Më 11 gusht 1775, ekuipazhi i anijes që merrej me gjuetinë e balenave “Herald”, vuri re diçka të çuditshme në ujërat e brigjeve të Grenlandës.
Një anije e madhe me 3 direkë me emrin “Octavius”, që shkëlqente në kontrast me akullin dhe borën, po lëvizte në drejtim të tyre teksa në bord nuk duket se kishte asnjë njeri.
I shoqëruar nga 4 njerëz, kapiteni Uorren hipi në anijen misterioze për të mësuar se çfarë kishte ndodhur.
Ajo që panë i ngjan historive horror: 28 marinarë të vdekur, të mbledhur kruspull njeri pas tjetrit për ta mbrojtur veten nga i ftohti.
Po ashtu ata panë një grua dhe një fëmijë, që kishin vdekur të përqafuar më njeri-tjetrin dhe një marinar tjetër të ngrirë, që dukej se ishte përpjekur më kot të ndizte zjarrin në kuvertë.
Në dhomën e kapitenit, u gjet i pajetë kapiteni i anijes, ende i ulur në tryezën e tij, duke shkruar radhët e fundit në ditarin e tij mbi atë udhëtim tragjik.
Ato mbanin datën 11 nëntor 1762. Pra ekuipazhi kishte vdekur prej 13 vjetësh. Megjithatë, aspekti më intrigues nga të gjitha ishte vendndodhja e fundit e regjistruar e anijes:75°N 160°W, rreth 402 kilometra në veri të vendit që sot njihet si Utqiagvik, Alaskë.
Mesa duket “Octavius” kishte arritur të pamundurën, duke lundruar me sukses nëpër Kalimin Veriperëndimor, gati një shekull përpara se këtë ta arrinin anijet e tjera. Dhe e kishte bërë këtë pa asnjë njeri të gjallë në bord.
Të paktën kështu thotë legjenda. Por a ka ndonjë të vërtetë në këtë histori?
Apo është thjesht një histori tjetër me anije fantazmë, si ajo e Devi Xhons apo Holandezit Fluturues më parë, që tregoheshin për të frikësuar të rinjtë që të qëndronin larg detit mizor dhe kapriçoz? E vërteta është se me siguri që edhe kjo histori nuk është asgjë më shumë sesa një legjendë.
Referenca më e hershme mbi “Octavius” shfaqet rreth vitit 1828 , më shumë se gjysmë shekulli pas zbulimit të saj të supozuar, në gazetën letrare amerikane “The Ariel”.
Por mund të gjenden edhe versionet e mëparshme, me anijen e riemërtuar “Gloriana” që udhëton nga Kalimi Veriperëndimor në Detin Baltik.
Ritregimet e mëvonshme e kanë pagëzuar anijen me emrin “Jenny”, dhe pretendohet se tragjedia ndodhi në anën tjetër të planetit, edhe pse të gjitha detajet e tjera mbeten të njëjta. Pra midis marinarëve ka qarkulluar gjithmonë një histori me anije fantazma.
Por magjepsja e njerëzve të shekujve XIX dhe XX pas anijeve fantazmë, nuk lindi nga askund.
Dhe nga historia na vijnë të paktën 1 ose 2 raste, kur të ashtuquajturat “anije fantazmë” rezultuan të ishin të vërteta. I tillë është rasti i anijes “HMS Terror”.
Edhe ajo u zhduk gjatë një kërkimi fatkeq për Kalimim Veriperëndimor, duke marrë me vete më shumë se 120 jetë njerëzish dhe anijen tjetër “HMS Erebus”.
Ndërsa detet e akullta ngrinë rreth anijeve, ato u bllokuan plotësisht në vend. Ekuipazhi e braktisi anijen me shpresën se do të udhëtonte më këmbë drejt jugut për të shpëtuar.
