Ag Apolloni: Zoti, fantazma dhe unë

ag apolloni

Zoti, fantazma dhe unë, tregim nga Ag Apolloni

-NË KATUND TEMIN bebat i qesin në gjumë me hashash.
Janë këto fjalët e vëllait të të dashunës, e para gja që më kujtohet të ketë shqiptue kur e takova në kafe-librari, mbasi pagova kopjen e botimit të ri të «Komedisë hyjnore».
-S’ke çka lodhesh m’e lexue Danten për me përjetue Parajsën, njeri. Ka rrugë ma të lehta! – tha mbasi lypi me i hedhë nji sy «pazarit» që kisha ba.
Në dorë ma lëshoi këtë qeskë të vogël:
-Artisti duhet me i provue të tana, a?
Nuk duhet, i thom. Duhet, më thotë. Nuk duhet. Duhet. Kuptohet – arsyeja çon flamurin e bardhë përpara Kureshtjes.

E mshel derën e ballkonit dhe futem mbrenda. Tashma akrepi i vogël i orës së murit ka kohë që po harkon teposhtën, por unë pikë gjumi s’kam në sy. E shikoj vijën e bardhë, paksa të gjarpnueme, përmbi tavolinë. Më vjen në mend nji ish-koleg narkoman që, mbasi e kish vra të dashunën, ia kish shkrepë vetes në gojë.

Don’t forget this fact
You can’t get it back
Cocaine

I ndej dhe i shfryj flegrat e hundës për me m’u hapë mirë vrimat. Me gishtin tregues shtyp flegrën e majtë. Me gishtin e madh dhe treguesin e dorës tjetër kap nji pip, pre sa nji cigare, dhe e fus në vrimën e flegrës së djathtë. Gjarpni i bardhë nis me u ngjitë mespërmes pipit e më zhytet në trup. Helmi shpërndahet. Objektet rreth meje nisin shformësohen. Entheogen. Entheos. Enthusiasm. ‘Aπόλλωνος. Διόνυσος. Θεοφάνεια.

Nuk di sa kohë shëtis nëpër Parajsë, por e di që, kur kthehem e shoh se kam përballë në dhomë nji tip cipridon cullak, me mjekër të gjatë, përndryshe krejt si unë.
Nga radioja ndihet:

I sit and talk to God
And he just laughs with my plans
My head speaks a language
I don’t understand

E shikoj, ndërsa i ulun në kolltuk me nji qetësi olimpike, më shikon.
-Kush je ti?
-Jam Ai që jam.
-E kush asht Ai që asht?
-Lëvizësi i palëvizshëm, Krijuesi i gjithçkaje.
«Heu, kah më piku ky psikopat tash»?
Më kujtohet nji rast i ngjashëm prej para do vjetësh. E pata gjetë derën e banesës hapë, e pata hy tanë kujdes për me e gjetë në dhomën e ditës nji burrë që e kish ndezë televizorin dhe po e shihte. Isha ndalë përballë tij dhe veç e shikoja; ai rrinte dhe më shikonte.
-Si je?
-Mirë! – më thotë, ani që s’më dukej bash mirë.
Qetësi. S’i flas. S’më flet.
-Si po të shkojnë punët?
-Mirë, faleminderit! Ty? – ma kthen.
Më shkon mendja me e kapë ndoj thikë, fëltere a okllagi në kuzhinë, sa s’më asht gjuejtë në fyt, por sapo baj me lëvizë, ma pret:
-Mos luej!
Stepem.
-Kafe kam pi. Hiç kurrgja s’du!
Uh! Shpirti më kthehet në vend.
-E… kur hyne, a asnjani prej cimerëve nuk ish këtu a? – e pyes.
-Jo! – i qetë ai.
-E derën si e hape?
-Me çelës de! – më thotë ndërsa luen me telekomandën dhe ia kthen sytë televizorit, bash si t’ish në shpi të vet.
E shikoj derën. Me ia therë vrap, kisha frikë se më zinte. Djersë të ftohta nisin ma përshkojnë trupin.
-Më fal, – i thom – po, a ban m’e ditë kush je e pse ke ardhë?
Ai, si me u shkundë prej ndonji andrre:
-Aaah! Kujtova se po më njeh! Jam pronari i qesaj banese edhe erdha m’e marrë qiranë.

*

Dhe qe sot ky tjetri, ani ky krejt cullak dhe tue mendue se asht asnji tjetër veç Zoti vetë. Mirë, e di që ty s’të intereson religjioni, por ndigjomë deri në fund. Thue që religjioni s’të intereson edhe çuditesh pse kohëve të fundit po u intereson tjerëve. Dorën në zemër, edhe unë njiherë e pata braktisë rrugën e Zotit dhe pata hy në fe. E pata rrue kryet si brahman edhe do vjet pata ndejtë vegjetarian. Por, kur nisa me pa se sa shumë njerëz po hanë mut, mendova «nami s’bahet në hangësha unë pak mish».
-Ti, Zoti? – e pyes.
-Po.
-S’të besoj.
-Nuk më besoke? – më gozhdon me shikim.
Ateist nuk asht ai që s’beson, por ai që edhe me ba me iu shfaqë Zoti, vendos me i ndejtë n’opozitë.
Ani që s’besoj në Zot, as fort në botën e përtejme, prap mendoj që bota e përtejme mundet me ekzistue dhe kam dëshirë me pa të shkëmbehen njerëz mes botëve tona. Sa shumë kisha me dashtë t’ishin këndej do njerëz t’asaj bote, e do të kësaj t’ishin andej. Veç kështu kishim me e pasë nji botë ma të mirë.
Marr t’i përgjegjem:
-Më fal, njiherë si fëmijë pata shku në xhami, po hoxha s’pati qëllu aty. Edhe në kishë pata shku njiherë, se po mbahej nji koncert me gitara akustike. Njiherë i pata pre flokët tullë e ba budist, por dorën në zemër, diçka në thellësi të shpirtit hala më ban me pasë dyshime.
-Këto që përmend ti nuk kanë të bajnë gja me Mue.
-Si? – çuditem nga kjo blasfemi e Zotit dhe në krye më buçet thirrja: VDEKJE RELIGJIONEVE, LIRI ZOTIT!
-A më sheh si jam?
-Je… cullak!
-Po, se besimtarët m’i shqyejnë teshat. Të gjithë më duen veç për vete!
-More, po këta janë pisa, – provoj me i hy në qef – jo veç të përvetësojnë e të privatizojnë, po kujdes se të çojnë në spital e t’i vjedhin edhe veshkat.
Nxjerr nji këmishë të zezë, nji palë pantallona po të zeza. Ia ofroj. I refuzon:
-Mue s’më vjen ftohtë!
-Po… ndoshta të vjen marre?
-Marre e moral i keni shpikë ju. Unë ju kam krijue pa rroba.
-Më fal që po e dyshoj praninë tande. Edhe pse m’u shfaqe krejt befas, nuk po më dukesh hiç si Zoti.
-E qysh u dashkam me t’u dukë?
-Paj, plak mjekërbardhë i mbështjellë veç me çarçaf.
-Ai asht Zoti i Michelangelo-s.
-Mirë, po ti po më dukesh krejt si unë. Më fal se… ndoshta po e mbivlerësoj veten.
-Unë si ti jam. Robin e krijova simbas shëmbëlltyrës Sime.
-Po ti je gjithmonë i gjithëdijshëm, kurse unë s’jam i gjithëdijshëm as në tregimin që vetë po e shkruej.
-Unë marr trajtë veç kur s’më besojnë.
-Si në rastin e Mojsiut, kur ia ktheve prapani-… po mendoj, shpinën.
Drue mos po zemërohet nga lapsusi im, por jo. Mendoj njiherë me i kërkue mos me më futë në nji thes me tjerët, por a korrigjohet fjala e Zotit? Zoti nuk luen kumar me gjithësinë.
-Mos je alien? Nëse po, më thuej të lutem, a mos asht bota jonë ferri i botës suej?
-Kur e krijova, ishte ndryshe. Ju e batë ferr.
Zoti shikon tutje prej dritares dhe bjen në mendime. Tue e pa të përhumbun, s’di pse më kujtohet thania e Russell-it: Këtë botë e krijoi djalli kur Zoti s’e kishte mendjen.
-Shumë marrina ke ba deri sot! – më qorton, mbasi shkundet prej mendimeve.
-Eh! Unë jam vetë marria të cilës i duhej nji trajtë. Dhe, për fatin tem të keq, Ti ma dhe.
-E keqja asht se ti ke dalë prej binarësh.
-Dola se nuk deshta me më shkelë treni.
-Je fëlliqë shumë!
-Jo! Balta nuk përbaltet.
-Mbrenda baltës kam futë edhe diçka hyjnore. Së paku ate rueje të dlirë!
-Oh, sa do të doja!
Dhe ia thom nji haiku gjenial:

do të doja me e la
pluhunin e kësaj bote
në pikat e vesës

-Hiqu paudhësive! Kthehu në rrugë të mbarë!
-Mirë, që nesër do të shkoj me u falë. Kah t’ia mësyj? Në kishë a në xhami?
-Ato nuk janë shpitë e Mia.
-Po qysh m’e gjetë udhën për te Ti?
-Nëpërmjet dashnisë.
-Domethanë me vazhdue rrugën që kam ndjekë?
-Dashnia dhe seksi janë dy gjana, mos i ngatërro!
-E çka me ba?
-Me i dashtë edhe ata që s’janë për t’u dashtë, me i dhanë dorë tjetrit kur ka nevojë, me mbjellë dashni në zemrën e secilit.
-Po Ti pse nuk na bane me e dashtë njani-tjetrin? Ti ke mujtë!
-Më duket se je tue e ngritë pak tonin, apo e kam gabim?
-Ndoshta. Po a nuk e ke mendue që ndoshta djalli ishte engjëlli ma i mirë?
-?!
-E përzune veç pse nuk t’u përul. Po, çka të duhen engjëjt servila?
-Ke simpati për djallin a?
-I urrej servilat, edhe engjëj qofshin.
-Ti më flet sikur ke ndigjue llomotitjet e atyne çobanëve nëpër faltore. Mbaje mend mirë: djajtë nuk ekzistojnë, engjëjt nuk ekzistojnë. Ata janë shpikë në Mesjetë dhe ju deri tash duhet t’ishit përndritë.
-Pra, nuk ekzistokan as Ferri, as Parajsa!
-Parajsa, Purgatori, Ferri, ekzistojnë dhe janë shtypë diku në Itali.
«O-ho-hoo! Edhe Zoti ditka me qenë ironik»!
-Po, disa thonë që as Ti nuk ekziston.
-Kur shikuesit, tue e pa pikturën, e harrojnë piktorin, piktori ndihet i lumtun, apo jo?
-Sa i qetë që je Ti.
-Ai që i din të tana, s’bahet kurrë nervoz.
-Por kur lexoj Bibël e Kur’an, dridhem prej kërcënimeve të Tua.
-A s’do t’ish qesharake po ta kërcënoje ti nji bubrrec?
-Sigurisht, por nëpër ata libra të shejtë, Ti del personazh negativ.
-Librat shpesh e shtrembnojnë realitetin, apo jo?
-Ta dija që je kaq i mirë, do t’isha ma i madhi besimtar në botë.
Zoti buzëqesh dhe më thotë:
-Zoti asht Dashni.
-Të due o Zot!
Sapo ia thom këtë, ul roletat se mos më shohin fqinjët.
-Sado që të më duesh, Unë kam me të dashtë ma shumë.
Sytë më mbushen lot.
-Sa e sa herë të shoh tue qa kur je vetëm! – më thotë.
-Qaj, se jeta këtu asht e padurueshme, o Zot! Nuk qaj për vete, po për ata që janë ma të dobët se unë dhe që unë, t’isha i fortë si Ti, do t’i kisha ba të lumtun. Shpesh më bahet sikur më mbushet dhoma me fëmijë që vdesin unit dhe unë ua ndaj bukën e mbetun në dollap. Mandej shpërthej në vaj. Merrmë me vete, Zot! Nuk po mundem ma!
-Jeta asht sprovë, biri Im. Të gjithë te Unë keni me u kthye.
Zoti shikon rrotull dhe ma vëren gitarën.
-I bike gitarës?
-Njifarë dore.
-Më luej diçka!
-Çka të pëlqen?
-Luej çka ndjen ma fort! Ashtu do të luejsh ma mirë.
-Falemnderës!
Marr gitarën dhe nis mendohem. Më sillen ndër mend Losing My Religion, Highway to Hell, Sympathy for the Devil, Paradise Lost, Antichrist Superstar, si dhe Phantom Lord. Por, nga shikimi i Zotit kuptoj që do t’ish nonsense me e këndue cilëndo nga këto. Më kujtohet nji kangë që lidhet me parajsën: do-la-mi-mi-do. Por unë, djalë timin nuk kisha humbë, prandaj ndoshta s’do ta përjetoja mirëfilli kangën. Ah, por e kam humbë babën. Pra, kisha gjasa me e interpretue ndjeshëm. Për t’u dukë ma serioz përpara Zotit, nxjerr partiturat, i ve para, vendos kambën e majtë mbi mbështetësen e ulët metalike dhe filloj:

