Adriatike Xh. Lami interpreton poezinë e saj “Qyteti im ka të dashur që luan muzikë vetëm për të”

Nuk dua të dal jo, sonte, kur qyteti im është bosh,
E sodis prej dritares së lartë, duket thjeshtë si hartë,
Kur ti mund të luash me klarinetë, ritme gazmore,
E zogjtë të zgjohen prej melodisë edhe natën.

Nuk paska kuptim të dal në një qytet bosh,
Ku mungojnë njerëzit, në kthime të nxituara pragjeve,
Ku burra e gra janë fshehur, s’ndezin më zjarre,
Ku zgjimet janë të heshtura si dhera të hedhun.
Ku ti mund të bësh rrëmujë dhe askënd nuk shqetëson,
Nuk më duhet qetësia e pabesë e këtij qyteti,
Kur ti nuk mund të përplasesh më me askënd!
Dhe kafshët janë bërë të padukshme lrejt të buta.

Fëmijët janë në gjumë dhe shohin në ëndërr ditën tjetër.
Lutje të vogla hedhin në vizatime në një letër.

Po muzikë ka ky qytet edhe kështu, dëgjohet kudo.
Cfarë dashurie!?
Hajde gjeja të dashurin që për të këndon!

Nuk kërkoj më falje prej kujt, erdhi dita, keni leje të gaboni;
Ja, Dkush edhe del ndër udhë, si jashtëtokësorë,
Ne nga dritaret ia bëjmë me dorë;
Por mos dil, o njeri. Ç’të duhet një qytet bosh!?
Tashmë zemra rreh vetëm brenda një shtëpie.
Kjo është muzikë lirie, e përkohshme, e bekuar.
Dashuria brenda muresh, shumohet prej mungesës
Ndonjëherë edhe vdes, kur rri larg shpresës.
Ji e lumtur qënia ime, derisa dielli të lindë sërish.

Dicka krejt tjetër vërej, e fortë si guackë arre
Është pranverë edhe në këtë qytet…
Nuk dal jo vetëm, rrugëve të këtij qyteti,
Se dashuria don dy zemra, katër hapa,
Mbi 8 fjalë, Mijëra grimca ajri,
Dhe pafund mbresë,
Dhe një ujëvarë kurajoje…

Mos u trishto banor i qytetit tim;
Dasmat kanë mbetur pezull,
Si mesazhe të padërguara
Duan muzikë, Duan njerëz dasmat tona.
Vdekjet janë si male të vetmuar,
Kujtimet rrëmojmë, i duam të gjalla,
Jemi të trishtë,
Befas kujtohemi për gjyshërit,
Oh sa e bukur është bota me ta,
Edhe pas dritareve.
Ruajini kafazët e blertë të prindërve,
Pa ta bota është kopësht me gjemba.

Qyteti im fle me syrin e hapur,
Se ai ka vetëm një sy,
Tjetrin ia ka falë njerëzve të tij.
Të mos humbin mbrëmjes.
Venave dhe rrugëve si lumenj të ngrirë.
Prej atij syri zbet drita e qetë e mbrëmjes.
Sa e bukur je Tiranë edhe nën melankolinë tënde.
Nuk të dal përballë,
Ti ke nevojë për muzikë, ndaj sonte,
I dashuri im luan muzikë për ty dhe për mua.
Se ti don frymë,
E fryma jote janë njerëzit,
Ata thjeshtë po presin pezmin tënd të çelet lule.