“Layla” e Eric Claptonit është kënga përfaqësuese e muzikës rok, ashtu siç është edhe “Historia e Lejlës dhe Mexhnunit” e Nizamit, poemë përfaqësuese e letërsisë lindore. Miti i Lejlës frymëzoi edhe shumë vepra letrare, duke nisur nga poezia spanjolle, poezia oborrtare frënge, e për të vazhduar me tragjedinë “Romeo dhe Xhulieta”, “Katedralja e Parisit”, “Unë jam e kuqja” e të tjera.
Nga Ag APOLLONI
Miti për dashurinë e çmendur ndaj Lejlës, lindi në shekullin e shtatë, përafërsisht në kohën e krijimit të Kuranit. Mirëpo, derisa Kurani, si çdo vepër e besimit monoteist, sugjeron dashurinë ndaj Zotit, miti i Lejlës na flet për dashurinë e sinqertë ndaj femrës. Ky është ndër mitet më të bukura në botë që trajtojnë temën e dashurisë. Lindi në Persi, u përhap në Spanjë, u modifikua në Francë, u popullarizua në Angli, u bë shembull në Turqi dhe sot njihet në mbarë planetin. Si shumë mite, edhe ky supozohet se ka bazë reale.
Lejla e vërtetë
Lejla e vërtetë quhej Layla Al-Aamiriya. Për herë të parë për të kishte shkruar i dashuri i saj, Qays ibn al-Mulawwah ibn Muzahim, një nga poetët më të njohur beduinë, të cilët njiheshin për sinqeritetin e artikulimit të ndjenjave ndaj femrës së zemrës. Ai gjatë gjithë jetës shkroi për Lejlën, me të cilën pati një dashuri ideale (platonike) të cilën nuk arriti ta kthente në dashuri materiale, pasi që kur familja mori vesh dashurinë mes dy të rinjve, e ndaloi Lejlën nga shkolla, ndërsa Qays, duke mos mundur ta takojë të dashurën, rrinte i vetmuar si i luajtur mendsh, prandaj kudo e thërrisnin “mexhnun”, që do të thotë “i çmendur”. Kur babai i tij e kërkoi Lejlën për të birin, babai i saj i ofenduar nga propozimi, refuzoi t’ia jepte vajzën një “të çmenduri” dhe, pa pritur gjatë, të bijën ia dha një pasaniku të quajtur Mahdi ibn Sa’d. Qays kur dëgjoi për martesën e saj, u bë asket dhe mori malin. As familja, as miqtë nuk arritën t’ia mbushnin mendjen për t’iu kthyer jetës normale, e cila tashmë e kishte humbur kuptimin, ngaqë kuptimi i jetës së tij ishte Lejla, dashuria e vetme dhe absolute e tij. I dashuruar deri në veshë, ai shëtiste nëpër vende të shkreta. Ndërkohë, Lejla ishte martuar në Irakun e sotëm, ku, e sëmurë nga dhimbja për Mexhnunin, kishte vdekur pas një kohe të shkurtër. Në vitin 688, po ashtu edhe Qays ishte gjetur i vdekur. Kufomën e tij e kishin gjetur te varri i Lejlës.
Nga kjo bazë reale u krijua më vonë dashuria legjendare, ajo dashuri që sot e njohim me emrin “Lejla dhe Mexhnuni”.
Një dashuri në një mijë versione
Etimologjikisht, emrat arabisht të dy të dashuruarve kanë këto kuptime: Mexhnun (Majnun) do të thotë “i çmendur” ose “njeri që po çmendet”, kurse Lejla (Layla) ka disa kuptime. Për shkrimtarët e sektit sufi, “Layla” ka kuptimin e “njeriut të dashur” (ang.: beloved), ndërsa të tjerët mendojnë se ky emër është një kompozitë e përbërë nga fjalë hebraishte dhe arabe (läylã) dhe ka kuptimin e natës shumë të gjatë dhe të errët, apo edhe “të dikujt që punon natën”, si një aluzion për romancën që i paraqet të dashuruarit duke folur me yjet, pasi që besohej se vetëm yjet mbajnë sekrete. Mbase vetëm në këtë mënyrë Lejla mund të komunikonte me lunatikun e dashur të saj.
Fama planetare e kësaj dashurie të pafat i detyrohet poetit persian, Nizami Ganjevi, i cili në vitin 1192, shkroi epin e tij të madh, “Lejla dhe Mexhnuni”, të cilën ia dedikoi mbretit të atëhershëm, Abu al-Muzaffar Shirvanshah. Për ta shkruar “historinë e vërtetë” të kësaj dashurie platonike, Nizami mblodhi burime sekulare dhe mistike që ta portretizonte sa më gjallë pikturën e dashnorëve “të çmendur”. Fabula e veprës është e ngjashme me atë histori reale që u përshkrua më lart. Por, natyrisht me plotësime. Ndër to, duhen veçuar “skena” kur babai e merr Mexhnunin në Mekë dhe i thotë: “Lutju Zotit të ta ndalë dhimbjen dhe të të gjejë çare”, ndërsa Mexhnuni lutet: “Zot, bëje miqësinë time me dhimbjen e dashurisë edhe më të madhe”. Një ushtar i quajtur Nofal, kur e kishte parë këtë skenë, e kishte pyetur babain e Mexhnunit se çfarë kishte ndodhur. Pasi e dëgjon historinë, ai vendos ta rrëmbejë Lejlën dhe t’ia sjellë Mexhnunit. Kështu që, bashkë me ushtarët e tij shkon te vendi i babait të Lejlës dhe nis luftën me “armiqtë”. Por, gjatë betejës, ai, i habitur kur sheh Mexhnunin të luftonte kundër ushtrisë së tij, i bërtet: “Çka po bën kështu? A mos u çmende? Ushtarët e mi po vdesin për ty e ti po i ndihmon armikut”. Mexhnuni ia kthen: “Këta njerëz nuk janë armiqtë e mi. Këta janë njerëzit e të dashurës sime. Nuk do të lejoj askënd t’i lëndojë këta”. Babai i Lejlës i afrohet Nofalit dhe i lutet ta ndalë luftën, pasi që vajza e tij tashmë ishte martuar. Nofali i kërkon falje, duke i thënë se nuk kishte qenë i njoftuar për martesën e saj, por vetëm për refuzimin e martesës së Lejlës me Mexhnunin. Pas kësaj, beteja pushon. Ngjarja tjetër dihet: Lejla, nga dashuria për Mexhnunin, sëmuret dhe vdes, kurse Mexhnuni, i pikëlluar kërkon varrin e saj. Skena e fundit e paraqet atë të vdekur pranë varrit të saj.
Këtë version në anglisht e përktheu Isaac D’Israeli, në vitin 1800, porse miti për këtë dashuri ishte bërë i famshëm edhe më herët, në poezinë arabe të Spanjës, në poezinë kurtoaze frënge dhe duke u bartur gojë më gojë nëpër Evropë. Versioni i Nizamit është një nga 1000 versionet e këtij miti të Lindjes së Mesme. Vetëm në Persi (Iran) janë mbi dyzet versione, kurse në Turqi rreth trembëdhjetë. Disa versione kanë edhe Arabia dhe India, të cilat madje “grinden” për varrin e këtyre dashnorëve.
“Dashnorët” e Lejlës: Shekspiri, Viktor Hygo e Orhan Pamuk
Miti i dashurisë mes Lejlës dhe Mexhnunit ka qenë frymëzues për shumë kryevepra të mëvonshme të letërsisë dhe muzikës dhe, njëkohësisht, tronditës për shumë gjenerata, nga shekulli XII (versioni i Nizamit) deri sot (versioni i Clapton-it). Ndër versionet e tjera të famshme të këtij miti janë edhe: “Romeo dhe Xhulieta” e Shekspirit, “Epi i Lejlës dhe Mexhnunit” i shkrimtarit azerbajxhanas Fuzuli (mbi të cilën kompozitori Uzeyir Hajibeyov krijoi operën e parë në Lindjen e Mesme), “Katedralja e Parisit” (“Notre Dame de Paris”) e Viktor Hygosë, “Unë jam e kuqja” e Orhan Pamukut, përfshirë këtu edhe disa versione të bëra nga industria filmike e Indisë dhe një tablo në stacionin e metrosë në Tashkent (Uzbekistan), ku është ilustruar miti i Lejlës.
Natyrisht, sot në botën perëndimore versionet më të famshme letrare janë versionet nga Shekspiri, Hygo dhe Pamuku. Te versioni i Shekspirit lidhja intertekstuale me mitin e Lejlas dhe Mexhnunit shtrihet në planin tematik dhe ilustrohet me dy figurat që tashmë janë bërë dashnorë të famshëm të traditës perëndimore, Romeo (Mexhnuni) dhe Xhulieta (Lejla), të cilët për shkak të familjes (si te miti i Lejlës) nuk arrijnë të bashkohen për së gjalli (ashtu si edhe Lejla e Mexhnuni), por bashkohen për së vdekuri (prapë si Mexhnuni me Lejlën). Ngjashëm ndodh edhe në versionin e Viktor Hygosë, vetëm se këtu modifikimi është më i madh, pasi që “Mexhnuni” është i shëmtuar (Kuazimodo), kurse “Lejla” është e bukur (Esmeralda). Porse, fundi është identik: Kuazimodo gjendet i vdekur në varrin e Esmeraldës. Ndërsa, versioni më i freskët vjen nga shkrimtari turk, Orhan Pamuk, i cili në romanin “Unë jam e kuqja”, dashurisë mes Zezit dhe Shekurës ia vë si paralele mitin e Mexhnunit dhe Lejlës, relacion ky që jepet nëpërmjet pikturave që ilustrojnë këtë mit e të cilat i shikojnë dhe i komentojnë personazhet e Pamukut.
