Adil Olluri: Kozmosi i një të ndryshmi

adil ollurit olluri

Ma mohuan të drejtën për të qenë i tillë. Më thanë: Ti nuk je më i marrë. Ti nuk je ndryshe prej nesh. Ti je si ne. Ti nuk meriton t’i marrësh këto para. Ti nuk e gëzon më këtë privilegj. Sot bëhen gjashtë muaj që e mbaj kot kartelën ban­kare. Nuk më bën punë.

Sikurse në çdo fundmuaj, edhe sot erdha në bankë. M’i thanë të njëjtat fjalë. Pasuan të njëjtat sharje prej meje, të gjashtat me radhë.

– Nuk dua të jem si ju! – u thashë. Kot përpiqeni! Nuk  më bëni si veten! Unë jam i magjishmi, ju jeni sharlatanët. Nuk matemi dot! Unë kam mendimin, unë kam fjalën, ju keni vetëm numrat. Me numra mund t’i masni vetëm fjalët. Me numra mund ta llogaritni moshën, peshën dhe gjatësinë time. Me numra mund të m’i numëroni mendimet dhe ndjenjat e  mia të cilat ju nuk mund t’i keni. Nuk matemi dot! Jo dhe jo!

Deshët të më nxirrnit jashtë?! Më thatë që jam i rrezikshëm, ë?

Për t’i rritur numrat tuaj, për t’i shumëzuar zerot tuaja, ju bëtë shamatën anekënd botës. Shkatërruat qytetet, malet e fushat. Ju e gjunjëzuat natyrën. Vratë e dhunuat sa e sa njerëz që për ju ishin vetëm numra. Ç’bëra unë që të më quani të rrezikshëm?! Hiçgjë! Kush më frikëson mua? Askush. Të gjithë më tallin. Disa edhe më rrahin. Vetëm e vetëm se duan ta tregojnë forcën e tyre mbi trupin e dikujt që nuk mund t’i mposhtë. Po të isha i fuqishëm si ju nuk do të guxonit as të ma kthenit fjalën. Do të më shikonit me drojë. Natyrisht se pas shpinës do të më shanit, por ballas do të më buzëqeshnit. Do ta luftonin njëri-tjetrin për të më pasur mik. Miqësia me mua, të rrezikshmin e njëmendtë, do t’u ofronte atyre begati. Do të ndiheshin të sigurt pranë meje.

Më thanë se i tillë është sistemi. Nuk i jep askujt para kot së koti. Duhet të ofrosh dëshmi qartësisht të sakta se je i marrë. Duhet të jesh më bindës në marrëzinë tënde. E masnin lirinë time për të qenë i marrë me saktësinë e numrave të tyre. Merre­ni me mend, kërkonin prova të mëtutjeshme çmendu­rie. Ua shkërdheftë kapitalizmi nënën secilit e secilës me rend! I shava edhe më brutalisht, i shava edhe më vrazhdësisht, por nuk do të lëshohem në hollësi. Nuk i duhen njeriut cikërrimat e një të share frenetike, që zgjati derisa erdhën dy burra që mbanin rendin. E mbanin rendin që më së paku atyre do t’u leverdiste. M’u dhimbsën në shpirt që iu desh të kishin punë me mua. Çfarë provash doni prej meje, o masha shejtanësh të pangopur?! Është zgjedhja ime për të qenë i marrë. Dua të kem këtë liri. Lirinë për të qenë i marrë! Ju nuk keni liri, ju keni rend! Ju merrni urdhra, unë jam vetë urdhri. Nuk më drejton kush. Ju nuk flisni me qejf as me njëri-tjetrin, ndërsa unë flas me engjëj. Unë flas edhe me Zotin. Ju gëzoheni kur ju përshëndet rastësisht eprori juaj. Nuk dua të jem si ju. Dua të jem i lirë për të qenë i marrë. Kështu iu thashë shërbyesve të një djalli të tmerrshëm që dikur e kisha mik. Ai është një iblis që nuk më lë rehat në asnjë çast. Më është kthyer në dushman faqeziu dhe më vjen e më zhurmëron në vesh seci­lën mbrëmje e secilin mëngjes. E kisha mik atë iblis e atë katil. Shëtisnim bashkë qyteteve të mëdha e bjeshkëve të rralla. Tash dëshiron të më vrasë. Më vjen pranë me një thikë të mprehtë dhe dëshiron të më vrasë. E pret rastin për të më therur, për të më shqyer. E pret një pakujdesi timen, sado të vogël, për të kryer punë dhe për ta rrjepur lëkurën time. Dëshiron t’ua hedhë qenve të tij të uritur. Kështu më ka thënë. Por, unë ruhem. Tërë natën nuk fle, sepse frikësohem se do të më zë në gjumë. Nuk guxoj të fle sepse atëherë do t’ia lehtësoja punën katilit. Sa herë më afrohej e gjuaja me gurë, me drunj e me çka më qëllonte afër.

Më thanë që nuk duhej të vija pa përkujdesje. Më thanë që nuk duhet të vija pa ndonjë familjar timin me vete. Unë jetoj i vetëm, ore edepsëzë të pahair. E shihni se ç’llafosje të pështirë bëni me një njeri të qetë, me një njeri që nuk ju bezdis kurrën e kurrës me pyetje që nuk do t’i pëlqenit. Unë nuk insistoj të di a keni a nuk keni familje, keni apo nuk keni fëmijë, jeni apo nuk jeni të dashuruar me dikë. Unë nuk jam si ju. Nuk hyj në shtëpitë tuaja për të ditur me kë e bëni gjumin. Juve ju intereson çdo gjë. Unë jam i çliruar nga kënaqësitë tokësore. Unë marr frymë lirshëm. Unë nuk e ndaj hapësirën time me askënd. Jo, jo! As që më shkon mendja. Do të më cenohej liria dhe kjo për mua do të ishte e papërballueshme. Mua nuk më duhet dikush për të qenë i lumtur. Mua më mjafton vetja, ore të gjorë! Nëse do ta kisha dikë në jetën time, binduni se do të më pengonte në luftën time të përditshme kundër dush­manit që më është ngjitur pas. Ai do të donte që unë ta kisha dikë afër që ta shpërndaja vëmendjen dhe të më kapte në huti e sipër. Mos më pyesni e mos më flisni kurrë më për familje e gjëra të tilla. Unë jam i vetëmjaftueshëm! Vetëm unë dhe Zoti e kemi këtë të drejtë. Ju të tjerët jo. Nuk keni guxim ta shpër­fillni bashkësinë. Jeni frikacakë! Nuk mund ta paramendoni asnjë ditë të vetme pa dikë. Ju nuk jeni të pavarur. Kot e gënjeni veten. Edhe eprorë të mëdhenj po të bëheshit, prapë­seprapë e keni dikë që ju kontrollon. Prapë e keni një epror edhe më të madh se ju. Ndërsa unë, jo. Unë e kontrolloj kozmosin tim.

Nuk e di pse qeshnin sa herë që flisja. Unë ua thosha të vërtetat më të sinqerta, ndërsa ata nuk kuptonin gjë prej gjëje. Ata vetëm gajaseshin. Mendonin se po më tallnin. Sa më vinte keq për ta që kishin rënë aq thellë në pusinë e dushmanit tim. Ishin të pashpresë. Keqardhja ishte më e pakta që mund të bëja për ta. Por, nuk dija si t’u ndihmoja. Thjesht, ishin të prangosur nga magjia e keqe prej shejtani, i cili nuk i linte të dilnin dot nga kthetrat e tij. I kishte bindur lehtë, dinsëzi. Ai nuk linte gjë pa bërë që t’i kthente të gjithë njerëzit kundër meje. Më hakmerrej e më godiste me të gjitha mënyrat e tij djallëzore. Punë iblisi, s’ke ç’i thua ndryshe.

Miku im i dikurshëm, sa herë mendoja se do t’i ndalte sul­met, ai më befasonte që ç’ke me të. Më shfaqej me mënyra e me pamje të reja, që nuk i imagjinoja dot. Donte të më vriste dhe të m’i merrte zinxhirin e dorës së majtë dhe orën e dorës së djathtë, por nuk ia jepja dhe nuk ia jap dot. Që të jem edhe më i sinqertë, ndonjëherë vinte edhe qetësisht. Madje edhe më lutej që t’ia jepja zinxhirin dhe orën. M’i jep dhe unë do të të lë të qetë, më thoshte. Përgjërohej dhe më fliste butësisht. Më premtonte gjëra që nuk mund të premtohen çdo ditë. E dëgjo­ja me vëmendje, por nuk bija pre e mashtrimeve të tij. E dija se ishte shndërruar në iblis dhe përdorte çdo marifet për të më shtënë në dorë. Kot e kishte, se nuk bindesha dot. Isha dhe jam digë e pathyeshme për të. Kur e shihte se nuk më mash­tronte në asnjë mënyrë e me asnjërin premtim, të nesërmen vinte si i çartur dhe shfrynte një mori mallkimesh mbi mua. Nuk më kujtohen të gjithat se, po t’i mbaja mend, do t’i thosha. Ai pandërprerë shfrynte mllef dhe derdhte helm gjarpri mbi mua. Unë rezistoja dhe do të rezistoj si përherë. Megjithatë, u befasova goxha shumë me këtë sulmin e fundit që ma ka bërë. Nuk do ta besoja se do t’i shkonte mendja të ma ndalte asistencën pensionale. Është goditje e ulët. Nuk është e nivelit të një iblisi. Më duhej ajo pagesë, pusi e marrtë! As vetë nuk e di saktë pse më duhet, por një zë nga brenda më thotë se më duhet. Ah, tash m’u kujtua. Më duhet t’i blej ato ilaçe që ma mundësojnë të mos takohem më me mikun e dikurshëm. Kështu më pat bindur ai mantelbardhi që më këshillonte se pirja e hapave ishte e vetmja mënyrë që ta shmangia atë iblis. Dorën në zemër, sa herë që i pija nuk e shihja për një kohë atë të përdreqtë. Nuk zgjaste shumë dhe ai shfaqej sërish. Nuk e shmangia dot atë shpirt djallëzor. Mjeku provonte të ma mbushte mendjen se nuk e shihja dot ish-mikun tim. Thoshte se ai kishte vdekur qëmoti. Gjoja se e tëra ishte pjellë e imagjinatës sime. Gënjente qerratai. Ishte edhe ai në shërbim të iblisit. Nuk kishte vdekur, jo. Në asnjë mënyrë. Ai vetëm kishte shkuar për të jetuar në botën e djajve. Meqë isha i përkëdheluri i Zotit, ai kishte marrë mision të më mposhtte. Çfarë çudie! Kur ishte mes engjëjsh, bënim garë se kush ishte më i drejtë, ndërsa tashmë i provon të gjitha hilet për të më ndyrë e për të më bërë si ai. Megji­thatë, u befasova me këtë goditjen e fundit. Si i ka shkuar mendja tek ajo pak pagesë e vogël mujore?! Nuk di si ta shpjegoj këtë rënie niveli nga ana e tij. Kam pritur më shumë.

Rojtarët e bankës forcërisht më nxorën jashtë. M’i shtrën­guan duart dhe më degdisën matanë portës. Nuk u mjaftuan me kaq. Më hodhën dhjetë metra larg. Nuk desha të shtyhem e as të grindem me ta. Pata vullnetin e mirë dhe ua lehtësova punën. U fola qetësisht, u fola në vesh: “Ruajeni fuqinë e krahut se ju duhet për nesër. Mos e harxhoni të tërën për mua. Ende pa u bërë mesdita e së nesërmes, kështu do t’ju hedhin edhe ju”. Ata m’i përbuzën fjalët. Nuk më dëgjuan. Do ta pësojnë si mos më keq. Jam i sigurt. Do t’i hedhin për dyer e dritare. Jo vetëm njërin, por të dytë. Do të vijë mesdita e së nesërmes dhe do ta shohim këtë punë. Ata do të ankohen për numrat e munguar dhe pa një pa dy, do të dalin rojtarë të tjerë që do të kujdesen për ta ruajtur rendin. Do t’i fluturojnë jashtë si lecka të pavlera miqtë e tyre të mëparshëm. Kështu janë të gjithë shërbyesit e mikut tim të dikurshëm. Nuk falin dot! Nuk i përfillin ankesat. Nuk e duan asnjë ankestar mes tyre.

U ktheva këmba-këmbës në strofullin tim. U ktheva duar­thatë. Nuk di ç’të bëj? Ndoshta duhet t’ia jap orën ose zin­xhirin iblisit për të ma kthyer asistencën. Njërën, ndoshta, ia jap. Të dyja, kurrën e kurrës!

ObserverKult