Agim Baçi: Mendimet janë hijet e ndjenjave tona

agim baçi

Nga Agim Baçi


(Shënime për romanin “Kur qau Niçja”, Irvin D. Yalom)


Çfarë humbim kur nuk duam të pranojmë hendekun mes asaj që jemi dhe asaj që kemi dashur të jemi? A mund të bëhemi ai apo ajo që jemi nëse nuk arrijmë t’ia pohojmë vetes sonë atë çfarë na ka tronditur më shumë se gjithçka, që na ka lënë pa gjumë apo që ka ka shtyrë të meditojmë gjatë?

Irvin D. Yalom, Profesor i Psikiatrisë në Universitetin e Standfordit në SHBA, në rolin e shkrimtarit, ka përdorur emra sugjestionues për të ngritur pikëpyetje të rëndësishme për atë çfarë mund ta në tërheqë në udhën për të fituar veten, e për t’i dhënë kuptim ndjesive tona.

Niçe, Frojdi, dhe profesori i këtij të fundit, Brojeri, e shumë bashkëkohës të tyre, janë emra të cilët të ngjallin kërshërinë të ndjekësh rrëfimin edhe kur je paralajmëruar se kemi të bëjmë me një trill.
Yalom, ngre me kujdes pyetje të cilat, nga përgjigjet që kërkojnë, mund të kenë vendime të pakthyeshme për jetët tona.

Padyshim, mosleximi nga ana jonë e përditshmërisë sonë, e hapave që kemi hedhur, e mundësive që kemi përpara, rrezikon të na vërë përballë dilemës: Mos duhet ta braktisim përditshmërinë që na ka zënë si në çark? E pastaj, duket se vjen edhe një tjetër pyetje: A është braktisja e realitetit zgjidhje për atë që nuk e kemi arritur?


Përballë asaj që kemi dhe asaj që ëndërrojmë, vjen “dueli psikologjik” mes Brojerit, doktorit më të famshëm të Vjenës në fund të shekullit XVII dhe Niçes, filozofit që e di që shkruan për të ardhmen. Yalom ka mundur të ndërtojë dialogje intensive mes psikoanalistit dhe filozofit, duke tentuar të zbulojë atë çfarë sot përdor psikoterapia moderne.

Gjithçka shkon në rrugën e pranimit të asaj që Niçja përsërit: “Bëhu ai që je!”. Është fjali që vlen në përpjekje edhe për vetë atë që e ka thënë, sepse edhe ai, filozofi i së ardhmes, Niçja, ka nevojën që të pohojë dobësinë e tij për një femër që i ka tronditur gjithçka që ai beson se e zotëronte: Lu Salomeja!

Rrëfimi nis si një duel që vihet në lëvizje nga një sfidë e zonjushës 21 vjeçare, Lu Salomeja, e cila i kërkon doktor Brojerit të marrë përsipër shërimin e filozofit nga dëshpërimi – një dëshpërim për të cilën ajo beson se është shkaku.

Një sfidë ku psikanalisti përfshin vetveten, marrëdhëniet me të shoqen dhe miket e tij, duke na dhënë përmes dialogjeve me Niçen dhe diskutimeve me Zigmund Frojdin, pikërisht pushtetin e pallogaritshëm së pandërgjegjshmes sonë dhe fillimet e një debati ku psikoterapia do të kërkojë vendin e vet në mjekësi.


“….Sensualiteti, trupi i një gruaje, më duket kulmi i shpërqëndrimit, një barrierë ndërmjet meje dhe misionit tim në jetë. Por Lu Salomeja ishte ndryshe, ose unë të paktën mendoja kështu. Megjithëse ishte shumë e bukur, ajo dukej edhe një shpirt binjak, truri im binjak.

Ajo më kuptonte, më tregonte drejtime të reja, maja marramendëse, të cilat nuk kisha guxuar t’i eksploroja më parë. Unë mendova që ajo do të ishte studentja ime, e mbrojtura ime, dishepullja ime. -Por më pas, katastrofa. Epshi im ngriti krye.

Ajo e përdori atë, që të më kundërvinte me Pol Renë, mikun tim të ngushtë, i cili na kishte prezantuar fillimisht. Ajo më bëri të besoj, që unë isha burri i përcaktuar nga fati i saj, por kur unë i ofrova veten, ajo nuk më pranoi. Unë u tradhtova nga të gjithë: nga ajo, nga Reja, nga motra ime e cila u përpoq që ta shkatërronte marrëdhënien tonë.

Tani çdo gjë është kthyer në hi, dhe unë tani jetoj larg çdo gjëje, që një herë e një kohë ishte e dashur për mua..”. (Irvin D. Yalom, “Kur qau Niçja, f.360).

Rrëfimi i Yalom është një diskutim shumë tërheqës dhe intrigues, ku lexuesi mund të përfshihet përmes nevojës së tij për t’u shprehur për atë që s’ka mundur dot të thotë kurrë me zë të lartë, e sidomos për të gjetur bashkëbiseduesin të cilit mund t’i besojmë nga vetja jonë.

Është një rrugë drejt lotit, si kufiri delikat i njeriut. Sepse loti nuk është dobësi, por është forca e pranimit të dobësive. Lotët mund të na çojnë drejt pranimit të mendimeve tona. E siç rrëfen Yalom, “Mendimet janë hijet e ndjenjave tona”.


Rrëfimi i Yalom, i kalon kufijtë e trillerit, teksa shihet edhe si një guidë debati për psikanalizën dhe filozofinë. Thuajse vjen si një rrugëtim për një lexim të Niçes, apo edhe Frojdit. Madje, duket edhe si fillimi i një beteje filozofike që nuk i dihet ende fundi. Dhe Yalom, me mjeshtërinë e rrëfimtarit, ka dhënë një prozë që bart nevojën e debateve të duhura, sidomos për ata që janë të apasionuar pas filozofimit.
“Ndonëse asnjë gur nuk mund të dëgjojë, as të shikojë,
secili rënkon butësisht, që dikush t’i kujtojë” (“Kur qau Niçja”).

ObserverKult

Lexo edhe:

AGIM BAÇI: NUK PRESIN ËNDRRAT GRUA, NDAJ TË LUTEM MOS MË VONO…