Afrim Maliqi: Kohë e ikur

kaherë të përcillte thirrja e jetës
vrimave të kohës sate
erë e qelbur t’i përcillte hapat
mishin e njomë të rinisë lule – o e dashur
një dashuri krijonte portretin tënd atje në horizont
uni im kërkonte ëndrra për të ikur
syri varej në largësitë e pikëllimit
duke qeshur për kthimin e vonuar

një rrugë kërkon shtigjet shkretëtirave të humbura
një udhëkryq lidh fatet
me kupë shprese në dorë – lule e venitur
ç’jetë e ngjyrosur në të verdhë – sëmundje
duke u dridhur nëpër alfabetin e dashurisë
drithërueshëm shkruaj letrat tona të djegura
në faqen e parë ti në të dytën sërish ti…
bëhej portreti i kohës në miniaturë.

kjo ishte ajo kohë në udhëkryq – pranë maces së zezë
pranë takimeve buzë mbrëmjes
a të kujtohet
rreze u bëre për hapin e ngrirë në kohë
dikur

*Botuar për herë te parë në:“Flaka e vëllazërimit”, Shkup, 15 tetor, 1986

ObserverKult