Platoni lindi rreth vitit 427 p.e.s dhe vdiq në vitin 347 p.e.s. Ishte i biri i Aristonit dhe Periktionisës, kishte dy vëllezër, Glaykonin dhe Adeimanton. Emri i tij i vërtetë ishte Aristokles por më vonë e quajtën Platoni sepse kishte “gjoks dhe ballë të gjerë”.
Aristoteli na tregon se dikur gjatë rinisë, Platoni erdhi në kontakt me doktrinat e Kratilus, një nxënës i Heraklitit, i cili së bashku me mendimtarë të tjerë para-Sokratik si Pitagora dhe Parmenidi, i dhanë themelet metafizike dhe epistimologjike kërkimore. Por kur u takua me Sokratin filloi të thellonte më tej njohuritë drejt temës filozofike të virtytit.
E njohu Sokratin kur ishte 20 vjeç dhe qëndroi pranë tij deri në vdekjen e mësuesit të madh (399 para erës sonë).
Pas ekzekutimit të Sokratit kërkoi strehim për pak kohë në Megara, pranë shokut të klasës së tij, Euklidit. Më vonë u kthye në Athinë, ku për 10 vjet iu përkushtua shkrimit të veprave filozofike që mbajnë vulën e filozofisë Sokratike.
Platoni ka dhënë mësim në Akademi intensivisht dhe ka shkruar mbi shumë çështje filozofike, që kanë qënë veçanërisht të lidhura me politikën, etikën, metafizikën dhe epistimologjinë. Ndër shkrimet më të njohura të Platonit janë dialogjet e tij. Mendohet që të gjitha dialogjet autentike të Platonit kanë mbijetuar.
Ai la pas vetes shumë vepra ndër të cilat është “Kritoni”, e cila në gjuhën shqipe erdhi e përkthyer nga Lazër Radi. Një pjesë nga kjo vepër ObserverKult e ka shkëputur dhe e sjell në vazhdim:
“Por një çështje, më duket se ende nuk e kemi sqaruar siç duhet o Sokrat: atë që shpirti vazhdon të jetojë edhe pas vdekjes apo jo. Vlen të permendet mendimi i përgjithshëm, për të cilin foli pak më parë Çebeti: se shpirti shuhet me vdekjen e njeriut duke e mbyllur kështu ekzistencën e vet.
Në fakt, nëse shpirti ripërtërihet dhe përgatitet diku tjetër, para se të futet në një shpirt njerëzor; ç’ndodh më vonë, pasi ka hyrë dhe është shkëputur; a nuk vdes e shuhet edhe ai?” “Shumë mire the, o Simia,” – pohoi Çebeti – “është e qartë se është provuar vetëm giysma e asaj që duhej provuar, që shpirti ynë ka ekzistuar para se në të lindnim. Tani duhet të provojmë se ai do të vazhdoje ekzistojë edhe pas vdekjes sonë, në mënyrë që mendimin tonë ta konsiderojmë të plotë.
“Demonstrimi,” – ndërhyri Sokrati – pothuajse është bërë, o Simia dhe Çebet, mjafton të përputhen ato që arritëm në përfundim këtu, me ato që pranuam të gjithë së bashku, pra me atë që çdo gjë e gjallë ka lindur nga dicka që ka vdekur. E nëse do të jetë e vërtetë se shpirti ka ekzistuar para lindjes sē trupit, apo nëse për t’u ripërtërirë e për të jetuar ai duhet të linde nga vdekja dhe nga qeniet tona të vdekura më parë, atëherë a nuk do të jetë po aq e vërtete se ai do arrijë t’i mbijetojë vdekjes vetëm për faktin se ai duhet të rigjenerohet? Ja, pra, ajo që përmendem pak më parë, del vetvetiu e provuar mjaft mirë”.
Në teorine e njohjes ka një rëndësi të veçantë koncepti i pavdekësisë së shpirtit dhe të “anamnezit” , ose i reminishencës (kujtim i turbullt i diçkaje), i paraqitur në mënyrë të plotë te veprat e Platonit.
Mesazhi i fundit, më i larti i Sokratit (i cili pati ndikimi të madh te Platoni) në orën e vdekjes qe: testament ngushëllimtar dhe besim i pathyeshëm në dinjitetin themelor të krijesave njerëzore, të cilat nga që janë materie dhe i nënshtrohen vdekjes; jane të pavdekshme në thelbin hyinor të shpirtit, i cili, duke përdorur energjitë e tij më të mira, mund të arrijë lartësitë më të mëdha, deri tek drita e diellit dhe është e përsosur si Ide dhe si e Mirë.
E përgatiti: A. K.- ObserverKult
Lexo edhe: