Agim Baçi: Soditje mbi gjestet dhe dashurinë

Agim Baçi:
Agim Baçi

(Shënime për romanin “Pavdekësia”, Milan Kundera)

Nga: Agim Baçi

Çfarë është pavdekësia? A mund të konsiderojë pavdekësi fuqinë tonë për të dashuruar dhe kuptuar? Milan Kundera provon në një soditje të jashtëzakonshme përshkrimesh të jetëve nga anonimati deri te ata që vijojnë të jenë mes nesh përmes gjenialitetit të tyre.

Një gërshetim përmes historive të cilat kanë marrë udhë ngase pena apo peneli i artistit ka fiksuar gjestet – gjeste që gjithkush nga ne mund t’i humbë nëse nuk kemi fuqi t’i dallojmë, t’i lexojmë apo, në qofshim me fat si njerëz të artit, edhe t’i përjetësojmë në shkrim, telajo apo tastierë.

“Nuk ka dyshim se në këtë botë ka pasur më pak gjeste, sesa individë. Kjo na çon në konkluzionin tronditës: një gjest është më individual sesa individi. Dhe për ta thënë në formë proverbi: shumë njerëz, pak gjeste”. (“Pavdekësia”, Milan Kundera, f.13).

Kështu, personazhe si Anjeza, motra e saj e vogël Lora, e padyshim edhe Betina, hyjnë vrullshëm në botën e trillit përmes gjestit. Edhe në përshkrimin e Kunderës, është pikërisht një lëvizje dore e Anjezës– një lëvizje e bërë plot delikatesë, apo e parë si e tillë- që mund të ketë shënjuar lëvizjen e penës së Gëtes.

E me shumë gjasë një lëvizje e tillë do kish vënë në lëvizje penelin e Rubensit, lëvizjen e gishtave të Bethovenit, apo përshkrimet e Heminguejit e Shinclerit. Por çfarë i lidh këta të panjohur, kaq të zakonshëm, kaq të vdekshëm, me ata të njohur, të jashtëzakonshëm, të pavdekshëm, artistë, që kanë shënjuar emrin e tyre për të mbetur në histori?

Është pikërisht gjesti – një lëvizje e dorës, një lot apo një buzëqeshje e tyre, një pulitje sysh – që ka vënë në lëvizje gjithë mekanizmin e asaj çfarë ka mbetur nga poezia, muzika apo piktura e atyre që janë në listën e emrave ku vijojmë “të kërkojmë atë që na duhet ne të gjallëve”. Kundera sjell nga brenda botës së tij Anjezën, duke e kthyer në hijeshinë e pikëpyetjeve për të cilat më pas ia vlen të gjithë të meditojmë. Ashtu siç rindërton Betinën, gruan që s’reshti së dashuruari Gëten, qoftë edhe për një çast, edhe pse thuajse në kufirin e pamundësisë.

Si “dëshmitarë” të kësaj dashurie të pamundur, Kundera sjell Rilken, Romen Rolanin e Pol Elyarin, si pjesë të “dëshmisë” – të dëshmisë që vjen nga poezia apo përshkrimet e tyre, ku jeta e njeriut vërtitet sërish varg pas vargu, apo paragraf pas paragrafi, pikërisht për të rrokur ata lot që “lagin më shumë se sa dy sy apo një zemër”.

A nuk jemi ne të gjithë të vëmendshëm ndaj një gjesti tek ata që duam, pikërisht një gjesti që askush tjetër nuk mund ta vërë re as lehtësisht e as duke u menduar, pasi edhe nëse e sheh nuk mund ta perceptojë si ne? Por që ne, edhe pse s’mund ta përshkruajmë, e dimë se një lëvizje dore, një kthim koke, një pulitje e syve, mund të jetë urdhëruar nga zemra – e vetmja njohëse e vërtetë për gjërat që mbeten me kuptim.

