A shkruhet me shkronjë të madhe “Toka”, apo me të vogël “toka”?


Në shkrimet e shumta, si në medie po ashtu edhe në libra të ndryshëm e hasim herë të shkruar “Toka” e herë “toka”. Por, si duhet të shkruhet saktësisht?

Shkruhen me shkronjë të madhe emërtimet e planetëve, të yjeve, të yjësive e të trupave të tjerë qiellorë. P.sh.:

Arusha e Madhe, Arusha e Vogël, Galaktika, Jupiteri, Kashta e Kumtrit, Dielli, Hëna, Marsi, Neptuni, Saturni, Toka, Urani, Ylli Polar etj.

Mirëpo, emrat: dielli, dheu, hëna, toka etj., shkruhen me shkronjë të vogël, kur nuk përdoren si terma të astronomisë. P.sh. perëndimi i diellit; temperatura në det e në tokë është e ndryshme; një natë pa hënë etj.

Eroll Sejdiu


Lexo edhe:

“ZOTI TË RUAJTË!” DHE “ZOTI TË RUAJTTË!”, KUR DUHET TË SHKRUHET ME NJË E KUR ME DY “T”…

Pse herë me një “t” e herë me dy “t”: “Zoti e nderoftë!”, “Zoti e ruajttë!”…?

Sa shumë më kanë pyetur se a shkruhet “Zoti e ruajttë!” apo “Zoti e ruajt(ë)!” dhe pastaj kur po u dashkan dy “t” e kur vetëm një “t”.

Po ndërtoj një përgjigje pa përdorur shumë terma gramatikorë.

Kur duam të përdorim një folje në mënyrën dëshirore (për vetën e tretë njëjës në kohën e tashme), së pari le ta mendojmë si bën ajo folje kur ia qesim përpara “duke”: duke punuar, duke nderuar, duke mësuar, duke ruajtur, duke ditur, duke mbrojtur.

Formën që po merr folja kur po ia shtojmë “duke”, gramatikanët e quajnë pjesore. Pra, pjesore të foljes qenkan këto: punuar, nderuar, mësuar, ruajtur, ditur dhe mbrojtur.

Pastaj, shohim para asaj “ur” a po kanë “t” apo jo…

Tekstin e plotë e gjeni KËTU