Ishte i heshtur mëngjesi i atij shkurti.
Tuat fjalë në shpirtin tim i lëshonte dhimbja.
Prajshëm i pranova
nën qetësinë e mbushur helm…
I bëra të miat e krenare u dhashë jetën,
pa menduar nëse gjysma do më dilte për vetën
në agun e nesërm,
kur ti, si Dionis antik
në siluetë femre do leje mallin,
në faqe të saj do braktisje puthjen
e me djallin do dehnit shpirtrat.
M’u bëre i largët pa mbyllur derën,
pa i thënë jetës se kishte mbaruar…
U bëre re… Vetëm re…
Një re e dendur në mbytje të shpirtit.
Në qerpik të lexova dëshirë largimi.
U pajtova dhe me të.
Ndoshta ashtu do frymëzonim Kongolin
për histori romani me fletëza të verdha.
Unë e ti,
si askush tjetër…
personazh me fjalë të lëna kujtim.