Kujtimet e Adem Demaçit
Isha vetëm nëntë vjeç, por nuk më shlyhet nga kujtesa ajo ditë e llahtarshme. Ishte një paradite, nja dhjetë ditë pas Shën Mitrit. Oborri i shtëpisë sonë, në mëhallën e Çeklikut, bashkë me oborrin e Osman Çaushit, me të cilin nuk kishim gardh, ç’prej një muaji e sa vlonte nga njerëz nga fshati të ikur nga frika e depërtimit të divizioneve partizane serbe. Aty ishin gratë e dajëve, tezet e reja, djemtë e dajëve dhe gjithë nuset e tyre dhe plot fëmijë. Daja-Murtez, daja-Behë, daja-Elez e daja-Sejdi kishin qëndruar në fshat kinse për të ruajtur shtëpitë.
Në atë kallaballëk, megjithatë, nuk kishte rrëmujë. Gratë, të drejtuara nga nëna ime Nazife, kryenin rangët e shtëpisë dhe kohën tjetër, të shumtën, grumbulloheshin në mutfak, pranë votrës prore të ndezur, ndërsa burrat të shumtën e kohës e kalonin në dhomën e madhe dhe në gjezëmti, duke pirë tepër duhan dhe duke qëndruar rreth koftorrit, herë të ndezur e herë të fikur. Ne, fëmijët, herë shkonim te gratë, herë te burrat. Tërë ditën vetëm gatuhej, hahej bukë e lëng dhe bëheshin lloj-lloj llafesh e muhabetesh. Gratë në mutfak, të gjitha flisnin përnjëherë dhe habitesha pa masë se si ato arrinin të mirreshin vesh me njëra-tjetrën duke folur karshi-karshi. Te burrat, në dhomën e madhe, kur fliste njëri të tjerët dëgjonin. Osman Çaushi, sharrëxhi plak i qytetit, shpeshëherë vinte e tregonte gjerë e gjatë përjetimet e veta nga koha kur kishte qenë asqer e çaush i mbretit!…Unë, kur mërzitesha nga zhurma e llafeve të grave, shkoja te burrat dhe bëhesha ‘’kulaç’’ në prehrin e dajës-Lan, i cili nuk pinte duhan. Por, kur burrat fillonin dhe përsëritnin të njëjtat fjalë e llafe dhe kur tymi i duhanit bëhej i padurueshëm, shkoja në mutfak, te gratë e bëhesha ‘’kulaç’’ në prehrin e nënës, ose të motrës sime.
Te burrat kisha dëgjuar se kishte plot të atillë që kishin dalë maleve. Kisha dëgjuar se edhe daja-Ramë, bashkë me Nazif Revuçin, mikun e tij, paskëshin dalë në mal, në Bjeshkët e Popovës dhe se paskëshin zënë vend në shpellën e Shkrepave të Sokolit…
-Atje vetëm dhitë e egra nëse shkojnë, se këmba e njeriut nuk shkel dot!-pati thënë, një ditë prej ditësh, daja-Lan.
Por, atë ditë dimri, për të cilën po flas, papritur rrapëlloi dera e shkallmuar e Osman Çaushit, nga pjesa e oborrit të tij dhe daja-Raif, ashtu si ishte, më shumë zbathur se mbathur, me hapa të mëdhenj, ashtu si me turr dhe i mbushur frymë, hyri në dhomë…
Të gjithë gaprruam sytë kah ai. Më në fund, pasi rrotulloi sytë e mëdhenj e rrudhi buzët e trasha, tha:
-Partizanët janë duke bastisur Prishtinën, shtëpi për shtëpi!…
-Çka, bre!-thirri daja-Lan, ndërsa të gjithë të tjerët u shtangën…
Të gjithëve u mbetën fjalët në fyt. Të gjithë u zbehën përveç vëllait tim, Maliqit. Ishte ftohtë e pas këtyre fjalëve u bë edhe më ftohtë. Daja- Nezir pyeti:
-Po, apo merrnin kend?
