Abaz Hoxha- krijuesi i Arkivit të filmit shqiptar

Nga libri-album i studiuesit të fotografisë Qerim Vrioni “Miq në 50 foto”, ku imazhet janë shoqëruar me përshkrimet e çasteve të fotografimit dhe jetëshkrimit të personazheve të përzgjedhura nga bota e artit dhe kulturës, kemi zgjedhur për ju, prezentimin që z. Vrioni ia ka bërë Abaz Hoxhës.

Ju ftojmë ta lexoni historinë e fotografisë:

Ishte regjisori i njohur Piro Milkani ai që më njohu me Abaz Hoxhën, historianin e shquar të kinematografisë shqiptare dhe botërore. Piroja kishte marrë pjesë, më 20 maj 2005, në përurimin e librit tim të parë “Fotografia një grusht diell” dhe pas disa ditësh takon Abazin e i thotë: “Bravo, ju vlonjatët, ti për kinemanë dhe Qerimi për fotografinë…”. Kështu Abazi u nxit të njiheshim bashkë, ashtu edhe ndodhi, prej atëherë jemi miq të mirë.

Nga Qerim Vrioni

Abazi ka lindur në fshatin Tragjas në vitin 1930. Fare i ri mori pjesë aktive në Luftën Nacional Çlirimtare. Pas mbarimit të së cilës studio në Tiranë për gjeometër dhe me vonë në Çekosllovaki për inxhinier elektronik. Me këtë diplomë nisi punë në kinostudion “Shqipëria e Re”, ku kontribuoi me përkushtim të madh në problemet teknike të institucionit dhe sidomos në ndërtimin e disa ateljeve për xhirime filmash. Punë mjaft e goditur dhe vizionare e Abazit mbetet ideja dhe këmbëngulja për ngritjen e “Arkivit Shtetëror të Filmit”, një institucion edhe sot me vlera historike, studimore dhe kulturore. Prurjet më të mëdha për botënn shqiptare,

Abaz Hoxha i ka në fushën e shkrimit të historisë së kinematografisë. Kështu, duhet shënuar edhe botimi i mbi 25 librave, për kinematografinë dhe zhvillimet historike dhe bashkëkohore të saj në vend edhe jashtë tij, Ai ka dhënë leksione për historinë e kinematografisë në Institutin e Lartë të Arteve dhe në Akademinë e Kinematografisë “Marubi”. Abazi është vlerësuar me titullin “Nderi i Qarkut” të Vlorës. Me Abazin takohem sa herë që na lindin çështje të pazgjidhura, kryesisht nga ana historike për fushat tona, ai kinematografinë, unë fotografinë.

Një ditë të largët shtatori, u ul në tryezën tonë te bar “Aleanca” edhe një i tretë, i cili krijoi humor dhe të qeshura në bisedë. Ndërkohë kisha nisur t’a fotografoja Abazin; nga disa shkrepje zgjodha këtë.

Ishte viti 2006.

ObserverKult


Lexo edhe:

QERIM VRIONI: KUR PIKTURON SKËNDER KAMBERI