Nga Ag Apolloni
Këto ditë nëpër media ka qarkulluar një tekst (37 faqe) për dy shkrimtarë të shquar shqiptarë, Ernest Koliqin dhe Martin Camajn, që njihen si dy intelektualë antikomunistë. Në materialin e shkruar për “mitet e rreme”, hamendësuesi Auron Tare tregon se “Malësia i bënte rezistencë regjimit komunist” (Ah, kjo Malësia e çmendur!) dhe se Camaj i ka ndihmuar antikomunistët të arratisen (ky Camaj s’kish qenë fare në terezi!). 22 vjeçari Camaj pasi kishte nënshkruar (jo shkruar) deklaratën, ku vulosej pendimi i tij, pas pak muajsh kishte tradhtuar komunizmin (po a tradhtohet komunizmi, more Martin?!). Ai ishte përmendur po ashtu nga CIA si antikomintern (dmth kundër Internacionales Komuniste). Po çudia më e madhe e hamendësuesit është se si ka mundësi që ky Martini, një mësues katundi, të fitojë bursë në Universitetin e Beogradit. Fitoi, sepse ishte Udbash (spiun i UDB-së), thotë ai, bile edhe nusen ia gjeti UDB-ja. [Për ata që s’e dinë dhe që janë në kërkim të shpirtit binjak, UDB-ja është një Qendër Rehatimi që kryen msitni. E në rast se ju e keni gjetur vetë fatin (a fatkeqësinë) tuaj, atëherë UDB-ja vetëm e aprovon.] Pasi u martua Martini, kjo UDB-ja, e mirë siç ishte, vendosi që çiftit të ri t’ia paguante edhe muajin e mjaltit.
Po ashtu, Camaj hyri në Radio Beogradi dhe u anëtarësua në Komitetin e Prizrenit. Silogjizmi detektiv është ky: Radio Beogradi propagandonte kundër Shqipërisë, Martini punonte aty, pra Martini propagandonte. Komiteti i Prizrenit synonte përvetësimin e intelektualëve të arratisur nga Shqipëria dhe rrëzimin e regjimit të Enver Hoxhës. Silogjizmi detektiv: Martini ishte anëtar, ishte intelektual, ishte i arratisur, pra ishte tradhtar. Ky tradhtar i regjimit komunist shqiptar nga Radio Beogradi u bë profesor në Universitetin e Beogradit. Ky, prej katundit.
Martin Camaj, i përkëdheluri i Dushan Mugoshës, i cili e quante “bandit, jezuit” (sa përkëdhelëse këto nofka!), iku në Itali, ku u mor në mbrojtje nga Ernest Koliqi, i cili drejtonte Bllokun Independent Kombëtar, që punonte për rrëzimin e regjimit komunist në Shqipëri. Kuku çfarë mëkati!
Natyrisht, Ernest Koliqi kishte qenë ministër në Shqipërinë “fashiste”, dhe nga ajo kohë (nga hyrja e tij në politikë), ai vërtet nuk shkroi ndonjë gjë me vlerë, siç konstaton me të drejtë edhe Arshi Pipa. Mirëpo, a duhet hedhur figura e Koliqit? Ai kishte shkruar më parë tri vepra që mbesin të rëndësishme në historinë e letërsisë shqipe, ai kishte dërguar dyqind mësues në Kosovë (kosovarët për këtë gjithmonë i janë mirënjohës), ai shpëtoi nga ekzekutimi shkrimtarin Petro Marko, të cilit pastaj regjimi komunist ia nxiu jetën. Vetëm këto tri veprime (krijimtarinë letrare e publicistike po e zëmë si një veprim) mjaftojnë për ta çmuar këtë figurë madhore, që, sigurisht, ishte figurë edhe antizogiste, edhe antihoxhiste.
Po Martin Camaj a duhet të denigrohet kështu siç synohet nga hamendësuesi?
Martin Camaj është studiues dhe shkrimtar më i madh se Koliqi, sigurisht. Ishte themelues i katedrës së albanologjisë në Universitetin e München-it, ku pati student Hans-Joachim Lankschin, i cili në librin “Martin Camaj ende i pazbuluem” thotë se Camaj u vinte në ndihmë mërgimtarëve shqiptarë, “punëtorë krahu”, “shqiptarë prej Kosove”, të cilët i orientonte “nëpër zyra gjermane tue i ndihmue ata me gjetë banesë e punë. Nuk janë të paktë ata që i ndihmonte edhe me pare” (f. 24-25). Kurse, për nga ndikimi, mund të thuhet se ai “e krijoi” poetin më të mirë të Kosovës, Azem Shkrelin. Mendoj se janë këto tri vepra (katedra e albanologjisë, ndihmesa mërgimtarëve, ndikimi në letërsinë e Kosovës) që e mbrojnë Camajn para çdo stuhie socialiste.
Diskutimi i këtyre ditëve për Camajn dhe Koliqin (kurse Krist Malokin e panë më shumë si viktimë) ishte diskutim dinak. Si padroni i portalit ku u publikua shkrimi, ashtu edhe spiuni i spiunëve (a quhet kështu ai që tregon/spiunon se kush ka qenë spiun?), u arsyetuan se nuk po goditet vepra, por autorët. Kjo është mënyra më perfide e eliminimit të veprës. Njëherë po i përbaltim autorët, pastaj lexuesit do të kenë neveri prej tyre dhe s’do t’ua lexojnë as veprat. Kjo ma kujton “Nipin e Ramoit” (Le neve de Rameau) të Didëroit, ku Ramoi (i riu) i shan e mallkon gjenitë, sepse ata ia ndërrojnë faqen botës, sepse ata kanë të meta dhe shtiren sikur dinë gjithçka. Me atë logjikë, Ramoi thotë se Greqisë nuk i duhej Sokrati, as Francës Volteri (sepse njëri kishte një të metë: ishte ateist; tjetri kishte edhe një të metë tjetër: ishte pervers). Ramoi (kështu quhej, edhe pse s’kishte lidhje me Ramën, as partinë socialiste) kishte atë logjikën e njohur: ta kallim jorganin për një plesht.
Me të njëjtën logjikë, këta “demitizuesit” e sotëm sulmojnë Koliqin dhe Camajn. Por, Ramojtë shajnë e shkojnë, Sokratët e Volterët mbesin./ObserverKult