Daja-Raif tha:
-Po, po merrnin dikë-dikë.
Pas këtyre fjalëve, ai përsëri u flug për të dalë jashtë, por kësaj here jo kah dera e shkallmuar e Osman Çaushit, por kah dyert e çelura hapakrah të oborrit tonë. U fluga pas tij dhe e thirra:
-Daja-Hush, ku po shkon?
-Po shkon daja të marrë vesh se nga sa po shkon pasuli në qytet!…-tha dhe rrapëlloi dyert para hundës sime.
Daja-Raif ishte trim e fucak i madh. Ai, sa dilte nëpër dyert e oborrit tonë që dilnin në rrugën e madhe të mëhallës, sa kthehej nëpër derën e shkallmuar të oborrit të Osman Çaushit e cila kishte daljen në një rrugicë të vogël që lidhte përroin Vellusha me rrugën tonë të madhe. Ai sillte lajme për atë se për çfarë po ndodhte në mëhallët e Prishtinës. Unë shkova te gratë dhe u ula në prehrin e motrës. I thashë në vesh:
-Aba, a ta fshehim gavetën sa s’kanë ardhur partizanët të bastisin?
-Kush të tha more se po bastiskan partizanët?- pyeti Aba me zë të lartë.
Gratë e tezet i ndalën llafet si të ishin prerë në fyt. Frika hyri edhe në mutfak…
-A ta fshehim gavetën, sa nuk kanë ardhur? – prapë i thashë Abës në vesh. Ajo m’i nguli sytë dhe pasi hezitoi paksa, më tha:
-Hajt se po e fshehim…
Aba dhe unë u ngritëm e dolëm në oborr.
Ajo gavetë ishte nga alumini dhe kishte formën e rrumbullakët. Ishte fringo e re dhe kush e di se si kishte mbetur në oborrin tonë. Me buzët e gavetës dhe me duart tona hapëm rrëzë mollës së madhe një gropëz të vogël dhe e futëm gavetën në dhe. Dhe, shkelëm e rrafshuam dheun me këmbë, kinse të humbnim gjurmët. Të gjithë sa ishin në oborr na shikonin dhe qeshnin me ndërrmarrjen tonë fëmijërore.
Porsa ne u larguam nga vendi i ‘’krimit’’, papritmas, me shungullimë të madhe u hap dera e shkallmuar e Osman Çaushit dhe sakaq oborri i madh u mbush me partizanë të armatosur. Buzë pragut të derës së Osman Çaushit, njëri nga partizanët u shtri në rrugë dhe kurdisi mitralozin me grykë të kthyer kah ne. U dëgjua një zë i thekshëm:
-Stroj! Bërzo!…
Gratë e fëmijët shpejt e shpejt u futëm në mutfak dhe kinse u rreshtuam disi. Burrat u rreshtuan në oborr. Nëna më qiti para vetës e më mbështolli me kanacin e vet të të kuq e me vija të zeza. Më mbeti vetëm koka jashtë sa të shikoja nëpër dritaren e vogël se ç’po ndodhte në oborr…
Komandanti i tyre, me titovkë e me yll të kuq në ballë, nxori revolen me çark nga brezi dhe pyeti serbisht:
-Cili është zoti i shtëpisë?
Vëllai im, Maliqi foli pa ndrojtje:
-Unë jam.
-Eja, këtu!-tha partizani me revole në dorë.
Vëllai im iu afrua.
-Qëndro gatitu! – klithi partizani duke vringëlluar revolen.
Mirëpo, vëllai im nuk mori qëndrim gatitu.
-Qëndro gatitu, po të them! – klithi partizani përsëri dhe vringëlloi revolen. Vëllai im përsëri nuk përfilli komandën. Partizani hëngri buzën me dhëmbë dhe pyeti me të njëjtin zë:
-Ku i keni fshehur armët?
-Nuk kemi armë.- i tha vëllai me mospërfillje.
-Keni, keni!- tundi kokën partizani dhe duke vringëlluar revolen shkoi te vendi ku e kishim gropuar, pak më parë, unë e motra ime gavetën dhe i mëshoi vendit me këmbë.
-Çfarë ka këtu?
-Asgjë.- tha vëllai im me mospërfillje.
-Merre atë kazmën atje dhe eja e rrëmo këtu!
Vëllai im shkoi te plehu, mori kazmën dhe i ra vendit ku tha partizani. U dëgjua kërkëllima e gavetës së goditur. Mua dhe nënën na kapën dridhmat. Vëllai u skuq paksa. Goditi dhe një herë me kazmë dhe kapi gavetën e bardhë të aluminit. Partizani kapi me rrëmbim gavetën nga dora e vëllait e dheun nga gaveta ia hodhi vëllait tim këmbëve e tha:
-Ç’ është kjo? Kur keni fshehur gavetat, ju keni fshehur edhe armët. Rrëmo tutje!
Vëllai nisi të rrëmonte sa andej, sa këndej. Nuk dilte asgjë, por ai kokëulur vazhdonte të rrëmonte sa djathtas, sa majtas.
Në një moment, partizani kapi revolen për gryke, iu afrua vëllait dhe me myllin e saj e goditi në kokë. Nëna lëshoi një zë të mbytur dhe më shtrëngoi fort. Vëllait iu shprishën flokët e krehura dhe i ranë fytyrës, por ai nuk ndali veprimin e vet.
Goditjet mbi kokën e vëllait nuk pushonin, por ai vazhdonte rrëmimin pa thënë asnjë fjalë. Gjysma e oborrit u bë lavër.
Partizani shikoi orën.
-Mjaft! –tha dhe, duke future revolen në brez, shtoi:- Ti, -iu drejtua vëllait-do të vish me ne në komandë! Kupton!
-Po. – tha vëllai. Lëshoi kazmën dhe u vu para partizanëve…
Nëna ofshau thellë dhe për një çast më harroi mua. Unë çmbështolla kanacin dhe u fluga pas vëllait. E zura disa hapa larg dyerve. Partizanët i shkonin prapa. Iu afrova vëllait e i thashë:
-Abej, ku po të çojnë këta?
Ai u kthye, më buzëqeshi, m’i ledhatoi flokët dhe më tha:
-Largohu, abejit, se shpejt do të kthehem!-dhe vazhdoi rrugën para partizanëve të armatosur.
Në këto fjalë e sipër, motra ime që më kishte ndjekur nga pas, më kapi hopa si të isha ndonjë zog pule dhe më tha në vesh ‘’Hajde, ti, me Abën tënde’’…
Për habinë time, partizanët nuk thanë asnjë fjalë dhe nuk bënë asnjë veprim gjatë ndërhyrjes sime.
U kthyem brenda. Oborri u bë ferr. Përveç kalamajëve e bebeve që nuk dinin se ç’po ndodhte, askush nuk bënte piu me gojë. Para shtëpisë së vet, që ishte në të njëjtin oborr, doli Osman Çaushi e pyeti me zë të lartë:
A e morën Maliqin, a?
Asnjëri nuk iu përgjigj. Osman Çaushi hyri brenda duke tundur kokën i merakosur dhe qetësia a padurueshme, përsëri, pllakosi oborrin tonë. Pastaj, burrat e djelmoshat u futën në dhomën e madhe e në gjezëmti, ndërsa gratë, nuset me djepa, tezet e reja dhe ne fëmijët u futëm në mutfak. Nëna u ul te guri i votrës, kurse të tjerat si mundën e ku mundën. Aba ime u fut në këndin kah votra, kurse mua më vuri në prehër. Unë bëhesha se po flija, ndërsa në të vërtetë, me bisht të syrit shikoja, një nga një, nënën dhe të gjitha ato plaka, gra, nuse e vajza. Përgjoja se mos thoshte ndonjëra ndonjë fjalë, po përveç ding-dangeve të djepave nuk dëgjohej gjë tjetër. Të gjitha kishin ulur kokat dhe ishin mbështetur të njëra-tjetra dhe u ngjanin pulave të prekura nga dergja. Nënën time e shikoja më shpesh. Ajo kishte mbështetur bërrylat mbi gjunjtë e mbuluar me dimi e kanac dhe kishte future fytyrën e vet të zbehtë midis dy pëllëmbëve. Shikoja tinëzisht dhe pyesja veten time: “Vallë, a ishte ajo nëna ime? A ishte ajo nëna ime e netëve të dimrit, me furkë e me shtëllungën e leshit përbrezi, me boshtin që tirrte pa pushim ose me vekun që thurte pëlhura e kanaca dhe që gjithmonë mbante kokën lart.’’
Prisja që dikush prej grave a burrave të më qortonte për gavetën e fshehur, por as kjo nuk ndodhte. Prisja që kjo heshtje e padurueshme të zhdukej, por kot. Skena me Abejin e me partizanin me revole më sillej para sysh si në makth. Ngrohtësia e dorës së Abejit me të cilën më përkëdheli flokët ende më përcillte. O, sa kisha dashur që në vend të përkëdheljes ai të ma kishte pallangjeshur një shpullë të nxehtë!…
Më duket se ajo gjendje zgjati sa krejt jeta ime. Por, në një çast, nëna ime brofi në këmbë duke thirrur:
-Hajde, ndihmo, i madhi Zot!
Gjithë sa ishin, me gra, me nuse e me teze brofën në këmbë. Vetëm Aba ime me mua në prehër dhe djepat mbetëm në tokë. Shikova nënën time. Ajo më nuk ishte ajo gruaja e butë si ndonjë pulë e kotur. Ajo, sakaq, u shëndërrua në atë pulën-nënë, e cila, duke parë rrezikun për zogjtë e vet, kërleshet e bëhet trimëreshë. Në ato çaste njoha prapë nënën time. Ajo vazhdoi me zë të sigurtë:
-Oj, gra! O, motra! Të gjithë jemi në dorë të Zotit! Edhe Maliqi është në dorë të Zotit! Edhe Maliqi është në dorë të Zotit. E di se biri i nënës nuk do të koritet me ata dushmanë. Do të bëhet ashtu si do të jetë dëshira e Zotit. Burrat i kanë punët e veta, por edhe ne gratë duhet t’i kryejmë punët tona. Prandaj, si përditë, çdonjëra prej jush e di detyrën e vet. Kapni fshisat, kapni kaciat. Ti Tahire, të lutem, shko te cungu e shkurto dru për zjarr! Ti Nefise dheze zjarrin! Ti Isme, bashkë me Ajshen, lani e grini purrit! Si për gëzim, si për hidhërim duhet të jemi të gatshme. Sot do të gatuajmë purranikë. Maliqi i do fortë purranikët…
Ajo përvoli mëngët e xhaketës dhe hapi magjen. Mërzia e pamasë, që deri pak më parë na ngulfaste të gjithëve, plasi si fluskë uji. Të gjithave sa ishin në mutfak u qeshi fytyra. Nusja e dajës-Behë, Nefisja, foli e para:
-Oj Nazë, të lumtë ajo zemër, se na çlirove!
Nga ngazëllimi se nëna ime, me qëndrimin e vet, na shpëtoi nga ajo gjendje mbytëse, më lindi një dëshirë e flaktë që të fluturoja. Më erdhi një forcë e pashpjegueshme dhe kërceva nga prehri i Abës si ndonjë karkalec e mora drejt nënës duke e imituar atë me thirrjen:
-Hajde, ndimo i madhi Zot!…
Të gjitha gratë, nuset e tezet shpërthyen në një gaz të shfrenuar. Nëna ime u kthye vrik ka unë dhe më kapi hopa.
Ajo pëshpëriti me zë të ulët:
-Evladi i nënës…
Sa çel e mbyll sytë, daja-Lan u gjet ted era e mutfakut. Ai buzagaz pyeti:
-Oj, gra! A bën ta di se çka jeni hallakatë dhe çka ishte ai gaz aq i madh?
Nëna, paksa e skuqur në fytyrë, iu përgjigj:
Paj, o vëlla, çka s’po çmiston ky djalë…- dhe më lëshoi në tokë. Unë vrik kërceva e u hodha në përqafimin e dajës Lan. Ai më mori hopa dhe shkuam në dhomën e madhe te burrat. Atje u tregova fije për pe se çfarë kishte ndodhur në mutfak dhe çfarë kisha bërë unë. Edhe burrat qeshën me të madhe. Disa herë më bënë që të përsërisja atë ‘’hajde, ndihmo, i madhi Zot!’’. Pasi që u bë boll, dala-Lan tha:
-Nga të gjitha bijat e Lahajve, Naza është e dalluar për vim e për trimëri. Tregon nëna ime Hamide, vetëm nëntë vjet i kishte pasur kur familja Lahaj kishte qenë bashkë. Meqë nëna e saj kishte pas vdekur atë vit, kjo kishte pas qitur rendin e gatimit për njëzet e pesë robë. Nëna tregon se ishte aq e vogël saqë për të arritur magjen detyrohej të rrotullonte kutllën e të hipte mbi të për të gatuar…
-Paj, shih çfarë djemsh ka rritë!-tha daja Behxhet me zë të lartë, e vazhdoi, -A e patë se çfarë bëri Maliqi? Nuk ia mori në dorë atij çetnikut me yll në ballë. Nuk ia pranoi komandën e shkaut. Ne na dridheshin pulpat e këmbëve, kurse ai para ‘’parabellit’’ pesë pare nuk i jepte…
-Vërtet, Naza i ka dhënë gji,-ndërhyri daja Nezir, -por ai i ka edhe rrënjët e gjyshit të vet, Maliqit. Mesele tregojnë për gjyshin e tij…
-Rahushi hyri në mutfak, te gratë, – tha daja – Lan, që ishte me fytyrë kah dritaret e dhomës. Unë shpejt u shkëputa nga prehri i dajës-Lan dhe u fluga te gratë, në mutfak. Gratë pushuan fjalët, daja Rahush iu afrua nënës Nazife, e shikoi me ata sy të zinj e të mëdhenj filxhan dhe me atë zërin e tij të trashë i tha:
-Motra Nazë, Maliqi, vetë i dyti, po vjen…
-Oh, të lumtë ajo gojë, o vëlla!
Të gjitha gratë, nuset e tezet uruan njëzëri.
-Po, ai i dyti kush ish, o vëllai i motrës?
Dajës Rahush iu përvodhën buzët e trasha paksa në gaz e tha:
-E shihni vetë, – dhe shkoi te burrat, në dhomën e madhe.
Në mutfak, të gjitha gratë, nuset e tezet i kallën llafet, të gjitha përnjëherë. Dola në oborr dhe u nisa kah dyert. N’ata shungulluan dyert dhe një dash i bardhë vrap hyri brenda e pas tij Abeji. Sakaq, oborri u mbush me burra, gra e fëmijë.
Burrat e gratë u mblodhën rreth Abejit, ndërsa fëmijët u dhamë pas dashit të bardhë…
*Pjesë e shkëputur nga romani ‘Dashuria kuantike e filanit’ e Adem Demaçit, Buzuku, 2007
ObserverKult
———————
Kliko edhe:
RRËFIMI I ADEM DEMAÇIT PËR STUDIMET NË BEOGRAD, SHOQËRIMIN ME DANILLO KISHIN DHE RROGËN E PARË