Zoti më ndigjon i qetë dhe, e di që ti s’më beson, por në fund më duertroket aq fuqishëm sa krejt banesa tundet.
I ngazëllyem që i kisha pëlqye Zotit, shpërthej:
-Clapton-i asht zot… i gitarës! – nxitoj me plotësue.
Zoti m’i nduk faqet si fëmijës e më puth në ballë:
-Ti je shishe në të cilën e kam futë nji mesazh për botën. Mos u kthe tek Unë pa ma çue porosinë në vend.
Sapo m’i thotë këto fjalë, zhduket.

*

Ndiej dhimbje të llahtarshme kreje. Ashtu, mes marramendjesh, më shfaqet nji tjetër njeri që më ngjan, por ky i rruem dhe me dyfishin e moshës sime.
-Pse rrin i mërzitun?
-Ba’, nuk due me vazhdue këtë jetë pa kuptim.
-Nuk don, po duhesh! – më thotë tue u kthye me hy në dritë, si në filmin Ghost.
-Ba’, më fal!
Ai ndal hapin dhe më shikon mue që mezi dukem në terr.
-Më fal që të vrava!
Ai rrudh sytë dhe më shikon sikur s’kupton kurrgja. I thom pa i folë:
«Isha aty, në spital, në atë spitalin ku njerëzit shkojnë me vdekë, jo me u shërue. Isha në korridor, afër dhomës ku ishe shtrue ti, atë ditë kur ai mjeku i mutit ta plasi të vërtetën lakuriqe në ftyrë. E ndieva kur të tha se duheshe me u operue se ndryshe mbas nji, dy, a tre muejsh, do të merrje fund. Të ndieva edhe ty kur e pyete për çmimin e operacionit. E ndieva edhe ate kur të tha se mjaftonin dy mijë euro me u operue te nji mik i veti që ishte kasa-… kirurg. Dhe ty mandej që shtove: ‘Po halli?’ (Sepse e dije që krejt paret tashma na i kishin vjelë spitalet, tue u endë nëpër to plot dy vjet). Dhe atë zuzarin që t’u përgjegj se nuk e kishte për detyrë me ua qa pacientëve hallet, por me ua thanë të vërtetën. Dhe ty që e pyete prap: ‘E në qoftë se nuk operohem?’. Dhe ate që ta ktheu: ‘Vdes mbas dy-tre muejsh!’.
Oh ba’! Deshta me hy e me ia dhanë do grushta, (ti e din që kam andërrue me u ba boksier), po s’di çka më ndali. Besomë që me vrull kisha me ia pre ringun, me nji crochet kisha me ia shtrembnue ftyrën, me nji uppercut me ia thye nofullën. Oh, bile as goditjet nën brez nuk kisha me ia kursye. Por, thjesht prita derisa doli fitimtar ai mut i mbështjellë me mantel të bardhë. Dhe, mbas pak, hyna mbrenda sikur s’kisha ndie gja. T’u ula përskaj shtratit, mbasi kishe humbë ndeshjen me te. Aty t’i pashë sytë e skuqun dhe të njomun prej ujit që të buronte prej zemrës së dobët. E ti, si i zanë në faj, shpejtove me i fshi.

O father tell me are you weeping?
Your face seems wet to touch.
O then I’m so sorry father
I never thought I hurt you so much.

Dhe atë natë u solla korridorit si me e pasë ndonji thikë të ngulun në bark. Sytë ma zunë shenjën kundër duhanit në mur. Ia thera vrapit teposhtë shkallëve. Mbas pak u ngjita përpjetë. Dhe aty, në korridor, ndeza cigaren e parë. Atë natë e piva paketën e parë. (Edhe nji tjetër e bleva ma vonë po atë natë.) Dhe, tue shikue tymin tek ngjitej përpjetë, kuptova që jeta mes tokës e qiellit zgjat sa nji cigare e hollë mes buzëve. Gjithë ato net pa gjumë mendoja si me i gjetë ato dy mijë euro të dreqit. Po askund nuk munda me i gjetë.
Më fal, babë! Paret s’t’i gjeta. Bile, nji natë, kur po fshaje prej dhimbjesh, u luta pa za që të vdisje. Po! E vërtetë asht. E doja vdekjen tande. Unë, biri yt. S’mundesha me të pa ma n’atë gjendje. Më fal! Nuk di a ish kjo hera e parë që i lutesha Zotit. Por, e di se ish hera e parë që Zoti më ndigjoi».
Baba merr me hy në dritë, sapo nis me këndue gjeli. Nuk duket se më mban inat. Zemra e babës asht nji kryevepër e natyrës. Megjithëse unë kambëngul ta vazhdojmë bisedën dhe e pyes si po ia çon andej, ma kthen shpinën tue më lanë me kuptue se punët e asaj bote nuk janë për veshët e mi.
Tash, sa herë kam në llogarinë bankare dy mijë a ma shumë euro, më vjen me e kapë kazmën dhe kacinë e me i shkue te vorri, me e nxjerrë dhe me e dërgue në spital me u operue. Por, ç’po llomotis? Ai ka ikë. Ndoshta asht në Parajsë tash. Por unë… unë sigurisht që jam në Ferr.
O Zot, shpëtoma shpirtin! Njimend fytyrën e kam si të Mefistofelit, por shpirtin e kam të Faustit.
Por, kujt po i lutem? Zotit! Jam i nji mendjeje me atë filozofin që, kur rruhej, në vend të briskut përdorte shkrepsë, sepse nëse asht Zoti ai që e ka krijue këtë botë, nuk kisha dashtë me qenë në vendin e tij; kaq shumë vuejtje dhe kaq shumë mundime, zemrën kishin me ma plasë.
Sidoqoftë, besoj në atë pllakën që asht në qiell e që regjistron krejt çka bahet këndej poshtë. Besoj si pagan se Zoti merr trajta të ndryshme, besoj si budist se jeta e shthurtë asht kalimtare, besoj si jahudi se Zoti asht i rreptë me disa, besoj si i krishtenë se kjo botë asht vuejtje, besoj si musliman se për gjynahet tona kemi me u zi në kazan. Dhe me nji shishe whiskey në dorë këndoj Rollin’ and Tumblin’:

Well, if the river was whiskey, and I was a divin’ duck
Well, if the river was whiskey, and I was a divin’ duck
Well, I would dive to the bottom, never would I come up

Well, I could a had a religion, this bad old thing instead
Well, I could a had a religion, this bad old thing instead
Well, all whiskey and women, would not let me pray

  • Tregimi “ Zoti, fantazma dhe unë ”, është shkëputur nga vëllimi “FRYMA” – tregime bashkëkohore në gegnisht, Botimet Princ, 2019

ObserverKult

Lexo edhe:

AG APOLLONI EMËROHET PRESIDENT I SHOQATËS “MIQTË E NIKOS KAZANTZAKIS” PËR KOSOVË