Açka: Për Vasilin dhe njerëzit e bukur e të pabujë që ndeshim

Nga: Flutura Açka

Është mëngjes vjeshte dhe të gjelbrën janë duke e zënë ethet vjeshtës. Tek zbres shkallët e “Kullës së Arnueme” të Mrizit për në sallën e mëngjesit dhe jam duke vënë ca autografë të librit tim për stafin që endet rrotull me një rregullsi prej koshereje, ndesh me një çift të ri të huajsh që ndalin e hapat dhe më pyesin.

Fëmija në karrocëzën që shtyjnë, i cili – për shkak se i kishim dhomat ngjitur – ka qarë gjithë natën, tani buzëqesh si një diell i vogël. Janë izraelitë, që në këto ditë pandemie që po na bën të flasim me vete, kanë gjetur kohën më të përshtatshme të vizitojnë botën.
Më pyesin se çfarë mund të vizitojnë rrotull Fishtës, Zadrimës e Lezhës. Eh, ka aq shumë, sa do të duhen ditë! Djaloshi, babai, kur zëmë e flasim për shkrimtarët më rrëfen se ka qenë në luftën me Libanin miku i ngushtë me Urin, djalin e shkrimtarit të njohur izraelit David Grossman, i cili u vra ditën e fundit të luftës, ndërsa i ati shkruante kapitullin e fundit të romanit të tij, ku përshkruante një nënë që endej botës ngaqë druhej se lajmi i vrasjes së të birit do ta gjente në shtëpi.

Në bisedë e sipër, i pata folur për fshatin Krajen, për poçerinë e Vasilit dhe se për të shkruar atje mund të ecje nëpër rrugën e fshatit që qëndisej në të dy anët e saj nga pemë frutore nga më të çuditshmet që kisha parë nëpër udhëtime e mia nëpër Shqipëri. Emrat nuk ua dija atyre frutave, por vjeshta që i bën trungjet në ngjyra gati violet dhe frutat shpesh me ngjyrë blu.

Kush nuk i beson këto radhë, le të shkojë asaj rruge në vjeshtë të dytë, por natyrisht të marrë ca edhe nga dashuria ime për ato vise e t’i shohë me syrin tim. Atje kam qenë edhe me tim bir, tek ia bëja të dashur Shqipërinë.

Nuk kaloi as ndonja gjysmë ore dhe tek hyja në poçerinë e Vasilit – ku, a thua bëj ndonjë pabesi po të mos e vizitoj sa herë shkel atyre anëve – ndesha sërish me çiftin e ri.

Vasil Kukaj, poçeri, një mik i im i hershëm, doli krahëhapur si përherë dhe ne u ulëm të gjithë bashkë në oborr dhe ndërsa i vija autografin e librit tim të ri, Vasili u përlot. Babai izraelit që kujdesej për të birin, i cili tashmë e kishte marë mbarë zvarritjen në oborr, u trondit kur i shpjegova titullin dhe natyrën e librit dhe historinë e rrëfimit tim.

Por, pa mbaruar ende mirë frazën, ai vuri duart në kokë dhe nisi të qante dhe në lot na rrëfeu se edhe i biri – ai vogëlush që sillej zvarrë në këmbët tona – e kishte emrin “Biri”. Po Biri shqiptohej, edhe pse shkruhej Beri. Ne heshtëm për një hop të gjatë të gjithë në lot, derisa u shfaj Jana dhe mamaja e B(e)irit për të na shkundur.

E ëma pati të gjithë dashurinë e botës, që edhe në kushtet e koronavirusit është të luaja dhe të argëtohesha gjatë me B(e)irin, vogëlushi që një natë më parë e kishte trandur gjumin tim me të qarën e tij, ndoshta për të më kujtuar netët e mia të dikurshme. Mezi u ndamë, por duhej të ndaheshim. Unë bleva një dhuratë të vogël për vogëlushin që ta merrte me vete, dhe ata morën një kopje të librit tim si kujtim.

Dashuria e bën botën të afërt dhe vetveten edhe më të madhe se sa e përfytyrojmë ne. Mjafton të ndjekim shenjat e dashura dhe ta pranojmë se jeta përfshin edhe format më të panjohura që shpesh na befasojnë me mirakandjen e tyre tek shfaqen befas.

Sa herë shkoj te Mrizi, unë shkoj edhe në Krajen dhe blej diçka. Në këto kohë të vështira artistë të tillë kanë nevojë të mbështeten, dhe ku më mirë se te mirësia jonë dhe respekti për artin e tyre. Unë e bëj shpesh, lutem ta bëni edhe ju… ju duhen vetëm pak minuta nga Mrizi në Krajen dhe do të shënoni një rrugëtim me shenjë të pashlyeshme.