesin e gjatë të globalizmit. Si do të jetë shoqëria pa atdhe? Si do të ndërtohet ky proces gjithëpërfshirës, që i duhet të harmonizojë nacionalen me planetaren? Si do të mënjanojë konceptet e mentalitetet provinciale, që pengojnë procesin integrues kontinental dhe global? Cili do të jetë fati i kulturës dhe i qytetërimit etnik në kufijtë e botës së hapur globale, pa gardhe e kufij gjeopolitikë, ideologjikë dhe kulturorë?

Në përpjekje për t’u dhënë përgjigje disa prej këtyre pyetjeve, autori i librit thekson se, vërtet globalizmi sjell shumë efekte pozitive për shoqërinë e sotme dhe të ardhme, por nuk duhet të mbyllim sytë përballë dukurive negative. Me gjithë atë, ai kundërshton me forcë ata ideologë e sociologë që globalizmin e quajnë “gogol” të identitetit. Ata, identitetin e shohin me syrin e vjetër primitiv. Në të vërtetë, globalizmi krijon kushte optimale për zhvillimin e gjithanshëm të shoqërisë, ekonomisë dhe kulturës. Koncepti modern i kohës për zhvillimin e kulturës ëshë multikulturalizmi.

Globalizmi i jep përparësi zhvillimit global të botës, dhe jo egocentrizmit të ngushtë nacional. Konceptet konservatore, se gjoja globalizmi e copëzon dhe e dhunon kulturën dhe botën shpirtërore të individit e të kombit, janë primitive. Ato janë ide të verbëra dhe tendencioze, sepse shohin vetëm anët e errëta të globalizmit dhe jo benefitet që i sjell njerëzimit procesi i globalizmit. Ka edhe mendime ekstreme, se gjoja globalizmi është një proces denigrues, që synon të unifikojë njerëzimin në një front materialist.

Ky libër i jep përgjigje edhe pyetjes: Cilët janë kufijtë e globalizmit dhe si i tejkalon njeriu mendjendritur këta kufij? Është e vërtetë, që njeriu në prani të globalizmit ndjehet i kërcënuar nga frika, se identitetii tij mund të zhduket. Ndaj, për të ruajtur individualitetin e tij të papërsëritshëm, thotë sociologu C. Mogris, lufton që të veçantën e tij ta ruajë në mënyrë primitive. Në fakt, thotë ai, globalizmi, jo vetëm që nuk e zhduk individualitetin e njeriut dhe lokalen, por dhe i zhvillon dhe promovon ato si vlera të veçanta të globales. Kurrë nuk mund të zhvillohesh nëpërmjet mbylljes hermetike, izolimit nga të tjerët. Sot, rëndësi ka që njeriu të jetojë e punojë në bashkëekzistencë paqësore me të tjerët.

Një rëndësi të veçantë në këtë libër, autori i kushton procesit të Integrimit Europian të vendit tonë, të cilin e sheh si domosdoshmëri të kohës. Një fat i madh qëndron te fakti, që i gjithë populli shqiptar është proevropjan i flaktë. Sociolugu Gëzim Tushi, për ta motivuar më tej citon sociologun e Universitetit të Mynihut U. Beck, i cili thekson se, “…rruga drejt njësimit të Europës, kalon përmes njohjes së të veçantave, dhe jo përmes uniformitetit të tyre”.

Diversiteti është burim i vërtetë i zhvillimit potencial dhe integrues të Europës. Prej këtej del konkluzioni se, shqiptarët do ta ndjejnë veten më të lumtur, kur të jenë bërë qenie kontinentale europiane. Ka edhe segmente të këputura të shoqërisë së sotme, që për shkak të pikpamjeve sovraniste, më shumë u fryjnë dobësive dhe gabimeve të këtij procesi, se sa llambave të ndezura të këtij procesi të pakthyeshëm dhe të pandalshëm. Në fund të fundit, integrimi kontinental dhe ai global, as nuk prodhon klishe të barabarta dhe as nuk zhduk të veçantën dhe të papërsëritshmen, qoftë edhe të një vendi dhe kombi të vogël.

Autori në këtë libër bën përpjekje t’u japë përgjigje dhe pyetjeve të tilla si: Cili do të jetë raporti mes etnikes dhe globales dhe kush është fati i individit në një shoqëri globale? Në këtë libër sqarohet drejt mendimi, se globalizmi nuk kërcënon as “shtetin komb”, as individin, as kulturat e ndryshme, përkundrazi krijon të gjitha kushtet për ekzistencën dhe zhvillimin e mëtejshëm të tyre. Ky proces krijon kushtet e domosdoshme të garës dhe konkurencës mes vlerave të individëve, kombeve dhe vendeve dhe kulturave të tyre. Sot, nuk mund të jesh i izoluar nga globi dhe nuk mund të mbyllësh sytë përpara ndryshimeve të thella globale.

Në fillimin e viteve ’90 dukuritë e hapjes dhe të integrimit po bëhen pjesë e jetës së përditshme. Prirjet liberale të gjithanshme, po bëhen traseja e vetme drejt Europës dhe botës. Është koha që të mos bëjmë eksperimente me rrugë e mjete të gabuara, të udhëhequra nga pseudo-politika sovraniste, ksenofobe të stisura nga politikanë të caktur për të siguruar prestigje e vota partiake të pamerituara, duke u fshehur pas betimit false, se gjoja, gjithçka e bën për të mbrojtur interest e vendit.