Por me furnizimet ushqimore të pakta dhe me mijëra kilometra djerrinë të ngrirë që kishin përpara, ata vdiqën që të gjithë. Misionet e mëvonshme të kërkimit gjetën vetëm skeletet dhe ditarët që regjistronin vdekjen e tyre.
Fillimisht të dëmtuar nga moti i ashpër i Arktikut në vitin 1848, “Erebus” dhe “Terror” u bënë objekt i njërit prej mistereve më të mëdha detare në botë deri në zbulimet e tyre përfundimtare, respektivisht në vitet 2014 dhe 2016.
Ashtu si “Octavius”, anijet dukeshin si të ngrira në kohë. “Anija “Terror” ishte në një gjendje aq të paprekur saqë nëse do të shkëputej nga akulli ajo ndoshta do të notonte pa problem”- tha për CNN zëdhënësi i Fondacionit të Kërkimeve Arktike Adrian Shimnovski.
Pastaj është historia e “SS Baychimo”, një anije fantazmë, por për të cilën ka prova aktuale fotografike që e mbështesin rrëfimin mbi të.
Pas gati 2 dekadash lundrimi të suksesshëm rreth oqeaneve të Arktikut, anija u bllokua në një stuhi në Ishujt e Kuajve të Detit, jo shumë larg nga vendi ku “Octavius” supozohet se regjistroi vendndodhjen e saj të fundit.
Përsëri, ekuipazhi dhe pasagjerët e braktisën anijen. Disa shkuan në Alaskë dhe Vankuver, ndërsa ca të tjerë dimëruan aty pranë derisa anija të ishte gati për të nisur sërish udhëtimin.
Por në nëntor të atij viti, ndodhi një stuhi tjetër. Dhe kur moti u përmirësua anija ishte zhdukur.
“Kapiteni dhe ekuipazhi supozuan se anija ishte fundosur. Por shumë shpejt ata morën lajmin se një gjuetar Inuk e kishte parë “SS Baychimo”, sërish të mbushur në akull, afro 72 km në jug të kampit të tyre”- thotë Kërtni Pashe, bashkëpunëtore e regjistrimit të koleksioneve në Muzeun Manitoba.
Ekuipazhi arriti të gjejë anijen, mori çdo gjë që ende vlente dhe e braktisi atë në akull. Por nga ai vit dhe deri në vitin 1969, anija pa ekuipazh do të shihej duke lundruar nëpër detet e Arktikut të paktën shtatë herë.
Madje disa eksploratorë pretendojnë se kanë hipur në anijen misterioze.
“SS Baychimo” nuk është parë më prej më shumë se 50 vjetësh. Por kjo nuk i ka penguar njerëzit që ta kërkojnë atë, bashkë me rreth 4.000 anije të tjera që janë mbytur përgjatë bregut të Arktikut.
Dhe ndërsa ajo ka shumë të ngjarë të ketë përfunduar, si shumë të tjera para saj, në fund të oqeani, një gjë është e sigurt: nëse anija “HMS Terror” mundi të rishfaqej pas gati 170 vjetësh nën thellësitë e akullta të detit edhe “SS Baychimo” mund të ketë një shans të tillë. / Bota.al
ObserverKult
Lexo edhe:
BEN BLUSHI: FANTAZMA E ENVER HOXHËS RIVJEN PËRMES NJË HISTORIE ME ANDI BUSHATIN
Shkrimtari Ben Blushi vjen para lexuesit në panair me librin “41 sekrete” në stendën e botimeve “Pegi”.
Në një intervistë për “News24”, ai zbulon sekretet e Ismail Kadaresë, Robert Ndrenikës, Edmond Tupjes dhe disa histori me Andi Bushatin, Enver Hoxhën apo Edi Ramën.
Lufta në Ukrainë, largimi i Shqipërisë me Kosovën dhe politika në një kohë që demokracitë dobësohen, janë po ashtu pjesë e bisedës po ashtu, çështja e islamit në Shqipëri.
Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:
ObserverKult