Adem Demaçi: Vizita e nënës dhe e abës me foshnjën përgjini…

Adem Demaçi (26 shkurt 1936 – 26 korrik 2018)

Me prejardhje nga fshati Lupq i Podujevës, Adem Demaçi u lind më 26 shkurt 1936 në Prishtinë. Ai u rrit në rrethana tejet të varfëra, tipike për shqiptarët e asaj kohe. Pas okupimit italian më 1941, për herë, në plan të gjerë, në Kosovë u hapën edhe shkollat shqipe.

Më 1942, me këmbënguljen e nënës së vet dhe me dëshirën e flaktë të vetë Ademit, babai arriti ta regjistronte atë në shkollë, ndonëse për nga trupi ai dukej më i vogël se sa e kishte moshën. Në shkollë u tregua fort i zellshëm dhe i suksesshëm.

Krahas krijimtarisë letrare, ai ishte shumë i gjallë në kontaktet e tij në mesin e inteligjencës së re dhe shumë i afërt me popullin e thjeshtë të Kosovës së robëruar. Ai nuk nguroi që në dasma, në të pame dhe ndeja të ndryshme, me guxim dhe haptas të dënonte padrejtësitë e shumta të cilat regjimi serb vazhdimisht, në mënyrën më të vrazhdë, ushtronte ndaj shqiptarëve.

Dënonte shpërnguljen masive nën dhunë të shqiptarëve për në Turqi. Dënonte diskriminimin e shqiptarëve në çdo hap.

Në pranverën e vitit 1958, në revistën letrare me emër dhe me tirazh shumë të madh, “Jeta e re” falë guximit dhe përkujdesjes së poetit Esad Mekuli, në dy numra rrjesht u botua romani i Adem Demaçi “Gjarprinjt e gjakut”. Romani ishte shkruar me shumë dialogje në gjuhën popullore dhe kjo bëri që ai të kuptohej shumë mirë jo vetëm nga inteligjenca, por edhe nga turmat e gjera të popullit.

Ndërkaq, regjimi policor serb nuk e pati të vështirë ta kuptonte sfidën e Demaçit. Pas afro njëzetë rrëfenjave dhe romanit të botuar, popullariteti i Demaçit u rrit fort jo vetëm në qarqet letrare shqiptare gjë që bëhej një pengesë jo e vogël për regjimin totalitarist.

Në nëntor të vitit 1958 Demaçi u arrestua në Prishtinë nga qeveria autoritare e Ish-Jugosllavisë, që udhëhiqej nga komunisti Josip Broz Tito. Pas disa muajsh në hetuesi, doli para Gjyqit të Qarkut nën akuzën se ka bërë delikt politik, i inkriminuar si “propagandë armiqësore”.

Mirëpo para gjyqit, Adem Demaçi, nuk mori rrugën e mbrojtjes, por kaloi në sulm frontal kundër regjimit duke numëruar të gjitha të zezat që kishte pësuar dhe po pësonte populli shqiptar nga pushtuesit serbë dhe doli me kërkesën që nëse duam të ruhet paqja, Kosova duhet urgjentisht të shkëputet nga pushtimi jugosllav dhe të bashkohet me Shqipërinë.

Qëndroi tri vjet në burg. Mirëpo, ai u burgos përsëri në vitet 1964-1974 dhe 1975-1990. Nga burgu u lirua vetëm pas shpërbërjes së Jugosllavisë në vitin 1990.

Në vitin 1991 u nderua nga Parlamenti Evropian me Çmimin “Saharov”. Gjatë periudhës 1998/1999, kur mbaheshin takimet në Rambouillet të Francës për të ardhmen e Kosovës, ai ishte zëdhënës politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Demaçi ishte kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës (2005-2007). Adem Demaçi me jetën dhe veprën e tij, është një personalitet i përmasave të historisë së përgjithshme njerëzore, ku bën pjesë edhe historia jonë kombëtare.

Në vitin 2010, ai u dekorua me Urdhrin “Hero i Kosovës”. Ndërsa, vitet e fundit të jetës së tij i kaloi në Prishtinë.

adem demaçi

Në vazhdim mund ta lexoni një pjesë të shkëputur nga libri i tij ‘Dashuria kuantike e filanit’:

… vizita e nënës dhe e abës me foshnjen përgjini…

Nga Adem Demaçi

Një paradite, erdhi Todoroviqi, hapi derën e më tha shkurt:
-Ke vizitë.
Pale –pale, thashë me vete. Në çdo letër i shkruaja nënës që të mos vinte në vizitë sepse ishte fort larg nga Prishtina deri në Sremska Mitrovicë. Mirëpo, zemra e nënës…
U ngrita, vesha bluzën e dola. Vizitat mbaheshin në ndërtesën e drejtorisë. Vizitat, për ata që ishin në izolim të rreptë, zgjasnin vetëm pesëmbëdhjetë minuta. Kishin ardhur nëna e Aba me Sebën e vockël përgjini. I qortova që kishin marrë gjithë atë rrugë, por nëna ma preu shkurt:
-Djalo, askush nuk po të vetë ty se çfarë bëjmë ne! Kur të mundemi vijmë e kur nuk mundemi nuk vijmë. Por, tregom ti mua si je e si po kalon, këtu?
-Nëno, ashtu si më ke mësuar e më ke edukuar ti që ta dua popullin tim e të mundohem për të mirën e tij, ashtu dhe po veproj e po sillem. Këtu i  kemi të gjitha të mirat, mirëpo burgu liri nuk bëhet…
Pesëmbëdhjetë minuta kaluan si një minutë. Aba ime, me bebën në ngryk, ishte bërë vetëm sy. Ajo pothuajse nuk hapi gojën fare. U ndamë me buzëqeshje.

(Shkëputur nga romani i Adem Demaçit “Dashuria kuantike e filanit”)

Përgatiti: A. S./ ObserverKult   


Adem Demaçi (26 shkurt 1936 – 26 korrik 2018)

Lexo edhe:

CIKËL ME POEZI TË ADEM DEMAÇIT: DËGJOJE ZEMRËN, AJO S’TË MASHTRON KURRË!

Ju ftojmë të lexoni një cikël të zgjedhur poetik të Adem Demaçit, shkëputur nga libri “Tung vargu im”

Tung vargu im

Para dyzet e sa vjetësh
kopshtari i palodhshëm i letrave tona
kithi sythin tënd o vargu im e më tha
tash kultivoje rreshtin tënd
e sa për vargun ende ka kohë

Nëse nëse
nëse do të vij lëng i vërtetë
ai do të shpërthej përsëri
dhe do të lulëzoj vetvetiu

Mos ki merak

Ashtu tha dhe ashtu u bë

Por tash vargu im
ti linde në kohë të pakohë
në territor pa kufij
dhe në hapësirë me përmbajtje

tulbuke

Pikërisht tash ti o vargu im

duke derdhur lotë për ata
për ata që vanë duke kënduar
duke derdhur djersë për këta për këta
për këta që po mundohen
duke u flijuar për ata për ata
për ata që do të vijnë
ti o vargu im me siguri me siguri
me siguri do t’ia dalësh që
me lot me djersë e me dije
duke e puthur e duke e ngjeshur

  tulbukën ta shndërrosh në kristal
  në kristal që s’e ha as lima
  Tung, vargu im!

Poezitë e tjera mund ti lexoni KËTU:

ObserverKult