Agim Baçi: Nuk presin ëndrrat grua, ndaj të lutem mos më vono…

Alberto Moravia

Nga Agim Baçi

– Të lutem grua, a më merr një nga ato ëndrrat në sirtar, që të bëj një gjumë të qetë sonte, se jam goxha i lodhur?
– Ëndrra në sirtar?
– Në sirtarin ku lë gjërat e mia, dokumentet, aty, nën shtresën e parë, ngrije pak atë shtresën e hollë të kompesatës dhe ke disa ëndrra aty. Të lutem merr vetëm një. Jo më shumë se një. Kujdes kur i ndan nga njëra-tjetra, se janë gati të padukshme, janë më të holla se fletët e cigares, dhe mund të të marri dora disa njëherësh. Kujdes se po i hoqe nga aty, nuk mund të shihen më, se marrin dritë.
– Burrë, ulu se po të sjell diçka të freskët për të pirë, si fillim, e pastaj edhe hamë bashkë, se kam gatuar dhe për pak është gati. Ke etje?
– Grua, jam thjesht i lodhur. Të lutem mos përto. Nuk ka nevojë të më shohësh me kaq dyshim e kureshtje, por, të lutem, merr një ëndërr aty se më shumë dua të fle se sa të ha apo të pi diçka. Jam mirë, mos më shih e habitur. S’ka gjë për t’u shqetësuar.
– Po, a nuk është thjesht një shprehje popullore kjo e ëndrrave në sirtar? E si mund të marr unë një ëndërr në sirtar?
– Po pse grua, ti që ishe për mua ëndërr, që të kam menduar dhe rimenduar dhjetra herë, a nuk je sot kaq reale? A nuk je tani përballë meje?
– Unë paskam qenë për ty ëndërr në sirtar?
– Po, ashtu ke qenë përpara se të të njihja. Dhe sot, ja, je përballë meje. Dhe unë jam i kënaqur që je kaq reale…
– Ke edhe gra të tjera aty, në ato ëndrra?
– Hahaha, ëndrrat e tjera, që janë aty, në atë sirtar, vlejnë vetëm për shkak të asaj ëndrre që lidhet me ty. Ndaj të kërkova ty t’i merrje. Duan veç dorën tënde për t’i dalluar dhe ndarë.
– Po pse nuk e pashë edhe unë këtë ëndërr me ty përpara se të të njihja?
– Grua, për dy veta që duhen mjafton një ëndërr, e jo dy. Të tjerat, “në sirar” janë thjesht gjëra që vlejnë për shkak të ëndrrës së parë.
– Do të thuash që për një dashuri mjafton të mendojë vetëm njëri prej tyre?
– Desha të të them se, mjafton një ëndërr për dy veta. Dy ëndrra mund të kenë më pas shumë gjëra që s’do arrinin të qëndronin bashkë edhe pse mund të kenë më shumë rrugë, më shumë kohë, më shumë udhëtime të bukura.
– Po pse?
-Sepse ëndrrat, që të kuptohen e shijohen, duan dy persona që mendojnë, shqetësohen e gëzohen për të njëjtat gjëra, në të njëjtën kohë. Më pas, këtë kuptim të përbashkët mund ta mendosh, ta zgjerosh me imagjinatë, ta mbash mend gjithë jetën, sepse një ëndërr ka gjithnjë kohë brenda vetes. Por, dy ëndrra ndoshta do përplaseshin për kohët brenda tyre.
– A mund ta shohin dy veta një ëndërr?
– Jo, dy veta mund të përjetojnë të njëjtën dashuri. Mjafton që ai apo ajo që e sheh të dijë ta mbajë, të dijë ta rrëfejë dhe ta ketë në mendje e zemër në çdo çast.
– Pse s’ma kishe thënë kurrë këtë gjë?
– Se duhej të vinte ky çast, që ta shihnim bashkë
– Çfarë duhet të shohim bashkë?
– Se si do arrish t’i marrësh e pastaj edhe t’i ndash ëndrrat kur unë dua t’i shoh, në një natë si kjo, kur jam i lodhur, dhe më duhet që dora jote të marrë nga një ëndërr.
– Oh, me gjithë qejf burrë, ja prit, vetëm një çast. Të heq diçka nga soba sepse është duke u djegur në furrë. Vetëm një çast. Vetëm një çast…
– Ah ky çast, që gjithnjë të dërgon nga krahu tjetër i asaj që mund të jesh duke pritur. Nuk presin ëndrrat grua, ndaj të lutem mos më vono.
– Si nuk presin ëndrrat. A më the se ato aty janë, në sirtar, apo jo? A nuk më the që janë aty dhe presin vetëm dorën time?
– Po, por zgjatja e duarve të tua duhet të shkojë edhe me dëshirën time për të fjetur. Ndoshta pak më vonë, sytë do i kem të zëna me tjetër gjë, duke lexuar apo parë diçka…
– Po një çast, se mund të marrim të gjithë flakë në shtëpi nga ajo që po digjet në furrë.
– Ajo është djegur tashmë grua. Është djegur. Të thashë, vetëm një çast. Tani shko më mirë dhe hiq çfarë ke në furrë.
– Në zjarr kam gjellën tënde të preferuar, atë që të pëlqen shumë
-Epo, më sill atë një herë, se mund të fle edhe pak më vonë. Tani sikur më doli pak gjumi.
– Atëherë, hajde hamë bashkë, se ke kohë të flesh.
– Po, një gjellë e mirë ja vlen. Ja po vij. Po sirtari, pse qenka hapur?

ObserverKult

*Titulli i origjinalit: “Ëndrra në sirtar”

Lexo edhe:

AGIM BAÇI: TË SHOHËSH DASHURINË NGA XHELOZIA