A u helmua Pablo Neruda? Si vdiq poeti i dashurisë?

pablo neruda:
Pablo Neruda

Zbardhja e të vërtetës për vdekjen e Pablo Nerudës po shkon ngadalë. Publikimi i raportit me konkluzionet e hetimit që duhet të sqarojë nëse poeti kilian, është helmuar vërtet, është pezulluar. Thuhet se puna ndaloi për shkak të mungesës së lidhjes me internetin.

Një nga ekspertët, Romilio Espejo, – i ngarkuar me dhënien e konkluzioneve nuk ishte në gjendje të lidhej sepse ndodhet në një zonë të Kilit jugor të prekur nga zjarret e mëdha pyjore që kanë komunikime të ndërprera.

Përfundimet e raportit të shumëpritur do të bëhen të ditura “javën e ardhshme”, tha Paola Plaza, gjyqtarja kiliane që mbikëqyr çështjet e të drejtave të njeriut.

Disa nga ekspertët ndërkombëtarë që morën pjesë në përpunimin e raportit dhe që nuk ndodhen në Kili gjithashtu kishin probleme me internetin. Kështu tha Rodolfo Reyes, nipi fituesit të çmimit Nobel për Letërsinë.

“Është e turpshme dhe më dhemb shumë. Por duhet të vazhdojmë të presim. Kishte shumë pritje. Të gjithë duan të dinë të vërtetën për vdekjen e Pablo Nerudës”, shtoi Reyes, në një komunikatë.

E vërteta për vdekjen e Nerudës akoma nuk është zbardhur edhe pse kanë kaluar 50 vjet nga vdekja dhe 12 nga fillimi i një hetimi gjyqësor. Dyshimet janë nëse ai vdiq nga ndërlikimet e kancerit të prostatës apo nga helmimi, siç pretendon shoferi i tij prej gati pesëdhjetë vjetësh, Manuel Araya.

Paneli i ekspertëve – i përbërë nga shkencëtarë nga Kanadaja, Danimarka dhe Shtetet e Bashkuara, u takuan virtualisht dhe personalisht duke filluar nga 24 janari. Ata duhet të sqarojnë origjinën e bakterit Clostridium botulinum gjetur në një dhëmballë të poetit në 2017.

Neruda vdiq 12 ditë pas grushtit të shtetit të 11 shtatorit 1973 që përmbysi mikun e tij, Presidentin Salvador Allende. Grushteti solli në pushtet një diktaturë ushtarake të krahut të djathtë.

Poeti vdiq disa orë para se të hipte në një avion që do ta çonte në mërgim në Meksikë.
Sipas familjarëve, ai u helmua. Dyshimet bien mbi policinë sekrete të Pinochet-it, Dina. Certifikata e vdekjes shënon si shkak të vdekjes kancerin metastatik dhe kaheksinë. Versioni zyrtar u mor si i mirëqenë për vite me radhë. Por, në vitin 2011, Partia Komuniste, senator dhe anëtar i së cilës ishte shkrimtari e vuri në pikëpyetje dhe bëri një ankesë.

Trupi i Nerudës, i cili pushonte në kopshtin e shtëpisë së tij në Isla Negra në bregdetin e Kilit, u zhvarros. Shtatë muaj më vonë, një grup ndërkombëtar i patologëve anatomikë dha një version. Ata vërtetuan se nuk kishte “agjentë kimikë përkatës” që mund të lidheshin me vdekjen e tij.

Por në atë kohë, Institutit të mjekësisë ligjore kiliane i mungonte teknologjia për të zbuluar një helmim që mund të kishte ndodhur 40 vjet më parë.

Dhe në vitin 2017, i njëjti panel i ekzaminuesve mjekësorë arriti në përfundimin se Neruda nuk kishte vdekur nga kanceri, siç thuhej në certifikatën e tij të vdekjes. Ata zbuluan një fragment të toksinës botulinum që mund të ndikojë në sistemin nervor dhe të çojë në vdekje.

Çelësi tani është të kuptojmë nëse kampioni i bakterit i gjetur është ndryshuar në laborator dhe më pas është inokuluar. Kjo do të përfshinte ndërhyrjen e një pale të tretë në vdekjen e Pablo Nerudës. Por për të marrë një përgjigje do të duhet të presim më shumë. /La Repubblica

ObserverKult

Lexo edhe:

“KUR TË VDES, I DUA DUART E TUA MBI SYTË E MI…” LEKA SEFLA LEXON POEZINË E PABLO NERUDËS

Kur të vdes, i dua duart e tua mbi sytë e mi
Dua dritën dhe ngrohtësinë e duarve të tua të dashura
Që ta përcjellin freskinë e tyre përmbi mua, edhe një herë
Dua të ndjej butësinë që më ndryshoi fatin

Videon mund ta shihni duke klikuar KETU

ObserverKult