Një vend të dukshëm në këtë libër zë përgjigja e pyetjeve të tilla si: Ç’rol do të luajë globalizmi ndaj identitetit dhe dinjitetit qytetar të njeriut. Do t’i dobësojë, apo do ta forcojë ato më tej? Do të krijojnë qytetarin e lirë, pa gardhe e kufij të ngurtësuar, me personalitetin, individualitetin, arsimin dhe kulturën e domosdoshme, që do t’i krijojë mundësi për t’u punësuar lirisht në çdo cep të globit, apo njeriun global, të standartizuar, që do t’i ngjajë robotit modern.

Për mendimin tim, thekson G. Tushi, identiteti i njeriut përsoset përmes diversitetit, i cili është thelbi i filozofisë së globalizmit. Vetëm duke jetuar në diversitet idesh dhe kulturash qytetare dhe identitetesh të papërsëritshëm, tejkalohet rrafshimi i identiteteve kombëtare dhe i qytetërimeve globale. Kjo ide nuk presupozon konflikte të ashpra antagoniste e luftra të përgjakshme, por diversitete paqësore, qytetërimesh, kulturash, idesh dhe idividësh që lindin në një proces të gjatë bashkëjeteseje paqësore. Kjo bashkëjetesë qytetare do të krijojë parametra të reja edhe për pakicat kombëtare. Brenda këtij uniteti të madh global gjallojnë diversitetet e vogëla, të cilat, pas një seleksionimi të vetvetishëm, promovohen kultura të reja ekonomike, shkencore, kulturore dhe sociale. Sociologjia e sotme mendon se globalizmi ka avantazhet dhe problematikat e saj shqetësuese.

Ende, thekson autori, globalizmi ka dilema strukturore, paqartësi konceptuale, që lidhen me pozitën e vendeve, popujve, ekonomive dhe politikave konfliktuale kufijësh e idesh, të cilat në disa rajone kanë degjeneruar deri në luftra të përgjakshme. Këto dukuri negative kanë sjellë frikë, pasiguri dhe papërgjegjësi globale për të gjetur rrugë të sigurta utilitare, në kuadrin e botës së globalizuar. Për fat të keq, thekson sociologu G. Tushi, çështjet globale nuk kanë patur zgjidhje afatgjata, sepse ideologjia globaliste shpesh ka ecur në një teren të minuar. Kjo ka bërë që, ashtu siç thekson sociologu Z. Bauman, njerëzit e disa zonave vullkanike luftrash vuajnë nga ankthi i luftrave dhe nga pasiguria e jetës, për eleminimin e të cilave bota e sotshme mbetet e pafuqishme. Në këto kushte, ende shtetet e sotme, shkrun autori, “mbyllen brenda sigurive të tyre të vogëla”.

Pafuqishmëria e botës për të shuar konfliktet e sotme rajonale, ndoshta është shkaku kryesor, që e bën të vështirë realizimin e procesit të globalizmit, por jo të pamundur në të ardhmen. Globalizmi është kundra nënshtrimit të detyruar të shteteve dhe kombeve të vegjël para preferencave të shteteve e kombeve më të mëdhenj. Arroganca e të mëdhenjëve ndaj të vegjëlve, bën që të dështojë paqja dhe i gjithë procesi global. Ky proces paqësor nuk mund të zbatohet, as me koncepte sunduese, as me koncepte fanatike të lartësimit të gardheve e kufijëve nacionalë, as me kultura puritane të izoluara. Sot para njerëzimit shtrohet pyetja retorike kuptimplote: Të mbështetim qytetërimin e lirë, mendjehapur, apo t’u përulemi fanatikëve mediokër, jo tolerantë?!

Pyetje të tilla retorike e kanë përgjigjen brenda tyre. Njeriu i ditur, patjetër do të ecë drejt qytetërimit të lirë. Koha kërkon që njerëzia të shkojë drejt paqes globale me mirëkuptim. Vetëm po të jesh miop, shkruan Gideon Rose, nuk mund ta kuptosh forcën e integrimit ekonomik e kulturor për sigurimin e bashkekzistencës paqësore mes popujve të globit. Më poshtë, lexuesi do të gjejë edhe përgjigjen e pyetjeve të tilla që autori shtron para vetes dhe të gjithë njerëzve për diskutim: Pse bota globale është më e sigurtë se ajo lokale? A është globalizmi rruga e vetme e duhur e njerëzimit të ardhshëm? Procesi i gjatë globalist, do të krijojë njerëz më të ditur dhe më qytetarë, apo shtampa të njeri-tjetrit…?

Pyetjeve të tilla autori është munduar t’u japë përgjigje, jo vetëm përmes bindjeve të tij, por dhe të shumë ideologëve, politologëve dhe sociologëve më të mëdhenj të botës. Në mendimet e tij ai shpesh lë shteg për diskutime të hapura. Por, për një çështje themelore ka bindje të plotë: “Globalizmi është një rrugë e pakthyeshme për zhvillimin universal të njerëzimit të ardhshëm”.

ObserverKult


Lexo edhe:

ÇDO DITË PO RREZIKOHET/ TUPJA: ËSHTË E FRIKSHME, NJË DITË GJUHA SHQIPE DO TË PËRFUNDOJ SHUMË KEQ