Adem Gashi: Kur të vish ti

adem gashi antologji atdhedashuri

kur të vish ti, kur të kthehesh
gjithçka do të jetë e bukur shumë
kaptuar malesh luginash detesh
do të ulesh në shkëmbin ku buron një lumë

mund të jetë bie fjala Drini i Bardhë
Drini me valë e shkumë

gjithçka, gjithçka do të jetë e bukur
përthyerja e rrezeve në lule të çelura
e në gonxhe
era e barit të njomë të kositur
erë tërfili e jonxhe
e fresk nën hije
e zëra zogjsh e lojëra fëmije

as shira të mërzitshëm as ftohtë as furtunë
midis bukurisë, midis asaj bukurie
do të mungoj veç unë

kur të vish ti tërë hare e gaz
në çastin e fundit, në një çast
në cepbuzë si një dridhmë mallëngjimi
s’ka sesi të të mos shfaqet
diçka prej meje në trajtë kujtimi.

ObserverKult


Lexo edhe:

MKRS SHPALL FITUESIT- ADEM GASHIT I JEPET ÇMIMI PËR VEPËR JETËSORE

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Republikës së Kosovës ka organizuar sot ceremoninë për laureatët e çmimeve vjetore në fushën e letërsisë.

Me këtë rast, ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, i ka dhënë Adem Gashit Çmimin Kombëtar Letrar për Vepër Jetësore “Azem Shkreli”, ndërsa Çmimin për Veprën më të Mirë në Prozë “Anton Pashku” Mehmet Krajës për romanin “Liria ime”.

Çmimi për Veprën më të Mirë në Poezi “Ali Podrimja” i është dhënë poetit Xhevdet Bajrajt për librin “Burri që lozte me engjëjt”.

Për Veprën më të Mirë në Kritikë Letrare dhe Eseistikë “Ibrahim Rugova” çmimin e mori Blerina Rogova-Gaxhës për studimin “Vdekja në letërsinë moderne shqipe”/

Çmimi për Veprën më të Mirë të Përkthyer në Gjuhën Shqipe “Pjetër Bogdani” përkthyesit Col Mehmetaj për përkthimin e veprës “Meditime” të Mark Aurelit.

Çmimi për Veprën më të Mirë për Fëmijë dhe të Rinj “Vehbi Kikaj” shkrimtarit Shaip Grabovci për dramën për fëmijë “Zëra nga vitrina”.