Nga Grace Browne
Në një nga fabulat e Ezopit, “Korbi dhe shtama me ujë”, protagonist është një zog shumë i etur. Ai gjen me në fund një shtamë me grykë të ngushtë që kishte në fundin e saj pak ujë. Pavarësisht gjithë përpjekjeve të tij të dëshpëruara, ngushtësia e shtambës dhe madhësia e sqepit, e pengonte atë të pinte ujë.
Në kulmin e ankthi dhe dëshpërimit i lind një ide. Ai hedh në shtamë një nga një dhjetëra guralecë, derisa niveli i ujit u rrit mjaftueshëm që ai ta pinte ujin. Ezopi ishte duke u përpjekur të na tregonte një shembull në lidhje me vlerën që ka këmbëngulja.
Por studimet laboratorike mbi korbat e Kaledonisë së Re, tregojnë se këta zogj janë vërtet të aftë ta kuptojnë, se hedhja e gurëve në një enë do të sjellë rritjen e niveleve të ujit. Kjo fabul dhe eksperimentet që frymëzoi ajo, janë prova kritike se korbat e kuptojnë shkakun dhe pasojën, diçka që quhet arsyetim shkakësor.
Në librin e tij të ri “Ndjekësit e modeleve: Një teori re mbi shpikjet njerëzore”, Sajmën Baron-Kohen, profesor i psikologjisë dhe psikiatrisë, dhe drejtor i Qendrës Kërkimore të Autizmit në Universitetin e Kembrixhit, mendon pretendimi se korbi është në gjendje të kryejë një arsyetim shkakësor, është disi i tepruar.
Në vend të kësaj, ai argumenton se këta zogj e shoqërojnë një sjellje me një rezultat të veçantë. Ata hedhin gurë diku për të marrë një pjesë të shijshme mishi që pluskon diku në një enë, por ata nuk e kuptojnë në realitet se përse lidhen të dyja gjërat.
Nuk ka dyshim se këta lloj zogjsh janë të zgjuar, por kjo nuk është provë se ata janë të aftë të shpikin një mjet. Shpikja, pretendon Baron-Kohen, është një aftësi që i përket ekskluzivisht vetëm njerëzve. Ajo është edhe gjëja që na ndan nga kafshët, dhe që i ka kthyer speciet tona në “padronët shkencorë dhe teknologjikë të planetit tonë, duke eklipsuar të gjitha speciet e tjera”.
Pra shpikja, është ajo që na bën njerëz. Baron-Kohen thotë se midis 70.000 dhe 100.000 viteve më parë në trurin e njeriut ndodhi një ndryshim gjenetik, që mundësoi evoluimin e atij që ai e quan një “mekanizëm të sistemimit” – një qark i ri që i nxiti njerëzit të shpikin sisteme ose modele të reja përmes arsyetimit shkakësor, në formatin “nëse-dhe-atëherë”.
Ky model arsyetimi nxit shpikjen, dhe kjo aftësi qëndron në themelin e shumë përparimeve që kanë arritur speciet njerëzore përgjatë shekujve:telefonat inteligjentë, raketat, vaksina kundër Covid-19. Baron-Kohen e përkufizon shpikjen në terma të ngushtë:si të jesh në gjendje të krijosh diçka të re në më shumë se s një rast, apo të shpikësh në mënyrë të vazhdueshme atë që ai e quan “shpikje gjeneruese”.
Për të përcaktuar nëse njerëzit janë vërtet speciet e vetme të afta për këtë version gjenerues të shpikjes, ai analizon provat arkeologjike dhe shkencën e kafshëve. Për shembull merrni të afërmit tanë të lashtë hominidë, Homo habilis, Homo erectus dhe Homo neanderthalensis . Ndërsa ata shfaqnin disa risi në një farë mase, Baron-Kohen këmbëngul se ata nuk kishin tendencën për të sistemuar ose shpikur në një mënyrë gjeneruese.
Ai tregon mjetet e kushërinjve tanë evolucionarë, modeli i të cilave vështirë se ndryshoi për miliona vjet. Kjo mungesë e përsosjes së mjeteve së tyre, nënkupton se paraardhësit tanë kanë dështuar në testin thelbësor të njerëzimit: krijimtarinë.
“Shpikjet e paraardhësve tanë hominidë ishin aq të kufizuara, sa mund të shpjegohen më lehtë nga një mekanizëm tjetër, të mësuarit asociativ”- thotë eksperti. Ndërkohë rreth 70.000 vjet më parë, Homo sapiens e fitoi atë nivel, duke krijuar mjete të ndryshme nga çdo gjë tjetër që ishte parë më herët.
Për shembull, harku dhe shigjeta – modeli i të cilave tregon qartazi të menduarit në formatin “nëse-dhe-atëherë”:nëse dikush vendos një shigjetë mbi një tel elastik, e tërheq atë dhe më pas e lëshon, atëherë shigjeta do të ngrihet lart.
Të tjerët argumentojnë se paraardhësit tanë evolucionarë meritojnë një vlerësim pak më të mirë. Një nga ato është Rebek Sajks, bashkëpunëtore në Shkollën e Arkeologjisë, Klasikëve dhe Egjiptologjisë në Universitetin e Liverpulit. Ajo e hedh poshtë tezën e Baron-Kohen për një revolucion njohës që ndodhi me njeriun 70.000-100.000 vjet më parë.
Kjo ide thotë ajo, cilësohet e vjetruar në arkeologji prej të paktën 2 dekadash. Sipas Sajks, provat e shpikjes gjeneruese janë “absolutisht të pranishme” në arkeologjinë e Neandertalit. Për shembull, Neandertalët ndiznin vetë zjarrin, dhe e bënë jo rastësisht këtë.
“Ne e dimë që ata kishin aftësi piroteknike, e kuptuan se si të administronin zjarret në temperatura të ndryshme”- thotë ajo, duke shtuar se kjo dëshmon për proceset shkakësore dhe eksperimentale të të menduarit. Një gjetje tjetër sipas saj, është nxjerrja e i rrëshirës nga pemët po nga Neandertalët, që e përdorën si ngjitës për mjetet e tyre.
Ndoshta aftësia për shpikje nuk është specifike për njerëzit e parë modernë. Por nëse është kështu, atëherë pse majmunët nuk përdorin patinat si njerëzit? Baron-Kohen e shtron këtë pyetje në libër, me të cilën ai do të thotë: Pse jo-njerëzit nuk eksperimentojnë? Duke u zhytur në shkencën e sjelljes së kafshëve, ai pretendon se ato nuk shfaqin një tendencë të barabartë për të shpikur siç kanë evoluar për ta bërë njerëzit.
“Qeni juaj mund të mësojë të bëjë të gjitha llojet e hileve, por ai nuk përpiqet të gjenerojnë shumë sjellje të reja”- thotë ai. Ka shumë shembuj të kafshëve që shfaqin zgjuarsi, por Baron-Kohen nuk mendon se jo-njerëzit kanë aftësinë për llojin e shpikjes që ka sjellë përparimin njerëzor – llojin gjenerues. Përkundrazi, shembujt e asaj që duket të jetë risia e kafshëve mund të shpjegohen si një mësim asociativ, thotë ai. / “Wired” – Bota.al