Ag Apolloni: Halloween

Zeus,
do t’zbres n’ferr t’ndriçoj vetëm për të vdekunit.
Natën e pafund kam me ta lanë dhuratë
me gjithçka t’saj: xhind, kukudh, lugat…

Zeus,
të mirët ikën, veç të mjerët dhe mizorët ktu i ke.
Ti je zot, pse nuk bahesh edhe burrë,
ta vrasësh veten me rrufe?  

Zeus,
unë t’i njoh dhamb e dhamballë.
Në qoftë se ti nuk shkon në ferr,
t’shuemit e shumtë ktu kanë me të ardhë.

Zeus,
qesh me lamtumirën time,
gëzoju edhe ndonji ditë farës që ke mbjellë,
por, mos harro që ty t’pret terri,
terri që e ke sjellë,
terri që t’ka pjellë!

Zeus,
në mbretninë tande krimi e korrupta hedhin valle;
mbretnia jote asht parajsë e kriminelit dhe e horrit.
Tash me urrejtjen tande ndize hanën
si kungullin bosh në fund të tetorit!