Plaç moj plaç, më vjen të thërres
Se ma more qetësinë e natës,
Se më le palmuç si thes
Nën mëshirën e lëngatës
Se më le mbi dhe, pa kallur
Një meit pa shpirt, pa frymë,
Po jam ligur, ndaj të kam falur
Zvjerdhur për nënë brymë
Më vrave, më preve, më vdiqe
Mike moj, prej Lunxhërie
Mbete se mbete aguliçe
Ditëve të mia prej burrërie
Thoshja se “qes pushkë për ty”
E i bëj shtatë gjaqe,
Ku të të gjëja, moj, me sy
Mërguar tutje nëntë konaqe
Dhe prapë mbledh mendjen
Si Shën Jeronimi tek bënte “Vulgatë”,
Gjithë mallkimet e nëmët
Ty, moj, t’u bëfshin uratë!
Toske moj, që më ke me hatërë!