Kundera ka arritur të ndërlidhë ata të cilët falin këto gjeste me ata që mund t’i përjetësojnë, si për të na thënë që jemi vazhdimësi, pa qenë të varur nga koha, nga gjuha, nga vendi. Si për të thënë se dëshmia vjen nga ata që kanë ditur t’i skicojnë përmes artit, siç bën edhe ai vetë, duke vallëzuar një të “panjohur” me ata kanë udhëtuar nga jeta në pavdekësi.

Nga ndryshon këmbëngulja e Betinës për të bindur Gëten e madh ta dashuronte atë, me këmbënguljen e fqinjës apo fqinjit tonë të sotëm, që pret të njëjtën biletë avioni, si rastësisht, në mënyrë që të udhëtojë me “atë” diku përtej? Nga vjen fuqia e Lorës për të mbajtur Polin Elyar brenda vetes, deri në çastin që mundet ta ketë të vetin? Janë veçse kohët në mes të emrave, por zemra ka thuajse të njëjtin rrugëtim. Janë gjeste të pavdekshme, bashkë me përshkrues të pavdekshëm të cilët kanë nevojë të dëgjohen.

Me njerëz që mund të arrijnë shumë larg përmes mendjes, por që bëjnë hapa të ngadalshëm brenda zemrës. Çfarë ka Rubensi që në momentin e dashurisë shqipton gjithë emrat e femrave me të cilat ka pasur njohje? Ç’do të thotë të kërkosh të kalosh “përtej dashurisë”? Dhe a është e mundur të jetosh “përtej” apo është thjesht një përpjekje “për t’iu fshehur kohës”?“Takimi me Betinën, në sytë e Gëtes, ishte në dukje një episod i parëndësishëm. Jo vetëm që si sasi zinte një vend të vogël, por Gëtja bëri gjithçka për ta penguar të luajë një rol shkakësor, dhe është kujdesur ta mbajë mënjanë biografisë.

Mirëpo mu këtu shfaqet relativiteti i nocionit të episodit, relativitetit që Aristoteli nuk e ka kapur: në të vërtetë, askush nuk mund të garantojë që një rastësi episodike nuk përmban një potencial shkakësor, i cili është i aftë që, një ditë, të zgjohet dhe, papritur, të përhapë një varg me pasoja. Thashë një ditë, dhe kjo ditë mund të vijë kur personazhi ka vdekur, nga ku shpjegohet edhe triumfi i Betinës, e cila është bërë pjesë përbërëse e jetës së Gëtes, bash kur Gëtja nuk jetonte më”. (“Pavdekësia”, Milan Kundera, f.338).

Pra, pikërisht ato të pathëna, ato lëvizje, në dukje, krejt pa rëndësi, mund të jenë ndezja e një orteku mendimesh e lëvizjesh, të cilat shkaktojnë më pas shembje agjendash apo projektesh të hartuara me orë e orë, apo me ditë e muaj. Sepse episodi, sado periferik, rrezikon gjithnjë të peshojë sa një botë. E ndonjëherë, edhe më shumë.

Milan Kundera ka rreshtuar artin e tij pikërisht tek tabela e të pavekshmëve, duke ardhur ashtu, nga jetët e padukshme, e duke na lënë përpara pikëpyetjet që, nëse nuk i bëjmë, mund të mos jemi të sigurt se kemi ndonjë gjë për të thënë. Është i sigurtë se Anjeza do të mbetet bashkë me të. Ka stilin e vet të papërsëritshëm të rindërtimit të gjithçkaje vetëm një cep larg asgjësë. Ka “lehtësinë e papërballueshme” të të qenurit ngjitur me rrahjet që shënjojnë njeriun me njohje prej zemre.

(Roman i botuar nga “Pika pa sipërfaqe”. Në shqip nga: Balil Gjini)

ObserverKult

—————————————

Lexo edhe:

AGIM BAÇI: DASHURIA NUK GËRMËZOHET