A mund të blejë sot libra një punëtor me rrogën minimale?

libra


Sikur problemi i vetëm kulturor të ishte ” A mundet një punëtor të blejë libra me këto çmime dhe atë rrogë që ka?”- do të kishim mbërritur në një stad lumturie kombëtare. Por në kushtet e sotme situata është e tillë që edhe për “punëtorët e mendjes”, njerëzit e shkolluar të profesioneve të ndryshme, dëshira për lexim është bjerrë ose nuk blejnë dot libra.

Nga Sadedin Mezuraj


Mirë se në qytete ka një bibliotekë publike me një fond librash, që mund t’ i shërbejnë sektit të vogël të lexuesve pasionantë, po në fshatra si i bëhet? Shkollat pa biblioteka ose me një fond mjeran librash .
Dhe meqënëse po flasim për librin, a ka shkuar kush në Bibliotekën Kombëtare, Tempullin Publik të Librit?

Atje, gjëndja është e vajtueshme. Kati i parë, që dikur, sipas standardeve të kohës, ishte aq komod, sot është kthyer në magazinë pirgjesh të arkave me banane…më falni, me arka bananesh mbushur ..me libra!
Ironia e kohës: dikur banania ishte “fruti ndalum”. Sot, është libri fruti i ndaluar në BK, sepse sipas regjimit të vendosur, librat mund të lexohen vetëm në sallën e katit të dytë.

Dikur, ajo sallë ishte përplot me studiuesit e kohës…sot ajo i përngjan një stalle ku shikon katër – pesë fytyra të përhershme në tavolinat e vjetëruara të monizmit. Nëse ti kërkon të shikosh materiale në mikrofilma, punonjëset të thonë: “Aparati për të parë mikrofilmat është prishur!” Dhe ky avaz ka së paku dy vjet! Mirë BK s’ paska fonde, po një thirrje për donacion kompanive private, që kanë zaptuar gjysmën e Pallatit të ” Kulturës”, nuk mund t’ u bëhet?

Po ato fonde që shkojnë për show leximesh e aktivitetesh pa bukë?
Po oligarkët tanë nuk mund të dhurojnë fonde për kulturën e kombit? Apo vetëm për show misesh e zgjidhin qesen?
Dikur, pasunarët e Korçës me ndjenja të larta atdhetarie dhe bamirësie, me fondet e tyre ngritën objekte social – kulturore të cilat edhe sot i bëjnë nder atij qyteti.
Po pasunarët e Tiranës a e kanë vetëdijen për rolin e kulturës dhe të biznesit me profil social ?
Dy CP për të kërkuar në katalogun online qëndrojnë mbi banakun 20 cm të gjërë e në lartësi 1.60cm (si dy ekuilibristë cirku) dhe duhet të rrish në këmbë të kërkosh e shkruash!
Jashtë, një muziktar shëtitës i bie gërnetës gjithë ditën e perëndisë dhe, nëse je në sallë duke lexuar, një melankoli e thellë të pushton, teksa dëgjon atë vajtim klarinete: dhëntë e mia kush i do/
se s’ jam i zoti për to.
Në veshët e mi vargjet marrin formën:
Shteti: librat e mi në BK kush i do,
se s’ jam i zoti për to…

ObserverKult

————————–

Lexo edhe:

EMOCIONALE: VAJTIMI I AJKUNËS