Dashuria e zjarrtë për Lejlën ka dhënë mbi njëmijë versione dhe variante, prandaj ajo mund të shërbejë si një objekt ideal për kërkime intertekstuale dhe intermediale. Nëpër versionet e ndryshme, Lejla dhe Mexhnuni kanë ndërruar vende, emra, gjuhë, kostume, madje edhe lëkurë, ndërsa në disa versione paraqitet vetëm Mexhnuni i dashuruar në Lejlën, por jo edhe ajo në Mexhnunin. Megjithatë, asnjë version i këtij miti nuk ka arritur ta “ndryshojë” dashurinë e çmendur të Mexhnunit ndaj Lejlës. Publiku masiv, bota e pop-artit, dëshminë më të mirë që kjo dashuri e çmendur vazhdon, e ka versionin muzikor (me disa variante) të këngëtarit Eric Clapton.
Eric Clapton dhe Pattie Boyd
“Layla” e Eric Clapton-it, e vlerësuar si një nga këngët më të bukura të të gjitha kohëve, ka edhe historinë më të veçantë të krijimit. Teksti i bukur ishte produkt i një konteksti konfuz në jetën e këtij këngëtari. Skandali i referohej faktit që me këtë këngë Claptoni i drejtohej të bukurës Pattie Boyd, e cila ishte gruaja e njërit nga shokët e tij më të ngushtë, anëtarit të “The Beatles”, Georg Harrison. Katër vjet pas martesës, çifti Harrison po përjetonte një krizë martesore (George në atë kohë ishte i dashuruar marrëzisht në motrën e gruas). Claptoni që ishte mik i George-it, ishte i njoftuar për “krizën” dhe i dashuruar kokë e këmbë në gruan e shokut, mirëpo këtë dashuri duhej ta mbante fshehur. Vetëm në dhjetor të vitit 1970, kur editoi albumin “Layla and Other Assorted Love Songs”, dashuria e tyre u bë publike dhe u bë më e përfolura në botën perëndimore. Edhe pse kënga quhej “Layla”, të gjithë e dinin të vërtetën: “Layla” ishte Pattie Boyd, “oldman” ishte George Harrison, ndërsa ai që i lutej asaj në dy gjunjë ishte vetë Eric Clapton, lutjet e të cilit kërkonin dashurinë për ta shmangur çmendurinë (“Let’s make the best of the situation/ Before I finally go insane”).
Historinë e Lejlës Claptonit ia kishte treguar Ian Dallas, një shok i tij që ishte duke u konvertuar në fenë islame dhe i cili e kishte lexuar përkthimin në anglisht të poemës së Nizamit, “The Story of Layla (Layla and Majnun)”. Claptoni kishte vërejtur analogjinë e tij me Mexhnunin dhe, së bashku me Jim Gordonin, e kishte shkruar këngën “Layla”, të cilën kur e kishte dëgjuar e apostrofuara Pattie, e kishte braktisur burrin për t’u bashkuar me “të krisurin” e saj. Ky bashkim i kishte dhënë një famë planetare çiftit të ri dhe e kishte shpëtuar Claptonin nga çmendja. I cilësuar nga fansat si Zot (“Clapton is God”), Claptoni tashmë ishte zotërues i “muzës së muzikës”, siç u quajt më vonë Pattie Boyd, për të cilën në të njëjtin album gjendej edhe kënga “I’m yours”, që kishte citate të drejtpërdrejta nga epi i Nizamit.
Kënga “Layla” menjëherë mori dhénë. Dave Marsh, në “The Rolling Stone” (ku përfshihej “Historia e ilustruar e rokenrollit”), kishte shkruar që “janë disa momente në repertorin e këngëve të rokut ku këngëtari ka dhënë aq shumë nga vetvetja sa që ne gjatë dëgjimit jemi gati të vdesim apo të bëjmë vetëvrasje…Për mua, “Layla” është më tipikja ndër to”. “Layla” u bë kënga përfaqësuese e Claptonit. Me të ai hyri në histori të muzikës dhe pati suksese të mëdha edhe komerciale. “Layla” nuk mbeti hit sezonal, ajo i sfidoi vitet dhe dekadat. Incizimi i parë (1970) u prit (sidomos në SHBA) në mënyrë senzacionale, incizimi i dytë (1982) e kaloi suksesin e të parit, ndërsa dhjetë vjet më vonë (1992), versioni “unplugged” u shpërblye me “Grammy” si “kënga më e mirë rok”. “Layla” u bë po ashtu edhe kolonë zanore e filmit “The Goodfellas” të Martin Scorseses. Në vitin 2008, ajo u përpunua për një album për “Ditën e Shën Valentinit”, ndërsa prej 1970 Claptoni e këndon atë në të gjitha koncertet e tij dhe publiku e mirëpret si të ishte himn i rokut. “Layla” që çmendi poetin e dikurshëm beduin, edhe sot vazhdon ta çmendë publikun anekënd botës.
(2011)
ObserverKult