Dhe ra drita një natë mbi kodrën Anchiano,
Dhe e panë tre të urtit nga bregu i lumit Arno.
Dhe në Ponte Vecchio, në Piazza della Signoria
Dhe në Duomo thonë se ai ish Biri ku bunte dija.
Dhe gjurmët e gjeniut gjenden sot rrugëve me gur,
Dhe botën e mendojmë pa Zot, por jo pa një pikturë.
Dhe e dimë se dashuria e tij kish hiret e një muze,
Dhe nuk e zgjidhim dot sekretin e cepit të një buze.
Dhe me shpikjet e tij endemi në ajër, tokë e ujë
Dhe e dimë se erdhi qetë, por pas la art dhe bujë.
Dhe në spitalin e Firenzes bëhem njeriu vitruvian
Dhe më pagëzojnë me zjarr, më bekojnë me temjan.
Dhe e mbyll ungjillin e artit si shenjti n’trans kur bjen.
Dhe në emër të Artit, Birit e Shpirtit të Shenjtë. Amen!